Denaj: Pezullohen tenderët që nuk janë për sektorë kyç! Negociata për afatet e koncensionarëve (INTERVISTA)

15 Prill 2020, 14:18| Përditesimi: 15 Prill 2020, 14:25

  • Share

Intervista e plotë në Report Tv e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj

Zonja Denaj, në gjykimin tuaj çfarë është e rëndësishme në paketën e dytë financiare?

                Paketa e dytë është një zgjerim i paketës së parë, me të njëjtin fokus tek individët, të cilët përfitojnë në këtë paketë të dytë zgjerimi një shumë prej 40 mijë lekësh dhe e klasifikuar jo vetëm për biznesin e vogël, por edhe për biznesin e madh, sigurisht duke futur në analizë të gjitha bizneset që kanë pasur një afektim dhe jo vetëm janë mbyllur. Në fakt, edhe kryeministri e përmendi qartë që numri total i përfituesve është 176 mijë persona dhe është i ndarë në disa kategori, duke filluar nga biznesi i vogël, ai që nuk është mbyllur por është afektuar. Janë rreth 100 mijë persona që do të marrin një shumë prej 40 mijë lekësh individualisht.

Më parë, besoj që të gjithë jemi të qartë që në paketën e parë u adresuan bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë, të mbyllura me urdhrin e ministres së Shëndetësisë. Tashmë, në këtë paketë zgjerimi, në fashën e bizneseve të vogla futen edhe ato që nuk janë mbyllur, por janë afektuar sepse nuk kanë pasur klientelë dhe diferencë është vlefta. Nëse te paketa e parë kanë qenë paga në mënyrë të drejtpërdrejtë, ajo që quhet paga e luftës, në këtë pjesë të dytë të zgjeruar të paketës për bizneset që kanë qenë të hapura por të afektuara është menduar një shumë prej 40 mijë lekësh që paguhet një herë dhe do të paguhet brenda muajit prill.

Përtej grupit të parë janë edhe dy grupe të tjera. Grupi i dytë ka të bëjë me grupin e biznesit të madh. E parë edhe në kuadër të diskutimeve me biznesin dhe kërkesat e tij, biznesi i madh është adresuar në tri forma në këtë paketë. Së pari, është adresuar për të paktën 40 mijë persona që marrin që marrin shumën prej 40 mijë lekësh nga biznese të cilat nuk janë të mbyllura, por janë të afektuara. Janë 6 mijë persona të cilët vijnë nga biznese që janë të mbyllura, me xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë. Janë edhe 20 mijë persona të cilët sot nuk janë te pjsa e personave të cilët janë të papunë, por janë te bizneset e mëdha, të cilat janë të afektuara. Ky grup, prej rreth 66 mijë personash, i takon numrit të personave të cilët janë të punësuar në biznesin e madh. Edhe në paketën e parë kemi folur që biznesin e madh e kemi adresuar me një instrument likuiditeti nëpërmjet skemës së garancisë, që edhe në skemën e dytë të zgjeruar ka mbështetje, pasi nuk është vetëm skema e parë e garancisë që ofrohet, është edhe skema e garancisë për likuiditet.

Sigurisht ka edhe një element të tretë që vjen në ndihmë të individëve dhe që është pjesa e individëve të përfshirë në sektorin e turizmit. Janë 10 mijë persona, të cilët janë të punësuar sot në sektorin e turizmit dhe në mënyrë që të gjithë këta persona të mos jenë të detyruar të largohen nga industria e turizmit, është menduar që edhe këta të marrin një vlerë prej 40 mijë lekësh, meqenëse edhe turizmi në këtë periudhë kohe është i afektuar ë mënyrë të drejtpërdrejtë.

Si është zgjidhur çështja e bizneseve, të cilat kanë kredi të buta. A është e qartë kjo lloj mënyre se si do të funksionojnë dhe a përfitojnë?

