TIRANË- Demokratët do të shkojnë të përçarë në zgjedhjet vendore që do të mbahen në 14 maj të vitit 2023, pas dështimit të negociatave mes Gazment Bardhit nga grupi i Alibeajt dhe Edi Palokës nga grupi i Sali Berishës.
Megjithatë të djathtët janë ende të mendimit se në zgjedhje duhet të shkojnë më një kandidat. Dashamir Shehi u shpreh për gazetarët se ato si opozitë duan një kandidat. I pyetur nëse do t’i bashkohet grupit të Alibeajt apo grupit të Berishës, Shehi tha se ato nuk bashkohen me asnjë palë.
‘Ne duam një, mënyrën për ta zgjedhur ta gjejnë. Ne nuk bashkohemi me asnjë pse ça jemi ne dele, me asnjë me veten tonë.’- u shpreh Dashamir Shehi.
Deputetja Demokrate, Dhurata Çupi tha se të gjithë duhet të bëhen bashkë, me qëllimin e vetëm rrëzimin e regjimit të Edi Ramës.
‘Të gjithë bashkë për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës. Të gjithë bashkë me një kandidat. Në vitin 2013 e mbani mend shprehjen të bëhen bashkë të gjithë qelbësirat, ndërsa unë sot bëj thirrje të bëhen bashkë të gjithë zonjat dhe zotërinjtë e këtij vendi për të shpëtuar vendin nga regjimi i Edi Ramës.’- u shpreh Çupi.
Negociatat mes grupit të Berishës dhe grupit të Alibeajt në PD për të dalë me një kandidat në zgjedhjet vendore, dështuan, ndërsa dy grupimet janë më të përçara se kurrë. Grupi i Alibeaj deklaroi se negociatat dështuan pasi pala tjetër kërkoi që të njihej statuti i dhjetorit, pra Sali Berisha si kryetar i PD. Por Berisha në reagimin e tij paralajmëroi se kush prek flamurin e PD i ka bërë llogaritë gabim. Ndërsa negociatori i rithemelimit Edi Paloka tha se grupi i Alibeaj ishte i pasinqertë, pasi gjatë bisedimeve vazhdoi të bashkojë votat me Ramën.