Një ditë prej ditëve kryeministri e gjeti veten në ara. Ndonëse ideja e kryeministrit ishte që të komunikohej progresi i politikës bujqësore të Kosovës, trupi mediatik ishte i interesuar për dialogun. Dhe kështu, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për dialogun, ai vendosi që ta kthente gjithë ngjarjen në batutë. Ai e përmblodhi këtë ngjarje si në vijim: “Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit”.
Ndonëse e menduar si batutë, kjo karikaturë e kryeministrit kapi bukur thelbin e problemit të procesit integrues të vendit. Sikur batuta e kryeministrit, edhe procesi ynë integrues është bërë batutë. Është bërë cinik. Në fakt, mund themi që nuk ekziston fare. Që nga viti 2016, Kosova nuk ka lëvizur asnjë hap në procesin e saj integrues. Në vitin 2016 Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka hyrë në fuqi dhe që nga ajo kohë nuk kemi bërë asnjë hap formal drejt anëtarësimit në BE.
Arsyeja? – Dialogu. Prej kohësh dialogu ka monopolizuar rrugën integruese të vendit. Kryeministri thoshte se dialogu është prioriteti numër shtatë, por ai përfundoi duke e konsumuar me të pjesën më të madhe të vëmendjes së tij në katër vjetët e fundit, teksa kjo qe pothuajse e vetmja arsyeje për vizitat e tij në qytetin evropian të Brukselit. Nga Brukseli e deri tek arat e Gjilanit, dialogu është bërë temë e vetme dhe kryesore e procesit tonë integrues. Traktoristi ndoshta i ka ikur dialogut duke i dhënë gaz, por kryeministri nuk ka pasur se ku të ikte. Dialogu ka vazhduar të jetë kokëçarja kryesore e tij.
Ky nuk është faji i Kurtit. Ky është fat të cilin e ka pasur çdo kryeministër i kaluar dhe të cilin do ta ketë çdo kryeministër i ardhshëm. Por kjo nuk do të thotë se është e drejtë. Natyrisht që procesi i dialogut është i rëndësishëm, por nuk ka asnjë arsye që ai ta monopolizojë në tërësi agjendën tonë integruese. Ai është vetëm njëri nga 35 kapitujt, të cilët ne duhet t’i negociojmë me Bashkimin Evropian në rrugëtimin tonë integrues. Dhe përderisa dialogu patjetër duhet ta këtë vëmendjen e vet të merituar, pyetja që ngelet është se çfarë po ndodh me 34 kapituj të tjerë?
Pikërisht kësaj pyetjeje jemi munduar t’i përgjigjemi në kuadër të Barometrit të Reformave Evropiane. Barometri është një produkt i shoqërisë civile, i cili synon që ta kthejë vëmendjen e qeverisë, por edhe të publikut, në zbatimin e reformave strukturore evropiane në të gjithë kapitujt e BE-së. Barometri e arrin këtë përmes një metodologjie unike, e cila bën një vlerësim holistik dhe kompleks të punës së qeverisë në zbatimin e reformave evropiane. Kësisoj barometri e kthen vëmendjen e institucioneve, por edhe të publikut nga dialogu me Serbinë tek reformat e administratës publike të sistemit arsimor apo atij shëndetësor.
Ky është viti i dytë që publikohet Barometri i Reformave Evropiane. Edicioni i dytë konfirmon një trend të qartë – reformat evropiane janë duke u zbatuar me një konsistencë të vazhdueshme, por të ngadaltë. Vitin e kaluar qeveria si tërësi ka fituar 51 pikë nga totali prej 100 pikëve. Këtë vit ajo fitoi pothuaj të njëjtat pikë. Në përgjithësi mund të thuhet se ministritë janë duke bërë përpjekjeje për avancimin e reformave evropiane, por këto përpjekje janë duke u ballafaquar me tri pengesa strukturore.
