Kryeplaku i fshatit Petrelë, Hilmi Aga ka bërë me dije se ndërtimi pa leje nga Mimoza Ahmeti në këtë zonë ka nisur rreth 3-4 muaj pas tërmetit të fuqishëm. Në një intervistë për Report Tv, Aga u shpreh se nuk ka informacion nëse është ndërtuar me leje apo jo, por nuk e ka përfshirë në shtëpitë e dëmtuara pasi aso kohe ishte banesë e braktisur ku nuk jetonte askush.
Aga tregon se Ahmeti e ka marrë të rrënuar dhe ka zgjedhur që të kryejë rindërtim por pas ngritjes së kolonave, nuk ka pasur më punëtorë që të vijonin me ndërtimin e shtëpisë.
“Ishte një shtëpi e vjetër, e ka blerë Mimoza Ahmeti. Në këtë banesë nuk ka jetuar njeri. Ka qëndruar disa vite pa banim, nuk ka banuar njeri. E ka marrë si të rrënuar. Nuk di të ketë aplikuar se kam raportuar unë cilat janë dëmtimet e bëra nga tërmeti. Për këtë nuk kemi futur të dhëna se nuk ka banuar. S’kemi futur as ato me plasaritje të lehta, lëre më këtë që nuk jetonte këtu. Nuk e di nëse ka marrë leje. Kjo godina mund të jetë ndërtuar 3-4 muaj pas tërmetit. Nuk është ndërhyrë fare më pas. Është ngritur si tip karabinaje dhe kaq. Kur pashë që ka thënë ndërtime pas tërmetit, thashë paska dashur të kërkojë ndihma nga tërmeti, nuk u bë deti kos”, tha Aga.
Në dëshminë e saj, Ahmeti pretendonte se kishte marrë lejen e rindërtimit dhe punimet ishin kryer nga muaji maj i vitit 2021. Por sipas kryeplakut, punimet kanë nisur që në vitin 2020. Poetja Mimoza Ahmeti është dënuar me 40 orë pune publike për shkak të ndërtimit pa leje të objektit 2 katësh.
Kështu bëhet kështu rasti i dytë i personazheve të njohur që dënohet për ndërtim pa leje pas këngëtarit Bojken Lako.
Lajmi kryesor:
Dënimi i Mimoza Ahmetit për ndërtim pa leje në Petrelë, prokuroria: U konstatua objekt 2 katësh me kolona betoni! S’kishte marrë leje për riparim
//ReportTv.al