Shtylla të vjetra e të dëmtuara shihen kudo përgjatë luginës së Drinos ku shtrihet zona e Cepos në Gjirokastër. Ndërprerja e energjisë është problematikë e vazhdueshme për 3 mijë banorët e 10 fshatrave. Nga luhatjet e tensionit, thanë se, u janë djegur pajisjet elektro-shtëpiake.
“Fiken mo herë pas here, 4-5 orë se kanë defekt. Ditën 3-4 orë, natën i heqin fare. Një komshiu iu dogj soba, frigoriferi. Na digjen këtu linjat, i kanë lidhur keq a ku di unë...”, thanë banorët.
Defektet e shpeshta në dimër vijnë si pasojë e rrjetit të amorituar të shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Ka ditë një orë apo dy orë dhe në raste të tjera gjithë ditën. Dritat janë shumë problem, s'ka tension. Të vijnë t'i rregullojnë sidomos në fshatin Cepunë njëherë se është problem shumë”, thanë banorët.
Jashtë kameras punonjës të OSHEE thanë se linjat e amortizuara janë shkaku i mos furnizimit me energji të këtyre fshatrave ndërsa grupet e punës vijojnë prej ditësh në terren por pa i dhënë zgjidhje përfundimtare.