E para, sfondi politik është duke e penguar ndërmarrjen e reformave evropiane. Reformat evropiane nuk janë të lehta. Ato kërkojnë kohë. Kjo nënkupton që edhe kur ndryshojnë qeveritë, spektri politik duhet të tregojë konsensus dhe vazhdimësi në ndërmarrjen e reformave evropiane të nisura nga qeveritë paraprake. Thënë ndryshe, kjo nënkupton që pushteti dhe opozita nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në ndërmarrjen e reformave evropiane, por do ta mbajnë procesin integrues jashtë betejave ditore politike. Në këtë kontekst fatkeqësisht jemi dëshmitarë se ekziston prej kohësh një polarizim i madh në mes të pushtetit dhe opozitës, gjë që në vetvete është duke e sabotuar procesin integrues në tërësi. Për shembull, kur LVV-ja ishte në opozitë, ajo e refuzoi ratifikimin e MSA-së ndërmjet Kosovës e BE-së. Opozita e sotme e ktheu këtë kurtuazi të LVV-së me mosvotimin e disa ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të rëndësishme për procesin integrues.
Së dyti, përpjekjet e institucioneve tona për ndërmarrjen e reformave evropiane pengohen nga mungesa e kapaciteteve administrative. Çfarë dua të them me këtë është se administrata jonë publike nuk është ende e gatshme për të bartur peshën burokratike të procesit integrues. Shërbimi publik i Kosovës është relativisht i ri dhe ende nuk është krijuar një traditë institucionale, e cila e vendos meritokracinë dhe profesionalizmin në epiqendrën e saj. Dhe, ndonëse procesi ynë integrues kërkon që shkollat tona publike të jenë në nivelin e shkollave publike në Luksemburg apo Çeki, ne ende ngelim të fundit në botë për nga cilësia e arsimit. Ky krahasim ndoshta në një sens i vrazhdë e pasqyron bukur sfidën që shërbimi publik i Kosovës ka para vetes në procesin integrues.
Së fundi, përpjekjet e institucioneve tona për ndërmarrjen e reformave evropiane vuajnë nga mungesa e buxhetit. Buxheti i Kosovës në vitin 2024 ka qenë pak mbi 3 miliardë euro. Afro një miliard ka shkuar në paga dhe mëditje, dhe një miliard tjera në subvencione e transfere. Kësisoj, afro një miliard euro ka ngelur për investime kapitale. Kjo shumë nuk mjafton për të financuar asnjë reformë serioze afatgjate evropiane. Kësisoj institucionet tona ballafaqohen me zgjedhjet e vështira për të alokuar një buxhet tejet të vogël në mes prioriteteve të shumta që kemi në rrugën tonë integruese.
Në fund duhet thënë se këto pengesa nuk janë vetëm karakteristikë për Kosovën. Të gjitha vendet e rajonit ballafaqohen me këto pengesa, në një shkallë ose tjetrën. Sidoqoftë, ajo çfarë në veçanti e pengon rrugën tonë integruese është monopolizimi i rrugës integruese nga dialogu me Serbinë. Përmes publikimit të Barometrit të Reformave Evropiane, shoqëria civile po bën përpjekje që të kthehet vëmendja e akterëve kryesorë nga dialogu drejt reformave evropiane, por shoqëria civile ka një fuqi të kufizuar për të bërë këtë korrigjim kursi. Rolin kryesor këtu e ka Bashkimi Evropian. Dhe në këtë drejtim BE-ja ka përgjegjësi që të bëjë një balancim më të drejtë në mes të rrugës sonë integruese dhe dialogut me Serbinë.
Ne jemi i vetmi vend që nuk kemi lëvizur asnjë hap në dhjetë vjetët e fundit drejt anëtarësimit në BE. Bosnja ka lëvizur. Mali i Zi ka lëvizur. Maqedonia e Veriut ka lëvizur. Shqipëria ka lëvizur. Madje edhe Serbia ka lëvizur. Vetëm ne kemi ngelur në vend. Tani e dhjetë vjet procesi integrues i Kosovës ka qenë në autopilot. Është koha për ndryshim kursi./Koha
Komente