                Fondi i garancisë sot me firmosjen me bankat është efektiv për t’u përdorur për pjesën e likuiditetit të pagesave, nga dita e sotme e në vijim, është një fond që është i shprehur qartazi në Vendimin e Këshillit të Ministrave se deri në çfarë mase do të përdoret. Pra, për çdo biznes i cili ka nevojë likuiditeti për pagat, do të marrë deri në tre muaj paga, por për një klasifikim në raport me pagën deri në maksimumin e 150 mijë lekëve. Pra, edhe këtu kemi synuar që të shkohet te nevoja për likuiditet aty ku pagesa e individëve me nevoja të menjëhershme është e adresuar. Sigurisht çdo bankë, dhe janë të dymbëdhjetë bankat pjesë e kësaj marrëveshjeje, ka politikat e saj të lëshimit të kredidhënies. Në mënyrë absolute, kur një produkt financiar mbështetet me një garanci sovrane, banka që nuk ka nevojë të kërkojë më garanci, as hipotekë, as kolateral të lëvizshëm, mbështet garancinë sovrane si kolateralin e saj që i jep mundësi të japë kredi për të gjitha bizneset. Kuptohet që në asnjë mënyrë ne nuk do të hynim në politikat e brendshme të bankës nëse banka gjykon që një klient, i cili është i klasifikuar si klient i keq, që është në procedura përmbarimore dhe nuk mund të përfitojë, atëherë nuk ka për të përfituar. Kjo është një politikë e bankës.

Mund të jetë një numër i madh biznesesh me të tilla probleme, që mund të dalin nga skema?

                Kemi marrë disa informacione nga sistemi bankar përpara se të vendosnim edhe shumën. Unë mendoj që nuk mund të adresonim të gjitha nevojat në paketën e parë, por besoj që adresojmë shumë nevoja me paketën e parë. Paketa e dytë është edhe më e zgjeruar, jo vetëm në aspektin e shumës sepse është më e madhe, është 15 miliardë lekë dhe është njëkohësisht në kontekstin e ndarjes së kredisë mund të rritet në varësi të asaj shume që vendosin bankat për ta ekuilibruar riskun. Pra, mund të shkojë edhe dyfish në qoftë se bankat janë të gatshme të hyjnë në këtë modalitet ndarjeje risku. Por deri në 15 miliardë është garancia sovrane. E theksoj edhe një herë që politikat e bankës për të dhënë kredi nuk do të divergjonin në mënyrë drastike në raport me klientin, i cili sipas gjykimit të bankës është një klient që për vite ka treguar mungesë menaxhimi fondesh dhe mungesë vullneti. Megjithatë është politikë e bankës. Ne themi që ka një numër shumë të madh biznesesh të rregullta, që mund të kenë disa ditë vonesë, por duke qenë se janë klientë në marrëdhënie të përditshme me bankën, me qarkullimin edhe të llogarive në mënyrë ditore, edhe të pagave dhe të borderove, sigurisht që janë të aksesueshëm në këtë fond likuiditeti. Dhe duke qenë se është një fond garancie, i cili preket në momentin që banka vendos të ezaurojë të gjitha instrumentet e saj edhe të elementit të ristrukturimit, ka një garanci më të madhe banka për të qenë më fleksibël.

Nga biznesi i madh kemi rreth 40 mijë të papunë. A mund të flasim me shifra se çfarë na shkaktoi deri tani Covid-19?

