25 Prilli është pa më të voglin dyshim peshorja e meritokracisë, vullnetit të shkodranëve për të zgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në parlamentin shqiptarë.
Por 25 Prilli foli, dhe në fakt foli qartë për të gjitha kampet e politikës. Foli për demokratët dhe socialistët, foli për partitë e reja që nuk sollën asgjë të re, foli për LSI-në apo për PSD e Tom Doshit.
Por ndryshe nga të gjithë, kjo garë solli mesazhe të forta për demokratët e Shkodrës.
7 ishte numri i mandateve që Drejtuesi Politik Helidon Bushati, kryesuesi i listës i kishte premtuar Bashës se do t’i çonte në parlamentin e ardhshëm.
Çfarë ndodhi ? Jo vetëm që rezultati është tejet zhgënjyes për PD në Shkodër, por e rëndit në të njëjtin nivel me 2017-ën .
Helidon Bushati si kryesues i listës nuk bëri më shumë se Romeo Gurakuqi në 2017-ën, këto janë fakte kokëforte dhe jo interpretime, 5 mandate në 2017-ën, po aq edhe në 2021-shin.
Me një shpërndarje gjeografike më të mire të kandidatëve në zonat e Qarkut të Shkodrës, asgjë nuk ndryshoi edhe pse u premtua se Shkodra do t’i sillte 7 mandate Lulzim Bashës.
Por nëse ky i fundit tashmë është nën gijotinë thuajse nga opinion publik në vend, ndoshta edhe në Shkodër duhet një analizë e thellë e ndarjes së përgjegjësive, dështimit të lidershpitit të kësaj force politike, ndërkohë që ato të cilët ishin në ballë të betejës sot duhet ti kërkojnë falje demokratëve të Shkodrës, që ndoshta edhe i tradhtuan!
Nëse sot, të gjithë po kërkojnë argumente për të mbrojtur dështimin e 25 Prillit, nën mburojën e shitjes së votës dhe përfshirjes së krimit në blerje votash, në 30 ditë fushate elektorale askush nuk e denoncoi një fakt të tillë duke mos e llogaritur këtë fenomen që të paktën në Shkodër është prezent që në 2005-ën.
Ishin të qetë deri me 25 Prill, kur ishin ende pa hapur kutitë, madje duke dalë edhe publikisht për ti ftuar shkodranët të bëhen pjesë e fitores së madhe.
Por u duk qartë se llogaritë nuk ishin bërë aspak siç duheshin! Të qetë mbi dafina, kandidatë dhe drejtues të cilët llogarisnin vota me mbi 15 mijë personale, por që në të vërtetë as gjysmën nuk arritën të merrnin, llogari në letër që në praktikë rezultuan krejt e kundërta.
PD e Shkodrës nuk ishte në sinkron, kandidatë dhe subjekt, pa bashkëpunim dhe një ndarje të thellë, e cila edhe nëse ishte para publikimit të emrave të kandidatëve në një PD të ndarë në klane , u thellua edhe më shumë më nisjen e fushatës elektorale. Vetëm e bashkuar nuk ishte PD e Shkodrës!
Megjithatë Shkodra foli, i dha atë çfarë meritonin edhe pse nga drejtuesit e PD rezultati i 25 Prillit konsiderohet “sukses”, por në të vërtetë këto zgjedhje ishin dështimi i radhës i demokratëve të cilët e kanë humbur bastionin e tyre!