Përpara se të gjuhej arma e parë në Ukrainë, konsensusi i përgjithshëm për epilogun ishte i qartë: Kievi do të bjerë dhe Rusia do të fitojë shumë shpejt. Rusia ishte aq e bindur për një pushtim të shpejtë të Kievit, saqë trupat e tyre u pajisën me uniforma ceremoniale dhe flamuj festiv, ndërsa ceremonia e "paradës së fitores" ishte planifikuar menjëherë në sheshin kryesor të Kievit.
Aq e sigurt ishte FSB-ja për një fitore të shpejtë, saqë kishin bërë edhe plane të detajuara për ndarjen e apartamenteve luksoze për strehimin e udhëheqjes ushtarake ruse në Kiev. Edhe vetë SHBA-ja dyshoi në aftësinë e Ukrainës për të rezistuar. Në vend të municionit për të rezistuar, ata i ofruan presidentit Zelensky një biletë për të ikur nga vendi. E gjithë Evropa qëndroi në pezull për të parë se kush do të ishte viktima e ardhshme e Putinit, pasi rënia e Ukrainës ishte një përfundim i paramenduar.
Ky skenar i zymtë i së ardhmes nuk ishte vetëm monopoli i kancelarive perëndimore. Para pushtimit rus të Ukrainës, por edhe më pas, diskursi intelektual perëndimor ishte i bindur se Ukraina do të shembet shumë shpejt. "Nëse Rusia përdor aftësitë e saj të plota konvencionale, ato do të shkaktojnë dëme masive në një periudhë shumë të shkurtër kohore.
Ata mund të shkatërrojnë ushtrinë ukrainase në një kohë shumë të shkurtër, brenda 30-40 minutave të para të luftimeve", raportoi " New York Times”. “Armët perëndimore nuk do ta ndihmojnë Ukrainën”, ishte titulli i shkrimit të autorëve të njohur në “Foreign Policy”. "Nëse Rusia vendos të pushtojë Ukrainën, sulmi i saj do të jetë shumë frontal. Sulmet kibernetike dhe aktet e sabotimit do të synojnë infrastrukturën ekonomike dhe të komunikimit. Agjentët sekretë do të lëshojnë kaos në rrugë ndërsa protestat shpërthejnë në të gjithë vendin.
Udhëheqësit e Ukrainës do të jenë vrarë”, parashikoi artikulli në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër. “Forcat ushtarake ruse – duke përfshirë elementë të Armëve të Kombinuara të 41-të dhe Divizionit të Motorizuar të Gardës 144 – do të përmbysin forcat ukrainase dhe do të pushtojnë Kievin brenda disa orësh”, ishte vlerësimi i autorëve të njohur brenda CSIS. "The Economist" arriti në përfundimin se "mungesa e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe cilësia e dobët e ushtrisë së saj do të thotë që Rusia mund të hyjë në Kiev aq shpejt sa forcat amerikane të arrijnë në Bagdad". Rob Lee, një nga ekspertët më të mirë të forcave ruse, vlerësoi se "ushtria ruse mund të çorientojë ushtrinë dhe shoqërinë ukrainase aq shpejt sa konflikti në thelb do të përfundojë brenda një dite".
Por historia mori një rrjedhë tjetër. Zelensky qëndroi në Kiev dhe Ukraina rezistoi. Dhe jo vetëm që rezistoi, por mori përsëri gjysmën e territorit që Rusia kishte pushtuar fillimisht. Aq e suksesshme ishte rezistenca ushtarake e Ukrainës, saqë e detyroi Putinin të kërcënonte Perëndimin me armë bërthamore për të parandaluar kolapsin dhe poshtërimin e plotë të ushtrisë ruse.
Në gjithë këtë sfond sot lind pyetja pse vlerësimet perëndimore për kapacitetin social dhe ushtarak të Ukrainës për t'i rezistuar Rusisë ishin kaq të gabuara? Studimi i fundit i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington u përpoq të jepte këtë përgjigje. Në të, të dy autorët kanë shqyrtuar 181 studime, analiza dhe shkrime nga burime prestigjioze perëndimore për të kuptuar arsyet e dështimit analitik perëndimor për të vlerësuar më saktë dinamikën që karakterizoi konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Përfundimet e tyre përshkruajnë një histori mbivlerësimi të forcave ruse dhe nënvlerësimit të forcave ukrainase.