                Sigurisht që është ndërmarrë një vëzhgim i kujdesshëm i të gjitha aktiviteteve që duhet të hapen gradualisht dhe që gjatë periudhës deri në fund të muajit maj, duke monitoruar edhe situatën në aspektin e shëndetësisë dhe të lëvizjeve edhe në rajone të këtyre treguesve, do të mundësojë që edhe grupi teknik që do të fillojë të zgjerojë aktivitetet e biznesit që do të jenë në vështrimin e tyre më të hapur për të ushtruar aktivitetin, deri në fund të majit mund të themi se do të jetë 100%, 80% apo 50%. Kjo është çdo javë, nuk mund ta themi sot. Ka një disponibilitet që ta shikojmë këtë dhe të jetë e hapur, por gjithsesi duke ruajtur ata parametra të rëndësishëm në fushën e shëndetësisë. Nëse kjo situatë shkon drejt kësaj zgjidhjeje dhe këtij ekuilibri, absolutisht edhe efekti që do të ketë në uljen e numrit të punonjësve do të jetë më i reduktuar. Është shumë e vështirë që të parashikojmë sa do të jetë ky efekt, pasi edhe sikur bizneset të hapen, do të jetë e vështirë të themi se ato nuk do të kenë nevojë për të riformatuar numrin e punonjësve të tyre sepse kanë parashikuar një ulje të xhiros edhe përtej hapjes. Ne sot flasim për një numër të papunësh, që e marrim nga regjistrat e administratës tatimore, i cili shkon në atë shifrën prej rreth 50 mijë të papunësh dhe që mund të rritet në vijim. Por, të gjitha këto masa që po marrim janë masa për të parandaluar daljen në tregun e papunësisë dhe në mënyrë të tillë që ato biznese që kanë mundësi të mbajnë punonjës në punë sepse mendojnë që për dy-tre muaj do t’u duhet ky numër punonjësish për të riorganizuar biznesin e tyre, të kenë të aksesueshëm edhe fondin e garancisë për këtë qëllim, që të mos kenë obligimin për t’i larguar në tregun e të papunëve. Sigurisht që ne po punojmë paralelisht edhe me pjesën e personave të cilët janë duke u regjistruar në regjistrat tanë te Zyrat e Punës, në dy aspekte. E para, për të parë se çfarë profilesh kanë këta persona, dhe e dyta, çfarë trajnimesh mund të japim, sepse siç e dini, ministria jonë ka përgjegjësinë edhe të kurseve profesionale, në mënyrë që të ketë një transformim në kohë të shkurtër që ata persona me kurs të përshtatshëm, të mund të jenë të gatshëm për një industri tjetër, e cila mundet që gjatë këtij viti të ketë nevojë për fuqi punëtore. Është një proces me shumë variabla që ne sigurisht, çdo javë dhe çdo muaj do t’i bëjmë me dije.

Kjo pagë prej 40 mijë lekësh, për sa kohë do të jetë në dispozicion?

                Pagesa është për vetëm një herë dhe do të fillojë të jepet prej datës 20 prill, duke zbardhur të gjitha aktet nënligjore që bëjnë të mundur që administrata tatimore ta ekekutojë këtë pagesë. Më herët ne kemi anoncuar pagesën e luftës, e cila është duke u paguar çdo ditë që flasim, duke shkuar deri në fund të prillit për pagën e prillit. Ndërkohë, në momentin që në datën 20 prill fillojmë të paguajmë shumën prej 40 mijë lekësh, për 176 mijë persona, ajo është një herë pagesë. Nuk paguhet e gjitha në një datë dhe ne mendojmë që nga data 20 prill e deri në fund të prillit kjo pagesë do të jetë e vlefshme për të gjithë ata persona, të cilëve u takon që ta marrin këtë pagesë.

Sa është shifra e personave që kanë humbur punën si pasojë e kësaj situate?

                Kjo shifër shkon në nivelin e 40 mijë personave, të cilët janë duke përfituar këtë pagesë. Ndërkohë, çështja më e rëndësishme që po diskutohet sot edhe me biznesin është ajo sesi do të menaxhojmë çështjen e papunësisë me riformatimin e aktivitetit ekonomik për bizneset dhe kryesisht për bizneset e mëdha. Edhe bizneset e vogla kanë ngërçe, pavarësisht nga ndihmat që kanë marrë nga të dyja paketat. Është absolutisht e padiskutueshme që ky vit do të jetë ku edhe buxheti i shtetit, edhe bizneset do të shikojnë madhësinë e afektimit dhe të kësaj krize. Unë nuk jam ende në pozitën për të thënë sesa do të shkojë papunësia deri në fund të vitit. Ne synojmë që kjo të jetë sa më e reduktuar, por sigurisht që nuk mund të përjashtohet që të rritet. I vetmi obligim dhe e vetmja përgjegjësi, e cila na çon përpara reduktimit sa më të madh të këtij numri të papunësisë është në dy aspekte. E para, për të mbështetur biznesin e madh qoftë edhe me ata elementë shumë të rëndësishëm të likuiditetit siç ishte riskedulimi i pagesave të kësteve të kredisë apo i tatim fitimit apo i garancisë bankare, që duken në pamje të parë sikur nuk janë ndihma të drejtpërdrejta. Por ato janë ndihma indirekte, të cilat ndihmojnë që likuiditetin ta riorganizojnë në një formë tjetër për këtë periudhë që është ende e paqartë sesi do të ridimensionohet. Absolutisht kjo është një krizë që do të ketë pasoja për biznesin edhe për vitin që vjen, por ne duhet të shikojmë që ta menaxhojmë sot, me sa më pak kosto, sidomos për pjesën e personave që duhet të jenë të organizuar në tregun e punës më shumë sesa në tregun e papunësisë. Por do ta shikojmë shkallë-shkallë.

