Sali Berisha, duke folur nga ballkoni i banesës së tij

Dënimi nga Apeli me 1 vit burg, Berisha mbron Salianjin dhe akuzon Ramën: Po kërkohet asgjësimi i opozitës, për të marrë mandatin e katërt!

26 Shtator, 19:30| Përditesimi: 26 Shtator, 19:52

  • Share

Ish-kryeministri Sali Berisha mori në mbrojtje sot në mbrëmje (26 Shtator), nga ballkoni i banesës së tij ku ndodhet në "arrest shtëpiak", deputetin e PD-së, Ervin Salianji, i cili u dënua me vendim të formës së prerë nga Apeli i Tiranës, që la në fuqi verdiktin me një vit burgim nga shkalla e parë, për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”.

Ai apeloi ndaj shqiptarëve dhe opozitarëve që të ngrihen në këmbë në protesta dhe të përballen “dhëmbë për dhëmbë” me regjimin kriminal.

Berisha akuzoi Edi Ramën dhe mazhorancën për dënimin politik të Salianjit, duke theksuar se “po kërkon të asgjësojë opozitën” me dënime, përveç përdorimit të bandave kriminale, pushtetit dhe patronazhistëve, “për të marrë mandatin e katërt”.

Ai i cilësoi si “arrestime politike dhe burgosje politike”, dhe “një kushtrim dhe apel për të gjithë opozitën”.

“Të ngrihemi në këmbë, o sot o kurrë, është radha jonë (e përsërit tre herë). Ndaj dhe sonte u bëjmë thirrje shqiptarëve kudo që janë, opozitarëve kudo që janë, të ngriheni dhëmbë për dhembë me këta kriminelë, me këta trafikantë, dhëmbë për dhëmbë me këta horra, dhëmbë për dhëmbë me këta banditë. Të lënë mënjanë gjithçka dhe të nisim betejën për ekzistencën e opozitës, për betejën e ligjit, për fitoren mbi krimin”, tha ish-kryeministri.

Ish-kryeministri u shpreh se Salianji ishte dënuar me një “shpallje lufte nga qeveria e Edi Ramës, me kallëzim të rremë”, duke e quajtur kallëzimin e deputetit si të vërtetë, pasi denoncoi dënimin e vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj, në Itali për drogë.

Më tej ai kujtoi se si Dritan Zagani denonconte trafiqet e ish-ministrit Saimir Tahiri me grupin Habilaj me makinën e tij dhe se si e dënuan për këtë denoncim, teksa Italia më vonë provoi se “makina jo vetëm u përdor, por u dha me qira për trafik droge”.

Madje ai e quajti edhe Durim Bamin si “mik të Ramës”, duke kujtuar se u përdor për deponimin e rremë nga Tom Doshi, për atentatin e supozuar të Ilir Metës dhe se për atë rast tha se “nuk u dha asnjë dënim për kallëzim të rremë”, kurse “kallëzimi i vërtetë i Salianjit mori 1 vit burg”.

“Dënimi i sotëm është goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare, goditja e radhës që krimi i jep antikrimit, goditja me të cilën Rama dëshmon se kësaj here për mandatin e tij të katërt, ai nuk do mobilizoj vetëm bandat, qindra milionë euro e patronazhistët, por do burgosë dhe persekutojë opozitën, atë mandat kërkon ta marrë me çdo kusht”, tha ai nga ballkoni, para mbështetësve të pakët.

Në fund Berisha tha se kjo nuk ishte çështje e një individi apo deputeti, por e të gjithë opozitës dhe ekzistencës së saj, pasi po tentohet nënshtrimi i saj.

“Goditja me proces politik ndaj Salianjit është akt i shëmtuar, hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Është një kushtrim për çdo opozitar”, u shpreh ish-kryeministri, teksa mbrojti deputetin e partisë së tij, që tani duhet të vuajë 1 vit izolim.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tedi: 26/09/2024 19:43

    O Sali do te marre me vete Salianj mashtruesi . Nje lloj jeni te dy me mashtrime dhe shpifje. Populli do ngrihet kundta teje qe nuk je lene te zexe pa i bere shqiitareve . Vampir

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?