Shembulli konkret është mbivlerësimi i forcave ajrore ruse. Pothuajse çdo analizë perëndimore i ka dhënë nota të larta forcave ajrore ruse dhe kapacitetit të saj për të dominuar ajrin, duke shkatërruar aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe duke i hapur kështu rrugën një fitoreje të lehtë ruse. Por ajo që ndodhi në realitet është se forcat ajrore ruse treguan paaftësi të thellë luftarake.
Mungesa e efektivitetit të forcave ajrore u shoqërua gjithashtu me planifikim tejet të dobët logjistik. E gjithë kjo shkaktoi telashe të mëdha për forcat tokësore, të cilat tani pa mbulim ajror dhe pa mbështetje logjistike, ishin objektiva të lehta për forcat e lëvizshme ukrainase që kishin avantazhin e njohjes me terrenin dhe motivimin për të mbrojtur tokën e tyre. Paaftësia e forcave ajrore nuk ishte përjashtim. Ajo ishte në rregull. E njëjta gjë u përsërit edhe gjatë betejës në det. Forcat ukrainase poshtëruan forcat detare ruse në Detin e Zi dhe siguruan korridorin detar për eksportet e tyre.
Nga ana tjetër, diskursi intelektual perëndimor nënvlerësoi vazhdimisht kapacitetin e shoqërisë ukrainase për t'i rezistuar pushtimit rus. Në analizën e tyre ata pikturuan një Ukrainë pa identitet, një shtet të korruptuar, gjysmë të dështuar dhe të ndarë midis Ukrainës lindore (me shumicë ruse) dhe Ukrainës perëndimore (me shumicë ukrainase). Përfundimi logjik ishte kolapsi i shpejtë i rezistencës politike dhe ushtarake. Por një analizë e tillë e papërpunuar nuk ishte në përputhje me realitetin.
Qëndrueshmëria e identitetit ukrainas dhe vitaliteti i demokracisë ukrainase iu demonstrua mbarë botës gjatë revolucionit të Maidanit. Refuzimi për t'u dorëzuar pavarësisht pushtimit të Donbasit dhe Krimesë ishte një tjetër dëshmi e unitetit dhe vendosmërisë së shoqërisë ukrainase. Reformat ushtarake të Ukrainës u injoruan në mënyrë të ngjashme. U injorua se për dhjetë vjet tashmë ushtria ukrainase ka grumbulluar përvojë të jashtëzakonshme luftarake nga ballafaqimi me forcat ruse në Donbas dhe Krime.
Gjithashtu u injoruan reformat që u imponuan pas betejës së Ilovaisk në gusht 2014. Që atëherë, shteti ukrainas ka mobilizuar shoqërinë ukrainase, ka transformuar strukturën e komandës dhe kontrollit ushtarak, ka zgjeruar forcat speciale dhe ka lejuar formimin e batalioneve vullnetare. Kjo u pasua nga një dyfishim i aftësive të artilerisë në vitin 2019 duke e bërë Ukrainën forcën e dytë më të madhe të artilerisë në Evropë. U blenë tanke të reja dhe u modernizuan T-64 dhe T-64B. Paralelisht, Ukraina krijoi një shkollë ushtarake të artilerisë antitank dhe u furnizua gjerësisht me sisteme antitank si Stugna-P dhe Korsar. Sistemet e radios dhe radarëve u modernizuan në një shkallë të gjerë, kryesisht bazuar në përvojën e luftimeve në Donbas, duke lejuar tani identifikimin e forcave armike në një distancë deri në 400 kilometra. Paralelisht me gjithë këtë ka avancuar bashkëpunimi me NATO-n.
E gjithë kjo u shpërfill kryesisht nga diskursi intelektual perëndimor. Pasojat e kësaj për politikëbërjen perëndimore ishin tragjike. Pamja e padrejtë dhe e përhapur e Ukrainës si një vend i paaftë për t'i rezistuar Rusisë i ka penguar kancelaritë perëndimore nga një mbështetje më e fortë ushtarake për Ukrainën.
