Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit ka zbuluar se deri më tani 34,287 fermerë kanë marrë fondet nga skema kombëtare për bujqësinë. Denaj tha se ka pasur 71 mijë aplikime dhe se deri në fund të vitit të gjithë fermerëve do t’u disbursohen fondet.
“Dy fjalë për disbursimin e skemës kombëtare, i cili ka nisur intensivisht prej fundit të muajit Korrik, dhe sot që flasim jemi në masën 28% të disbursimit të fondeve direkte tek fermerët. Deri më sot, janë paguar 34,287 fermerë. Vijon procesi i pagesave dhe kontrollit administrativ për masën e naftës e cila ka numrin më të lartë të aplikimeve prej 71,000 fermerë. Vijojmë me verifikimin e plotë të procedurave dhe deri në fund të vitit do të mundësohet disbursimi i plotë.
Interesi i lartë i aplikimeve për mbështetje në skemën kombëtare sigurisht tregon qartazi se sektori bujqësor nuk është më vetëm një prioritet i qeverisë por është një mundësi e jashtëzakonshme për qytetarët dhe fermerët të cilët po e shohim atë si një të ardhmen të qëndrueshme ekonomike dhe sociale”, tha Denaj.
Ministrja Denaj deklaroi sot se përmes Aktit Normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit për vitin 2024 sigurohet një mbështetje shtesë prej 500 milionë lekësh për fermerët.
“Janë 500 milionë lekë shtesë në programin “Zhvillimi rural” që do të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë nëpërmjet Skemës Kombëtare për Investime. Është një mundësi për të gjithë fermerët dhe blegtorët shqiptare të cilët me skemën e re të mbështetjes/grand për investime, do të realizojnë rritjen e prodhimit, agropërpunimit si edhe rritjen e eksporteve”, tha Denaj.
Ministrja iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, teksa theksoi se përgjatë 7 muajve janar-korrik, eksportet janë rritur me 22 % drejt vendeve të Bashkimit Europian”, tha ajo.
Lajmi kryesor:
Ndryshon për herë të dytë buxheti i shtetit, 76 vota pro në Kuvend! Ministri: Mbështesim bujqësinë e infrastrukturën! Tabaku: Kthejini paratë profesionistëve të lirë
SI.E./ReportTv.al