Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian është dashur të shërbejë si “plumbi i argjendtë” për zgjidhjen e sfidave të procesit të zgjerimit. Pasi që procesi i zgjerimit ngeli i bllokuar me dekada, pushtimi rus i Ukrainës krijoi momentum të ri. Këtë momentum, BE-ja synoi ta shfrytëzojë përmes Planit të Rritjes.
Ideja ishte që vullneti i ri politik brenda BE-së të mbështetet me 6 miliardë euro, të cilat do të shërbenin për të kthyer fjalimet e bukura në reformat thelbësore dhe kështu do të afronte rajonin me BE. Kësisoj, vetë presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, tha: “Plani i Rritjes është përshpejtuesi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane - është një element thelbësor për të përshpejtuar dhe thelluar integrimin me BE-në”.
Së paku ky ishte plani. Por sikur në fjalët e bukura të Mike Tysonit: “Çdokush e ka një plan derisa nuk e ha një boks fytyrës”, kësisoj edhe për BE-në realiteti doli diçka tjetër.
Në këtë drejtim, rasti i Serbisë, si vendi më i madh i rajonit, është shembull i mirë i sfidave të Planit të Rritjes të BE-së. Kur BE-ja i miratoi fondet për Serbinë nga Plani i Rritjes, ajo foli në superlativ për reformat në Serbi. Në mes tjerash, konkludoi se “Serbia synon vazhdimisht të përmirësojë sistemin zgjedhor për të forcuar besimin në institucionet demokratike, ta bëjë procesin më gjithëpërfshirës dhe transparent, si dhe të përdorë kuadrin ligjor si një mjet për të arritur këtë qëllim...Lidhur me lirinë e shprehjes, Serbia mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor që do të çonte në një përmirësim të prekshëm në fushën e lirisë së shprehjes... Serbia ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit. Serbia e kupton plotësisht nevojën për të siguruar planifikim dhe rregullim gjithëpërfshirës dhe sistematik të proceseve antikorrupsion”.
Po, paralelisht me këtë botë të Brukselit, në Beograd realiteti ishte krejtësisht ndryshe. Pas tragjedisë së Novi-Sadit, Qeveria bëri çdo gjë në fuqinë e saj për ta fshehur korrupsionin që qëndronte prapa kësaj tragjedie. Asnjë vendimmarrës i nivelit të lartë politik nuk u arrestua. Protestave paqësore, ajo iu përgjigj me dhunë dhe kërcënime. Rektorët, studentët dhe aktivistët u arrestuan dhe u sulmuan fizikisht. Ata u quajtën terroristë dhe organizatorë të “revolucionit” të mbështetur nga agjenturat perëndimore.
Disa protestues u shtypën me vetura gjatë protestave, ndërsa dhuna fizike ndaj protestuesve u bë përditshmëri. Kulminacioni i dhunës u arrit në mars të këtij viti, kur pushteti përdori top zanor ndaj 300 mijë protestuesve me qëllim të krijimit të trazirave masive publike. E gjithë kjo e shtyri komisionerin evropian për të drejtat e njeriut të deklarojë se është “i shqetësuar për situatën aktuale të të drejtave të njeriut në Serbi, ku, pavarësisht garancive që mora nga autoritetet gjatë vizitës sime në prill, po përdoret forcë e tepruar për të frenuar demonstratat”.
Po të njëjtën ditë, “Amnesty Intenational” reagoi duke thënë se “pamjet e policisë serbe që shënjestrojnë pa dallim protestuesit paqësorë janë alarmante. Ka pasur arrestime të shumta dhe akuza për përdorim të tepruar dhe të paligjshëm të forcës kundër studentëve protestues”.
Por gjatë gjithë kësaj kohe, BE-ja ngeli e heshtur. Ajo ngeli e heshtur, sepse e vendosi veten në një pozitë të palakmueshme. Në një pozitë dobësie. Ajo kishte deklaruar se Plani i Rritjes do të jetë sukses spektakolar. Ajo deshi patjetër që Plani i Rritjes të jetë sukses spektakolar. Kësisoj, vetë presidentja Von der Leyen deklaroi se ishte e “impresionuar nga puna e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në agjendat e tyre reformuese. Kjo tregon se ata janë të përkushtuar ndaj suksesit të Planit të Rritjes”.
Ndonëse ajo kishte qëllime fisnike, plani i saj u shpërbë pa filluar mirë zbatimin. Ai dështoi, sepse u ndërtua mbi themelet e gabuara. Themeli i tij ishte supozimi se vetëm paratë do të mjaftojnë që pushteti i Vuçiqit të bëhet më demokratik dhe më i drejtë. Por kjo ishte shpresë naive. Kësisoj, ky episod i fundit i rolit të BE-së në rajonin tonë na shërben si përkujtim i asaj thënieje të vjetër se: “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”./Koha
Komente
