Dënimet e 'Disiplinës' pas dhunës në ndeshjen kundër Bylysit, reagon klubi i Tiranës: Shuplakë e rëndë për komunitetin e futbollit

26 Maj 2023, 18:29| Përditesimi: 26 Maj 2023, 18:32

  • Share

Pas dënimeve që Komisioni i Disiplinës mori ndaj KF Tiranës për dhunën e ushtruar në ndeshjen me Bylysin, ka ardhur edhe reagimi i parë i klubit.

Goldi Halili, vajza e presidentit të klubit të Tiranës Refik Halili, njëkohësisht edhe zyrtare e klubit që merret me pjesën e marketingut i ka konsideruar vendimet e Komisionit të Disiplinës si një shuplakë të rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin.

"Ndeshja KF Tirana-FK Bylis, pati një përfundim të trishtueshëm për të gjithë komunitetin bardheblu. Kjo ndeshje e cila u mbyll nga një episod tepër flagrant, siç ishte edhe ajo penallti e akorduar për miqtë në fundin e takimit, arriti të provokonte në limite tifozerinë e klubit tonë.

Një tifozeri e cila ka qenë shembull e qytetarisë në mbështetje të skuadrës së zemrës në të gjithë historinë e klubit tonë. Kjo ngjarje nuk prek vetëm tifozët e Tiranës apo dashamirësit e saj. Kjo është një shuplakë e rëndë ndaj komunitetit të futbollit në mbarë vendin. Futbolli luhet për tifozët dhe KF Tirana ka tifozerinë e saj, e cila jeton çdo ditë me skuadrën futbollit.

Ngjarja e ndeshjes së fundit na kthen shumë vite pas, vite ku futbolli ynë kishte fusha sportive të amortizuara, arbitra të kontestuar për gjykimet e tyre dhe shumë hallka të tjera të cilat na privonin për ato hapa madhorë drejt futbollit profesionist ku ne kemi aspiruar gjithnjë.

Ne sot kemi stadiume moderne të rikonstruktuara, të tjera pritet të ndërtohen, ndër to edhe shtëpia bardheblu, “Selman Stërmasi”. Sapo kemi pritur një finale europiane, kemi sisteme VAR, po sjellim risi në futbollin shqiptar si dhe po transferojmë elementë të talentuar drejt klubeve më të afirmuar të Europës"- thotë Halili në reagimin e bërë.


Lajmi kryesor:

Dhunuan arbitrat në ndeshjen me Bylisin/ Disiplina 'masakron' Tiranën, e përgjysmuar për finalen e sezonit! 2 vite pezullim një futbollisti për pështymën


B.V/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?