Donald Trump

Opinion

Demush Shasha: Testi i Trumpit në Lindjen e Mesme

26 Qershor, 20:40
  • Share

Për dekada të tëra, Republika Islamike e ka ndërtuar doktrinën e saj ushtarake mbi tri shtylla kryesore. Së pari, krijimi i një rrjeti të satelitëve apo aleatëve ushtarakë në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo detyrë nuk iu besua ushtrisë së rregullt iraniane, por Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, pra ushtrisë ideologjike të regjimit. Irani ka punuar për dekada të tëra për të shfrytëzuar kaosin në vendet fqinje për të radikalizuar, rekrutuar dhe mobilizuar shtetas të huaj në grupe të organizuara të armatosura besnike ndaj udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Duke pasur parasysh natyrën islamiste shiite të teokracisë së Iranit, Irani ka synuar kryesisht komunitetet shiite në të gjithë rajonin. Krijimi i Hezbollahut në Liban në vitin 1982 u bë shembull më i mirë i kësaj strategjie iraniane ajo që do të njihej si “Hezbollahizim” i rajonit. Por njëkohësisht regjimi nuk kufizoi potencialin e vet bazuar në konsiderata fetare. Në këtë sens ai u tregua jashtëzakonisht praktik. Ai shfrytëzoi ndjenjat antiperëndimore dhe antisemite të rajonit për të ngritur aleancat edhe me grupet islamike sunite si Hamasi, Talibanët dhe Al-Qaeda. Kjo strategji, e mbështetur me miliarda dollarë fonde për armë dhe trajnime, i lejoi regjimit të krijonte një rrjet serioz ushtarak në Lindjen e Mesme.

Shtylla e dytë e doktrinës ushtarake të Iranit ishte zhvillimi i programit të avancuar të raketave balistike dhe dronëve. Motivimi kryesor për zhvillimin e një aftësie serioze të raketave balistike erdhi si pasojë e mësimeve nga lufta me Irakun dhe qëndrimit armiqësor ndaj Izraelit. Duke mos pasur ekspertizë në zhvillimin e programeve të tilla Irani vendosi që të çimentojë marrëdhëniet e veta me Korenë e Veriut, Rusinë, Sirinë dhe Libinë. Pas krijimit të suksesshëm të programit raketor, Irani zhvilloi edhe një industri të avancuar të dronëve gjë që kemi parë së fundi në Ukrainë. 

Programi i armëve bërthamore qëndron si shtylla e tretë dhe ndoshta më ambicioze e doktrinës ushtarake të Iranit. Qëllimet e saj asnjëherë nuk kanë qenë civile, kjo është edhe arsyeja përse udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei anashkaloi autoritetet civile për zhvillimin e programit bërthamor dhe në vend të kësaj përgjegjësinë për mbikëqyrje dhe kontroll të drejtpërdrejtë të programit i delegoi krahut ushtarak.

Është në fakt vet Khamenei i cili ka deklaruar se “Izraeli duhet të shfaroset nga faqja e dheut”. Dhe këto nuk ishin vetëm retorikë politike, në praktikë Irani ka shkuar shumë larg përtej zhvillimit të kapaciteteve bërthamore për qëllime civile. Sot Irani posedon rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel prej 60% gjë që është tri herë më shumë se çfarë kërkohet për qëllime civile dhe vetëm 30% larg kufirit për krijimin e armës bërthamore. Kjo bëhet edhe më alarmante kur marrim parasysh që Irani në vazhdimësi ka refuzuar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare e Energjisë Atomike. E gjithë kjo është arsyeja përse komuniteti perëndimor nuk konsideron programin bërthamor të Iranit si program beninj.

Këto tre shtylla të doktrinës iraniane nuk u ndërtuan për qëllime mbrojtjeje. Qëllimi i tyre ishte avancimi agresiv i ideologjisë së Republikës Islamike, ndër të cilat kryesorja ngelet shkatërrimi i Izraelit. Dhe deri në sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit 2023, kjo strategji dukej se funksiononte për Iranin. Irani e kishte rrethuar me sukses Izraelin me satelitët e vet ushtarak dhe kishte krijuar një urë tokësore që lidhte Libanin me Iranin, duke siguruar një rrjedhë të vazhdueshme armësh dhe furnizimesh për satelitët e vet. Kjo i lejoi Teheranit një hapësirë të madhe në përhapjen e raketave dhe dronëve të tij në të gjithë rajonin. Po ashtu duke mësuar nga pushtimi rus i Ukrainës Teherani intensifikoj programin e vet bërthamor. 