Ka kritika se nuk po jepen aq para sa duhen për të shpëtuar biznesin. Janë bërë edhe përllogaritje se sa para presim ne që të marrim nga organizmat financiare ndërkombëtare. Çfarë mund të na thoni?

                Më duhet të sqaroj për të gjithë publikun dhe jam e gatshme që ta sqaroj në mënyrë të vazhdueshme që, çdo mbështetje me hua të marrë nga FMN-ja, nga BE-ja apo të marrë nga tregu i brendshëm, është një mbështetje për të realizuar mbështetjen e deficitit buxhetor, të cilin që me aktin normativ të muajit mars ne e dyfishuam. Pra, në terma më të thjeshta për t’u kuptuar nga publiku, ne kishim një nivel deficiti ose diference midis të ardhurave dhe shpenzimeve në nivelin A, ne e dyfishuam këtë pasi, sigurisht, kemi shtuar shpenzimet dhe janë ulur të ardhurat. Ka një rishikim të dytë buxheti, i cili është parashikuar që në herën e parë, në rastin kur ky skenar i zgjatjes së pandemisë dhe i efekteve të saj edhe në ekonomi do të ishte më i zgjatur, ku edhe rritja ekonomike do të ishte akoma edhe më e reduktuar sesa ajo që kishim parashikuar prej 2% në muajin mars. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ky dyfishim i deficitit buxhetor të bërë në mars, do të shkonte duke u rritur. Çdo diferencë e deficitit do të ketë nevojë për mbështetje financiare në kushtet kur edhe të ardhurat e buxhetit të shtetit, për arsye të shtyrjes së tatim fitimit, të uljes së xhiros dhe rrjedhimisht edhe të TVSH-së, do të sillnin një negativitet në të ardhurat e buxhetit të shtetit dhe do të kërkonte një mbështetje të padiskutueshme buxhetore. Kjo nuk mund të përkthehet që ne po marrim kredi dhe përse këtë kredi nuk po e çojmë te shtresat në nevojë sepse këtë ne jemi duke e bërë sot, pikërisht me këto masa. Kjo shtesë masash, që është sot prej 7 miliardë lekësh plus shtesën e shpenzimeve prej 12 miliardë lekësh, është marrë nga buxheti i shtetit si shpenzim, duke e thelluar deficitin buxhetor. Pra nuk mund të shikohet në formën që po marrim kaq lekë dhe do të çohen në këtë masë. Ajo shikohet si mbështetje e të gjithë diferencës që krijohet në buxhetin e shtetit, i cili do të rritë deficitin buxhetor përtej atij të marsit sepse të ardhurat e buxhetit të shtetit, edhe për shkak të masave të marra së fundi, do të ulen, do të reduktohen. Absolutisht mbështetja që do të jetë e drejtpërdrejtë, ajo e BE-së në raport me tërmetin, ajo e BE-së në raport me shëndetësinë për Covid-19 apo ajo e Bankës Botërore drejtpërdrejt në raport me shëndetësinë, siç është shuma prej 20 miliardë lekësh që ne sapo e firmosëm si kërkesë për t’ia adresuar Bankës Botërore, janë të dedikuara drejtpërdret për këta sektorë. Por janë ende për t’u negocuar, për t’u vendosur vlerat dhe për t’u adresuar në momentin që do të vijnë.

Në këtë lloj situate, a do të shkojmë drejt prekjes së rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë?

