Çdo fuqi e madhe dikur arrin në një udhëkryq të njëjtë çfarë të bëjë kur koha e saj perëndon? Të pajtohet me fatin dhe të gjejë një sens të ri brenda botës së re ku e gjen veten, apo të rezistojë dhe të luftojë? Britania dikur i komandonte të gjitha oqeanet e botës dhe e projektonte perandorinë e saj në të gjitha kontinentet. Ekonomia e saj ishte themel i tregtisë botërore. Por dikur e gjithë kjo ndryshoi.
Vendin e saj e zuri një shtet i ri SHBA-ja. Por britanikët shumë shpejt gjetën një rol të ri për vete në këtë botë të re amerikane. Këtë shteg e ndoqën edhe fuqitë e tjera të dikurshme, sikur Franca dhe Gjermania. Vendimet e tyre që të jetojnë në harmoni me botën e re amerikane u siguruan paqe dhe prosperitet të paprecedent. Por nganjëherë tranzicionet e tilla dinë të jenë edhe të dhunshme.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, liderë të Japonisë debatuan se cili është kursi më i mirë për perandorinë japoneze. Të rreshtohet me SHBA-në apo ta kundërshtojë atë. Ministri i Jashtëm i Japonisë, Yosuke Matsuoka, ishte i mendimit se afrimi i Japonisë me SHBA-në mund ndodhte vetëm mbi bazën e kushteve që do të diktoheshin nga SHBA-ja. Gjenerali Hideki Tojo foli për të gjithë kur konkludoi se kjo do ta nënkuptonte kthimin e Japonisë në “Japoninë e vogël”.
Për lidershipin japonez, kjo ishte e papranueshme, madje edhe me koston e luftës. Historia na tregoi se refuzimi japonez për ta integruar veten në botën amerikane ishte gabim strategjik, të cilin e pagoi shtrenjtë. U deshën dy bomba atomike që Japonia të kuptojë se bota e re do t’ia ofrojë asaj një të ardhme të ndritshme.
Sot Rusia, nën Putinin, e gjen veten në të njëjtin udhëkryq çfarë të bëjë tani kur koha e saj ka perënduar? Rusia duket që e ka zgjedhur shtegun e Perandorisë Japoneze dhe synon që t’i rezistojë hegjemonisë amerikane me qëllim që ta ruajë sferën e saj të influencës në Evropë. Ajo mund të besojë se 500 vjet histori në Evropën Lindore i japin asaj të drejtë hyjnore për ta kontrolluar këtë pjesë të botës.
Por problemi me të cilin Rusia ballafaqohet është se njohja e një sfere të influencës nga pjesa tjetër e botës nuk është subjekt i historisë, traditës, trashëgimisë apo gjeografisë. Ajo është subjekt i fuqisë ushtarake, politike dhe ekonomike. Me fjalë të tjera, Rusisë nuk i “takon” asgjë nëse ajo nuk ka kapacitet për të marrë atë. Kjo nuk vlen vetëm për Rusinë, por për çdo akter në skenën ndërkombëtare. Në momentin kur SHBA-ja nuk do të jetë më e aftë që ta projektojë fuqinë në Azi, ajo sferë e influencës do të uzurpohet nga Kina. Në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nuk kanë qenë të afta t’i ruajnë oqeanet dhe kontinentet e globit, atë vend e ka zënë SHBA-ja.
Dhe sot, problemi i Rusisë nuk është vetëm se ajo nuk ka fuqi ushtarake për ta imponuar sferën e saj të influencës. Problemi i saj është se nuk e ka asnjë formë fuqie, përfshirë fuqinë ideologjike. Të paktën gjatë Luftës së Ftohtë, komunizmi i Bashkimit Sovjetik pretendonte se ofronte parajsën në tokë. Por pas rënies së Murit të Berlinit, Moska nuk qe e aftë të ofronte më as ideologji, as siguri, as prosperitet për fqinjët e saj. Ajo mund të ofronte vetëm nacionalizëm dhe botën ruse, ndërsa evropianët lindorë, kuptohet, nuk kishin asnjë interes që ta sakrifikonin veten për çmenduritë ruse. Kjo është edhe arsyeja përse ata filluan të kërkojnë zgjidhje të tjera. E zgjidhja tjetër ishte vetevidente: Shtetet e Bashkuara dhe aleanca perëndimore, thjesht duke ekzistuar, thjesht duke qenë të pasura, të fuqishme dhe demokratike, ofruan një zgjedhje të shkëlqyer për vendet e Evropës Lindore.
Fjala “hegjemoni” ka marrë një konotacion të gabuar në ditët e sotme. Shpesh ajo përzihet me “imperializmin”. Por të dyja janë tërësisht të ndryshme. Imperializmi është një qëllim dhe përpjekje aktive e një shteti për t’i detyruar shtetet tjera t’i nënshtrohen vullnetit të tij. Hegjemonia nuk është qëllim, ajo është fakt – është gjendje. Një vend i fuqishëm ushtarakisht, ekonomikisht dhe kulturalisht patjetër që ushtron ndikim te shtetet e tjera, thjesht nga vetë ekzistenca e saj.
Kësisoj, ndonëse SHBA-ja asnjëherë nuk projektoi në mënyrë agresive ndikimin e vet në Evropë, rënia e Bashkimit Sovjetik krijoi kushte ku vendet e BRSS-së u tërhoqën nga vetë ekzistenca e SHBA-së, u tërhoqën nga vetë ideja e lirisë dhe e prosperitetit perëndimor. Kësisoj, hegjemonia amerikane në Evropë ishte më shumë pasojë e gjendjes faktike të fuqisë amerikane sesa rezultat i një përpjekjeje aktive imperialiste amerikane. Kështu ishte dikur me BRSS-në gjatë Luftës së Ftohtë, kështu është sot me Rusinë dhe luftën e nxehtë në Ukrainë.
Sido që të jetë, ndonëse Kremlini vazhdon ta imagjinojë SHBA-në si burimin kyç të problemeve të veta, burimi i vërtetë i problemeve të Moskës ngelin kufizimet reale ideologjike, ushtarake dhe ekonomike të Kremlinit për të imponuar vetën si fuqi globale me sferën e vet të ndikimit. Thënë ndryshe, Rusia ende nuk ka pranuar se e ka humbur garën me perëndimin./Koha
Komente
