Denigrimi në rrjetet sociale, shqetësim serioz për shoqërinë! Eksperti i IT: Videot të raportohen në platformë! Psikologia: Askush s’është imun

6 Janar, 21:47| Përditesimi: 6 Janar, 21:56

  • Share

Bullizimi dhe denigrimi në rrjetet sociale në jo pak raste ka rezultuar fatal për njerëzit, ku rasti më i fundit është vetëvrasja e 41 vjeçares në Sukth të Durrësit, një ngjarje komplekse ku hetimet zbuluan se krahas talljes në Tik Tok gruaja ka pasur edhe dhunë psikologjike nga bashkëshorti.

Sipas psikologëve askush nuk është imun ndaj bullizimit, ndërsa referuar rastit të nënës së 4 fëmijëve në Sukth thonë se e ndiera ka qenë e ngarkuar emocionalisht  për shkak të profilit fals të hapur me foton e saj dhe denigrimit që i bëhej.

 “Askush nuk është imun ndaj ngacmimeve edhe bullizmit kibernetik. Edhe personat që perceptohet se janë imun ndaj rrjeteve dhe postimeve sociale, padyshim që ndihen keq nga ngacmimet apo bullizimet sociale. Kur flasim për persona që e kanë ushqim të përditshëm rrjetet sociale, imagjinoni një grua që nuk është kaq shumë aktive në rrjetet sociale dhe e sheh veten përballë një komuniteti që e stigmatizon, e ndjen veten absolutisht vetëm. Ne i vëmë etiketa njerëzve aq më tepër në këto komunitetet e vogla. Kjo e shumëfishon e amplifikon ngarkesën emocionale. Aq më tepër nëse i shtojmë problematikat bashkëshortore, apo vështirësitë financiare, se një familje me katër fëmijë, dy prindër që punojnë nuk është e lehtë”, tha Valbona Treska, psikologe.

Nga ana tjetër për të parandaluar bullizmin në rrjetet sociale, ekspertët e IT-së tregojnë për Report Tv sesi mund të mbyllen profilet false që hapen në mënyrë dashakeqe dhe të qëllimshme.

 “Së pari duhet të drejtohet te personat që marrin vesh nga rrjetet sociale. Ku të japin këto këshillat sesi duhet ta raportosh, hapat që duhet të ndiqen. Pra ajo video mund të raportohet direkt tek platformat përkatëse. Më pas nëse platforma nuk merr masa, mundet që të kalojë në seanca të tjera, siç është për shembull denoncimi i krimit kibernetik që mund të bëhet tek policia e shtetit, ose tek platforma i Sigurtë.al”, tha Said Dulevic, ekspert IT.

Sipas Dulevic për të shmangur rastet e bullizmit nuk është zgjidhje mbyllja e platformës së Tik Tok, por duhet sensibilizim i qytetarëve.

“Ne duhet të marrim masa, rinia është futur në një vorbull informacioni fake, informacioni shumë i shpejtë ku mund ti bësh dëm dikujt edhe nuk të kap as ligji, asgjë. Kjo duhet të ndryshojë. Duhet të vendosen disa filtra nga shteti që mos të postosh dot video dhe gjëra të kësaj natyre. Duhen marrë disa masa ku ndoshta duhet të shkojnë disa persona në burg që të kuptohet se nuk është argëtuese ku ti  të tallesh dhe të denigrosh figurën e dikujt tjetër”, tha Dulevic.

Ekspertët e IT thonë se mbyllja e adresave false kërkon shumë kohë, ndaj ata u bëjnë thirrje qytetarëve të denoncojnë në mënyrë të vazhdueshme pranë institucioneve përkatëse dhe mos të mjaftohen vetëm me një kallëzim.  

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?