Mbledhja e Këshillit Serb të Sigurisë Kombëtare u njoftua pasi Aleksandër Vuçiç tha se Serbia nuk kishte qenë në situatë më të vështirë që nga viti 2008, deklaratë e dhënë pas shpalljes së vendimit që dënon presidentin e Republikës Serbe në Bosnje, Milorad Dodik, me 1 vit burg dhe largim nga politika për 6 vjet. Në deklaratën pas mbledhjes, Vuçiç tha se të gjitha institucionet shtetërore serbe janë të detyruara, sipas këtij rakordimi në Këshillin e Sigurisë, që të kenë të njëjtin qëndrim dhe shtoi se Serbia nuk e pranon vendimin e gjykatës për Dodik.
"Ne e dënojmë fuqimisht vendimin kundër Presidentit Milorad Dodik me një vit burg dhe ndalim të angazhimit në politikë, për mungesë respekti ndaj Christian Šmit. Këto vendime janë thellësisht imorale dhe shkelin parimet themelore, nga e drejta e lirisë së shprehjes deri te e drejta e sovranitetit dhe integritetit, dhe shkelin Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjen e Dejtonit. Prandaj, Serbia nuk i pranon vendimet e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës",- tha Vuçiç.
Vuçiç nuk e përmendi BE në argumentet e tij, por, njësoj si Milorad Dodik një ditë më parë, tha se vendimi ishte i ndikuar politikisht. Lideri i serbëve të Bosnjës një ditë më parë përmendi Komisioneren e BE për Zgjerimin, Marta Kos, për vendimin dhe akuzoi Evropën për ndërhyrje.
"Mund ta keni vënë re se si ai vendim ishte përgatitur politikisht me presion të jashtëzakonshëm nga aktorë të ndryshëm politikë. Aq sa partitë në Sarajevë kërcënuan të dilnin në demonstrata nëse vendimi nuk do të ishte bindës. Këtë e bënë edhe përfaqësues të partisë së Ministrit të Punëve të Jashtme të BiH. Ata që flasin për sundimin e ligjit dhe pastaj e përcaktojnë vendimin bazuar në numrin e demonstruesve që do të kryejnë",- tha presidenti serb.
Në deklaratën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Vuçiç tha se aty u diskutua edhe për Kosovën, e cila shkon në zgjedhje lokale në muajin tetor. Sipas presidentit serb, Albin Kurti, kreu në detyrë i qeverisë në Kosovë, do të diskreditojë Listën Serbe përpara procesit elektoral.
Komente
