Gjatë finales së Botërorit këputi ligamentin, por në asnjë moment nuk e mendoi tërheqjen. Mundësi Chermen Valiev e vijoi ndeshjen kundër rusit edhe pse e dinte që humbja ishte e pashmangshme. Në pah doli shpirti luftarak i sportistit kuqezi, që gjithsesi i siguroi Shqipërisë medaljen e argjendtë.
“Shkova në Botëror me qëllim për të fituar medaljen e artë, por shkoi si shkoi. Këtë herë fitova të argjendtën dhe falenderoj Zotin për këtë. Do të punoj akoma më shumë që herën jetër të jem kampioni i botës për Shqipërinë,”-u shpreh fillimisht mundësi Chermen Valiev.
Valiev, i cili në 2024 nderoi Shqipërinë me medaljen historike në Olimpiadë, e vlerëson arritje edhe medaljen e argjendtë.
“Unë jam falenderues që arrita t’ia dal edhe për të argjendtën. Kam patur mbështetjen e federatës, presidentit dhe të trajnerëve. Krijuan të gjithë kushtet që të luftonim për titullin kampion bote. I siguroj që ata, por edhe shqiptarët, do ti bëj të lumtur me fitoret e mia në garat e ardhshme,”-tha sportisti.
Referuar cilësive dhe forcës së Chermen Valiev opinioni ishte përgatitur për medaljen e arit, por mosarritja e objektivit ka nxjerrë në pah disa aspekte që kanë lënë zhgënjim te Federata Shqiptare e Mundjes.
“Shkojmë në finalen e Botërorit, e humbasim medaljen për shkak të një dëmtimi. Nuk diskutohet fare si arritje. Nuk merr njeri të pyesë për djalin, çfarë ndodhi në finale? Jam shumë i mërzitur me ato gazetarë sportivë, të cilët e duan sportin. Të ketë këtë heshtje edhe nga institucionet sportive…,”-deklaroi presidenti i FSHM-së Sahit Prizreni.
Në ditët në vijim Valiev do t’i nënshtrohet operacionit për ligamentin e këputur, një dëmtim i rëndë që do ti marrë kohë për t’u rikthyer në nivelin e artë që ishte.
“Është hera e parë që pësoj një dëmtim të tillë. Më duhet të operohem dhe të kthehem në gara sa më shpejt të jetë e mundur. Do të bëj të pamundurën për këtë,”-u shpreh Valiev.
Së fundmi federata shqiptare e mundjes ka marrë lajmin e madh për organizimin e Evropianit në Tiranë.
“Një mundësi e jashtëzakonshme për federatën, për Shqipërinë dhe Tiranën. Për vetë djemtë. Evropiani është diçka që shumë shtete e lakmojnë, pasi është një mundësi e mirë për të promovuar vlerat e qytetit dhe traditën në këtë sport. Jam i sigurtë se djemtë tanë do na nderojnë,”-tha Sahit Prizreni.
Kampionati evropian i mundjes do të zhvillohet në Shqipëri nga data 20-26 prill të vitit të ardhshëm.
Komente

Sherim te shpejte kampion!
Përgjigju