                Ne e kemi parë këtë si një element të fundit, që për momentin nuk duket një skenar i mundshëm, me kushtet aktuale. Edhe një herë, nëse situata e paqëndrueshmërisë në aspekt me elementët që vijnë nga sektori i shëndetësisë, apo mbyllja e bizneseve dhe ndikimi në ekonomi do të jetë më i gjatë sesa muaji maj, do të bëjmë skenarin e tretë negativ. Por me skenarin e dytë negativ ne nuk shkojmë te kjo prekje sepse ka mënyra të tjera, të cilat jemi duke i ezauruar, për të mbështetur deficitin buxhetor, siç janë të gjitha kreditë që përmenda pak më parë, hyrja në tregun e brendshëm me likuiditetet që ekzistojnë në tregun e brendshëm, që fatmirësisht ne i gëzojmë këto instrumente sepse mund të ketë vende që nuk e kanë këtë situatë të tregut financiar të brendshëm. Kemi eurobondin. Jemi ende duke u përgatitur dhe nëse nuk shkojmë në maj, mund të shkojmë në qershor dhe nëse nuk mund të shkojmë në qershor do të shkojmë në shtator, sepse pjesën e 250 milionë eurove e kemi për të paguar në tetor, përtej nevojës prej 600 milionë eurosh që është parashikuar. Pra ne po ecim hap pas hapi me këto instrumente përpara se të shkojmë te prekja e rezervës. Asnjëherë në këto kushte, asnjë ministër nuk do të ishte në pozitën për të thënë që “jo, nuk do të ndodhë”, por kjo jo në skenarin e dytë negativ, por vetëm nëse të gjitha kushtet dhe parametrat e thëna pak më parë do të përkeqësoheshin edhe më tej.

Është e vërtetë që janë kufizuar pagesat nga Thesari për kontratat që janë pak të vjetra?

                Faktikisht para se të lidhesha me ju, po shikoja çështjen e likuiditetit për pagesat. Ne kemi një metodologji përcaktimi sesi bëhen pagesat, të cilat janë kush hyn i pari, paguhet i pari, nga ana e kontabilitetit dhe në momentin që flasim, asnjë vonesë e muajit mars nuk do të materializohet përtej ditës së sotme. Ndërkohë jemi futur, pas pagesave të pagave te pagesat e muajit prill. Është vetëm radhë, por nuk është çështje likuiditeti.

Tenderat janë pezulluar. Sa kohë do të zgjasë kjo?

                Sikurse çdo periudhë është duke u monitoruar ditë pas dite dhe javë pas jave, janë duke u monitoruar edhe tenderat ose procedurat e tenderave, të cilët nëse situata do të përshkallëzohej dhe ky investim do të ishte në fazën e dytë në gjashtëmujorin e dytë të vitit i riskeduluar në nivel të tavaneve buxhetore, atëherë nuk ka përse të vazhdojë një procedurë tenderi nëse buxheti do ta riskedulonte. Bëhet fjalë për ato procedura që nuk janë kyçe për zhvillimin e këtij viti. Sigurisht kjo nuk do të thotë që tavanet buxhetore sot janë të ulura. Sot me aktin normativ, tavanet buxhetore nuk janë të ulura. Ato do të ulen në momentin e rishikimit të buxhetit në fazën e dytë dhe aty, nëse ka shpenzime që këtë vit nuk i shikojmë të rëndësishme për t’u realizuar, do të shkojnë për vitin e ardhshëm. Kjo, gjithsesi, nuk do të pengonte likuiditetin në ekonomi, pasi nëse ne themi që duam një rritje ekonomike të moderuar, edhe pse ka diskutime nëse kjo do të jetë 2% apo 1,5% apo do të jetë në recesion, qëllimi i qeverisë është që të mos pengojë likuiditetin dhe oksigjenin në ekonomi, që vjen nëpërmjet shpenzimeve buxhetore. Dhe derisa ne parashikojmë ende një rritje ekonomike, sado të vogël, pozitive, ne nuk mund ta pengojmë një gjë të tillë. Por, masim hap pas hapi çdo tender, i cili duhet të jetë prioritet i këtij viti.

