Edhe 11 ditë kanë mbetur nga afati përfundimtar, që Ministria e Financave dhe Ekonomisë u ka dhënë disa qindra vetëve, ish-të përndjekur apo trashëgimtarë të tyre, që duhet të trajtohen me dëmshpërblim. Po rata nuk mund të tërheqin shumat e akorduara në bazë të ligjit për dëmshpërblimin, pasi u mungon llogaria bankare, e cila rezulton të jetë e mbyllur.
Ministria e Financave u kërkon përfituesve të dorëzojnë në Drejtorinë e Pagesave numrin e llogarisë funksionale për të marrë dëmshpërblimin. Lista e mëposhtme emërore është e atyre personave, të cilëve u ka kaluar pagesa në bankë në harkun kohor 2016-2017, por numrat e tyre të llogarisë kanë qenë të mbyllur. Përfituesit duhet të dorëzojnë numra të rinj të llogarive bankare (aktivë) deri më 29 qershor, pra mbeten edhe 11 ditë kalendarike.
Kalimi i dëmshpërblimit tek përfituesit e tij nuk mund të bëhet kur nuk plotësohen disa kushte. Kështu, të gjithë trashëgimtarët e ish-të dënuarve duhet të sigurohen pranë bankës, në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive. Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet, duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme.
Kur kemi ndryshim të identitetit, (emër/mbiemër), apo në rastet kur në çertifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një shkronjë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emri të jetë i njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.
Në rast se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një çertifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të çertifikatës, apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.
( Kliko për listën ) e plotë me emrat e të ish- pëndjekurve