Shtetet e Bashkuara e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili është dënuar me 26 vjet burgim për krime lufte. Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali', ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale, më 16 dhjetor, është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.
“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme”, ka thënë Price në një komunikatë për media.
Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000. Edhe ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale, Alex Whiting, e ka mirëpritur vendimin ndaj Mustafës.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, u dënua dje nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Prokuroria pati thënë se "faji i vetëm" i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike, etiketuar si bashkëpunëtorë dhe spiunë që punojnë për armikun, sepse nuk e kanë përkrahur mjaftueshëm UÇK-në. Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Për çfarë akuzohet Mustafa?
Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme. Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999. Sa i përket akuzës për ndalim arbitar, kryegjykatësja ka thënë se të paktën 6 personave u është ndaluar liria në periudhën 1 prill 1999 – 19 prill 1999.
“Viktimat u arrestuan nga anëtarë të BIA-s, apo anëtarë tjerë të UÇK-së afër Zllashit”.
Ajo ka thënë se qendra e ndalimit në Zllash është kontrolluar nga Mustafa. Për akuzën e torturës, krygjykatësja ka thënë se të ndaluarit janë mbajtur në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Ajo ka thënë se pika e trajtimit mizor është mbuluar nga pika e torturës dhe si e tillë nuk është shqyrtuar më tej.
"Ata janë mbajtur në kushte të mjerueshme në mes të bajgave të bagëtive". "Ata flinin në ujë, në pellgje, në ahur ishte gjithmonë terr, ata nuk kishin ushqim të mjaftueshëm, kalonin dy tri-ditë pa ngrënë". “Kur të ndaluarit kërkuan ujë, ushtarët e BIA-s urinuan mbi ta duke thënë, ‘ja uji’”.
Ajo ka thënë se të ndaluarit janë rrahur me shkop bejsbolli, janë rrahur, janë djegur.
“Vetë Mustafa ka marrë në pyetje dhe ka keqtrajtuar dy prej tyre”.
Ajo po ashtu ka thënë se vetë Mustafa ka urdhëruar vartësit e tij ta rrihnin një të ndaluar derisa ka humbur ndjenjat. Sipas saj, të ndaluarit janë keqtrajtuar edhe psiqikisht.
"Një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar zëra të njerëzve 'duke bërë si qenë, mace' dhe nuk kanë mundur të flinin".
Në pikën për vrasje të paligjshme, Veldt-Foglia ka thënë se vdekja e një viktime në periudhën e fundit të prillit 1999, "mund t’i atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s". Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste. Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali', ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale. Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 - dhjetor 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Si ka ecur procesi gjyqësor?
Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.
Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës. Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokuroria pati thënë se "faji i vetëm" i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.
Marrë nga REL
Denimi i zoterise eshte njelloj si te denoheshin partizanet per keqtrajtim te ballisteve.Megjithate ka nje ndryshim te madh midis te qenit bashkeputor,spiun dhe te mos perkrahurit mjaftueshem i UCK.Per dy te parat,nese ka patur fakte kur i ka bere,i lumte dora;per te treten,e meriton denimin.
PërgjigjuDENOHET ME BURG NJE USHTARK SHQIPETAR QE LUFTOI PER TE MBROJTUR MEMEDHENE PREJ ARMIQVE PA DALLIM EMRIT-THJESHT LUFTOI PER TE MROJTUR TOKAT SHQIPETARE!!!.....SIÇ DUKET KESA PUNE U VJEN ERA E SHERBETORVE.
Përgjigjujam kurioz se cfare denimi aplikohet kunder kuislingeve ne lufte e siper, apo menjehere pasi perfundon nje lufte?
PërgjigjuSapo u larguan nazistet, jane vrare pa gjyq nja 10 mije vete ne France per bashkepunim me pushtuesit. Nuk di t’i jete bere ndonje gjyq anetareve te rezistences franceze per keto vrasje dhe te tjera te kryera pa vendim gjyqi gjate luftes se dyte boterore. Kete te UÇK-se e akuzojne se ka torturuar 6 spiune te dyshuar dhe njerin e ka vrare. Dihet qe lufta eshte mizori por kur krahasohet shkalla dhe natyra e mizorive te kryera nga secila pale del qarte se ne cilen ane kane qene xhelatet dhe psikopatet e vertete.