Sikur të ishte bërë një vlerësim më i drejtë dhe më real i kapacitetit politik dhe ushtarak të Ukrainës, aleatët e Ukrainës do të ishin më të përgatitur për të mbështetur Ukrainën me armë përpara pushtimit rus të Ukrainës. Këtë e pranoi edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, i cili tha se “vazhdoj të besoj se nëse do ta kishim furnizuar Ukrainën me më shumë armë pas vitit 2014, do të kishim parandaluar pushtimin e fundit rus të Ukrainës”.
Gabimet në vlerësimin e dinamikës që karakterizoi - dhe vazhdon të karakterizojë konfliktin ruso-ukrainas - nuk ishin të qëllimshme. Ato ishin rezultat i një shkolle të mendimit intelektual që karakterizoi shekullin e 20-të. Ajo shkollë mendimi dikur e vendosi Bashkimin Sovjetik - dhe sot Rusinë - në piedestalin e fuqive të mëdha. Miti i Ushtrisë së Kuqe vazhdon ende. Konflikti i fundit ruso-ukrainas e ka sfiduar për herë të parë këtë mit dhe si i tillë ka tronditur rrënjësisht të vërtetat e supozuara perëndimore.
E gjithë kjo ka një mësim për rajonin tonë, por edhe për ne si shtet. Një lumë shkrimesh është derdhur për të analizuar dialogun Kosovë-Serbi. Janë kaluar orë të pafundme debati publik. Zgjedhjet serbe duhet të lejohen, zgjedhjet serbe nuk duhet të lejohen. Taksa 100% duhet vendosur, taksa 100% nuk duhet vendosur. Dinari duhet lejuar, dinari nuk duhet lejuar.
Dhe kështu pa fund. Por asnjëherë deri më sot nuk kemi pasur një analizë thelbësore në komunitetin akademik apo shoqërinë civile të vlerësimeve publike për dialogun Kosovë-Serbi. Një sipërmarrje e tillë do të pasuronte debatin tonë publik dhe do të nxirrte mësime të vlefshme për të ardhmen. Siç thotë shprehja e vjetër, nuk është problem të bësh një gabim, është problem të mos mësosh prej tij.
Heshtni te tane. Po flet strategu global Demush Shasha. Se c'lidhje ka lufta ne Donbas me Veriun e Kosoves, vec Demushi e din. Mos po don me i xan vendin ministresesh Rugova o Demush, qe po e promovon vedin si analist ne shtypin e Tiranes?
PërgjigjuIshte drejt DAKORTESISE Ukraina, por e mori ne qafe Xhonson, ne 2022. Eshte nje bote e tere qe po lufton kunder rusit, dhe spo ja del. E mos harro, po luftoj e 2 ushtri sovjetike me njera tjetren, se te ishte per ndonje ve d tjeter e sidomos keta jankit qe kane ligjeru pederastine ne ushtri, e kishte fshi macja pi...ken
PërgjigjuRusia po ben lufte kundra te gjithe vendeve perendimore dhe jo kundra Ukraines sepse po te ishte ashtu ajo lufte nuk do te zgjaste as nje muaj , amerikanet dhe aleatet e tyre kane investuar miliarda dollare si ne arme dhe ne ndihma te tjera deri te burimi njerezor dhe perseri rezultati eshte qe po e humbin ate lufte si ishte parashikuar nga specialiste ushtarake dhe jo nga servilat dhe mediat qe flasin cfare ju diktojne te flasin. Me ane te nje propagande te paprecedente e moret ne qafe Ukrainen duke ju bere atyre te besonin qe Rusia mund te mposhtej ne fushen e betejes gje qe rezultoj te ishte fatale per ate komb te gjore dhe me e keqja eshte se akoma vazhdojne te mashtrojne gjoja ka akoma mundesi te nje fitoreje te Ukraines
PërgjigjuUKRAINA DO TA FITOI LUFTEN DONI APO NUK DONI JU QE JENI I DASHURUAR ME KRIMINEL PUTININ