Por sulmi i 7 tetorit dhe përgjigja e Izraelit vendosi në lëvizje një serë ngjarjesh të cilat ndryshuan rrënjësisht peizazhin strategjik. Fillimisht Izraeli asgjësoj shtyllën e parë të doktrinës ushtarake të Iranit duke eliminuar udhëheqësit dhe kapacitetet e Hamasit dhe Hezbollahut. Rënia e Bashar al-Assad në Siri ndërpreu korridorin tokësor dhe dëmtoj edhe më tej aftësinë e Iranit për të furnizuar satelitët e tij ushtarak. Dëmtimi i pozicionit të Iranit ndryshoi edhe kalkulusin e Houthis-ve dhe sateliteve të tjerë iranian.

Ngjarjet e fundit shfaqen edhe dobësinë e shtyllës së dytë të doktrinës iraniane – të programit të tyre raketor. Ndonëse Irani ka arritur ta zhvillojë ndjeshëm në kuptimin sasiorë industrinë raketore, zhvillimet e fundit treguan se programi vuan ndjeshëm nga mungesa e cilësisë. Shkalla e suksesit të sulmeve iraniane kundër caqeve në Izrael ishte vetëm 6%. Për më tutje superioriteti ajror dhe avantazhi i inteligjencës së Izraelit i lejuan atij të sulmonte drejtpërdrejt infrastrukturën e raketave balistike të Iranit. Kjo përfshin shkatërrimin e lansuesve të fiksuar të raketave, depot e magazinimit, fabrikat e prodhimit dhe ndërprerjen e strukturës komanduese. Kështu Izraeli degradoi ndjeshëm edhe shtyllën e dytë të doktrinës iraniane. 

Ndonëse është ende herët për të bërë vlerësimin e dëmtimit të shtyllës së tretë të doktrinës iraniane – atë të programit bërthamor – duket që edhe ajo është degraduar ndjeshëm në kuadër të sulmeve të fundit amerikano-izraelite. Në Natanz në objektin kryesor të pasurimit të uraniumit sulmet izraelite shkaktuan dëme të konsiderueshme, duke përfshirë nënstacionin elektrik dhe instalacionin e pasurimit të karburantit. Sulmet pasuese të SHBA-së degraduan asetet nëntokësore. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka vlerësuar se asetet nëntokësore të pasurimit ka të ngjarë të jenë “të dëmtuara rëndë apo të shkatërruara tërësisht”. Fatin e ngjashëm e ka përjetuar edhe objekti në Fordoë dhe Isfahan. Përveç shkatërrimit të infrastrukturës Izraeli eliminoj po ashtu shkencëtarët dhe ushtarakë kyçë të përfshirë në programin bërthamor iranian. 

Sidoqoftë, këto janë vlerësime preliminare. Vetëm koha do të dëshmojë shkallën e vërtetë të degradimit të programit bërthamor iranian. Por ajo që patjetër mund të konkludojmë është se për 12 ditë Izraeli dhe SHBA-të dëshmuan fragjilitetin e regjimit iranian. Sot çdo mendje liberale i gëzohet këtij epilogu. Ajo çfarë ngelet tani është që suksesi taktik e ushtarak të shndërrohet në fitore strategjike politike. Tani Trumpi duhet të bind Iranin se ka një të ardhme më prosperuese në aleancë me komunitetin perëndimor. Ky do të jetë testi i vërtetë i presidencës Trump në Lindjen e Mesme. Thënë ndryshe të bombardosh Iranin është pjesa e lehtë, të bësh për vete është pjesa e vështirë./Koha

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    NATO miraton rritjen e shpenzimeve me 5% për mbrojtjen, si e vlerësoni?