Do të ndërpriten edhe tendera të mëdhenj?

                Më duhet të sqaroj dy elementë. Kur flasim për procedura tenderash, flasim për procedura tenderash që nisin tani dhe kanë një vit të tërë përpara për t’u përfunduar. Ndërkohë, ajo që ndoshta ju u referoheni, janë marrëdhëniet kontraktuale që janë lidhur në vitet e mëparshme. Unë jam shumë e kujdesshme që të mos vendos se cilët janë parametrat e prerjes, pa hyrë në marrëdhëniet me palët, sepse çdo ndërprerje marrëdhëniesh kontraktuale është një kosto shtesë për buxhetin e shtetit nëse pala tjetër nuk bie dakord. Prandaj kjo është një marrëdhënie e zgjeruar bashkëpunimi mes të gjitha autoriteteve kontraktore me kontratat që ato kanë. Po marr si shembull pjesën e check up-it. Check up-i është një marrëdhënie kontraktuale e rakorduar me kompaninë e cila e realizon atë dhe autoritetin kontraktor sepse në këta 6 muaj që u ra dakord, këta 6 muaj nuk do të faturohen këtë vit meqenëse puna është pezulluar, por do të shtyhet kontrata në vitet e mëtejshme. Pra kjo prekje, sigurisht e rakorduar mes një kontrate mes dy palëve, do të bëhet efektive dhe është bërë efektive për disa kontrata, por aty ku ka sens, aty ku një produkt nuk ka nevojë të bllokohet sepse ka nevojë që të vazhdojë dhe të punojë, atëherë nuk ka nevojë pse të pengohet. Ne nuk jemi ende në kushtet e një shkurtimi drastik të Thesarit apo të buxhetit. Nëse kjo do të ndodhë, do të ndodhë patjetër vetëm me rishikim të aktit normativ për 6-mujorin e dytë, nëse situata do të përshkallëzohet. Asnjë nuk e parashikon dot sot. Ne do të jemi në fund të majit duke bërë llogaritë dhe duke thënë nëse jemi në kushtet që do të përshkallëzojmë një ulje drastike të shpenzimeve apo jo.

Çfarë mund të themi për borxhin publik?

                E përmenda edhe më lart dhe në këtë aspekt ne kemi folur edhe me FMN-në. Ju e dini që politika makrofiskale e viteve të fundit ka qenë një politikë prudente për të ulur borxhin publik, për të ulur parametrat fiskalë. Por në kushtet ku ndodhet Shqipëria pas dy goditjeve, sepse përveç Covid-19 ne vijmë edhe pas goditjes së tërmetit të 26 nëntorit, FMN-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë qenë shumë të hapur që deficiti të rritet, që borxhi të rritet, por me një premtim, me një vëmendje që në vitet e mëvonshme dhe në kuadrin makrofiskal të tre viteve të shikohet kthimi në parametrat e mëparshëm, duke presupozuar që kjo situatë do të jetë jo e zgjatur përtej këtij viti.

Turizmi është një industri e rëndësishme për vendin tonë. A do të ketë ai prioritet në vijim? Cila do të jetë kostoja si pasojë e kësaj situate?

                Sigurisht që turizmi është një nga sektorët kyç të zhvillimit të ekonomisë së vendit tonë. Jo pa qëllim, edhe në paketën e zgjeruar kishte dy elementë shumë të rëndësishëm që u vendosën në fokus, jo vetëm shtyrja e tatim fitimit, por edhe mbajtja e 10 mijë punonjësve me pagën prej 40 mijë lekësh, që të ketë mundësi biznesi të akomodojë likuiditetin. Absolutisht ai trend pozitiv i rritur i viteve të shkuara, me numrin e turistëve që vinin nga vende të tjera, këtë vit nuk do të ndihet. Por unë shpresoj që edhe pse i reduktuar, niveli i xhiros në sektorin e turizmit, nëse situata pas muajit maj fillon dhe zgjerohet, të ketë një rritje të konsumit nëpërmjet shqiptarëve dhe pavarësisht se kjo do të jetë shumë e reduktuar sesa kostot që do të paguanin personat që do të vinin në një periudhë më të mirë, më optimiste, dhe kuptohet që këtë vit të gjithë do ta kursejnë shpenzimin e pushimeve ose do ta reduktojnë atë përgjysmë, nuk do ta çojnë domosdoshmërisht në zero. Dhe në këtë qarkullim ne mendojmë që shqiptarët për shqiptarët do të kenë mundësi ta mbajnë turizmin përtej strategjive afatshkurtra dhe afatmesme që po punohet me Ministrinë e Turizmit, me ministrat dhe me kryeministrin, për ta adresuar nevojën post Covid-19.

