ITALI - Debutimin me Frosinonen e kishte menduar ndryshe, por Alen Sherri nuk mundi ta mbyllte ndeshjen e fituar 0-1 në fushën e Monzës për Kupën e Italisë. Gardiani i Kombëtares u përplas me shokun e tij të skuadrës në minutën e 80-të dhe iu desh të linte stadiumin për të shkuar në spital, kjo pas lëndimeve në fytyrë.
Prej mbrëmjes së djeshme ai iu nënshtrua kontrolleve dhe këtë mëngjes ka lënë spitalin. Te Frosinone, trajneri Masimiliano Alvini u shpreh i shqetësuar për gjendjen e shkodranit.
“Jemi të shqetësuar për Sherrin. Ai ishte në spital dhe duhet të vendosim si do jetë më tej, për një operacion ose jo. Ekipi ia dedikon këtë fitore atij”, tha ai. Frosinone në fund fitoi 0-1 duke kaluar në 1/16 e Kupës së Italisë.
Megjithëse Sherri ka lënë spitalin, ai do vijojë të jetë në kontrollin e mjekëve pasi ka disa fraktura në fytyrë. Te Frosinone e presin sa më shpejt në fushë dhe duket se portieri nuk e ka pasur të nevojshme një ndërhyrje kirurgjikale.
Komente