A do të preket koncensioni i skanimit të doganës?

                Ne po bëjmë çdo tratativë për të negocuar me të gjitha palët dhe jo vetëm me një koncensionar, pra me të gjithë koncensionarët, me të cilët në mënyrë të vazhdueshme e kemi parë negocimin si palë jo vetëm nga kërkesat aktuale, por edhe nga kërkesat e mëparshme, për çështje çmimi, për çështje frekuence dhe përdorimi. Nuk bën përjashtim as kjo kontratë, por është pjesë e një subjekti negocimi mes palëve, që të mos ekspozohemi në kontrata të mëtejshme dhe në probleme të mëtejshme. Unë shpresoj që të gjithë koncensionarët të jenë të hapur dhe të ridimensionojnë marrëdhënien në këtë kontratë me shtetin, në këtë moment, për dy arsye. E para, sepse është një situatë ku të gjithë duhet të reflektojmë sesi të mbështesim dhe jo vetëm të krijojmë pozitë të qëndrueshme në bazë të një kontrate legale, por edhe aty ku ka sens, kur nuk ka një qarkullim të njëjtë si më përpara, të kenë mundësinë që të jenë të hapur për të negocuar. Asnjëherë ne nuk do të shkonim për të thyer rregullat juridike, por është një thirrje për të gjithë koncensionarët që aty ku kanë hapësira, të ulet, të flasin me ne dhe të kemi mundësi që ta kalojmë të gjithë bashkë këtë situatë, për ndihmë të biznesit dhe jo të qeverisë.

A e dimë sesa është dëmi deri tani dhe si mund ta përballojmë në të ardhmen?

                Situta nuk mund të jetë e qartë për sa kohë nuk kemi bërë të gjitha kalkulimet në të gjithë sektorët e biznesit. Ndërkohë ka diskutime strategjike për sektorë të veçantë, siç është ai i turizmit, për sektorin e industrisë përpunuese dhe prodhuese në vend, kryesisht atë ushqimore, qoftë edhe për industrinë fasone e cila është mjaft e goditur, ka qenë edhe më përpara dhe tani është akoma më shumë. Kjo është pjesë e asaj që ne duam ta quajmë paketa e rimëkëmbjes ekonomike, të cilën, me të gjitha grupet e interesit po e diskutojmë. Është ministrja e Mbrojtjes sipërmarrëse, është ministri koordinues i të gjithë kësaj pakete z. Ahmetaj, është vetë kryeministri, të cilët së bashku edhe me ekipet teknike të ministrisë sonë janë duke menduar për një ringritje ekonomike post Covid-19, e cila akoma më shumë bën sens në Shqipëri edhe pas situatës së tërmetit, që edhe turizmin e ka goditur dy herë në zonat Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Por kjo do të bëhet e ditur në momentin kur të gjitha shifrat, kalkulimet dhe mundësitë e projeksionit t’i kemi më të qarta, besoj brenda muajit qershor.

Te pagesa prej 40 mijë lekësh, a janë përllogaritur sigurimet shoqërore dhe shëndetësore?

                Kjo nuk është pagë, nuk është as pagë minimale. Kjo është një pagesë ndihme, me të cilën secili mund të vendosë që, nëse do, brenda të gjitha rregullave të marrëdhënies me Institutin e Sigurimeve Shoqërore, të paguajë mbi një bazë minimale, në mënyrë të vullnetshme kontributin, duhet ta bëjë shtesë, por jo nga kjo pjesë.            

 

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?