Edi Rama

Opinion

Denis Dyrnjaja: A është Edi Rama peshkatari që po gjuan në kënetën e opozitës?!

2 Shtator, 16:50| Përditesimi: 2 Shtator, 16:53

  • Share

Në vigjilje të prezantimit të qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama në mandatin e katërt të PS në pushtet, në hapësirën publike është hedhur ideja e një bashkëqeverisjeje mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Përtej zhurmës mediatike dhe interpretimit të disa lëvizjeve individuale, është e nevojshme të sqarohet qartë se nuk ekziston asnjë bazë reale politike apo institucionale për një skenar të tillë.

Bashkëqeverisja është një akt i qartë politik, që kërkon marrëveshje mes palëve, ndarje përgjegjësish dhe vizion të përbashkët. Asnjë nga këto elemente nuk është i pranishëm. Thjesht përfshirja e ndonjë individi me të shkuar në PD ose opozitë, në ndonjë funksion publik, nuk përbën as politikë të re, as marrëveshje për bashkëqeverisje.

Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, pjesëmarrja në qeverinë e Ramës me do të ishte në kundërshtim të plotë me qëndimet e saj si forcë opozitare . Do të nënkuptonte dorëzim të rolit të saj kushtetues dhe politik, duke cënuar përfaqësimin e votuesve që kanë besuar tek opozita për të kontrolluar dhe balancuar pushtetin.

Nuk ka asnjë marrëveshje, asnjë diskutim zyrtar dhe asnjë dokument politik që të sugjerojë apo të nënkuptojë ndërtimin e një qeverisjeje të përbashkët. Ajo që po ndodh është keqinterpretim i lëvizjeve të vogla administrative ose individuale, të cilat nuk mund të përkthehen në tendenca institucionale për bashkëqeverisje.

Po aq e rëndësishme është të theksohet se bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës në çështje madhore, si reforma zgjedhore, integrimi europian apo kodi penal, është një detyrim institucional dhe jo koalicion politik. Këto janë fusha ku opozita ka rolin e vet kushtetues për të kontribuar nëpërmjet dialogut dhe qëndrimeve të saj, por pa humbur rolin e saj primar.

Politika nuk mund të bëhet mbi bazën e thashethemeve, perceptimeve apo interpretimeve që nuk burojnë nga realiteti politik. Përndryshe, rrezikojmë të deformojmë perceptimin e qytetarëve për funksionimin e demokracisë.

Bashkëqeverisja është një akt serioz, i matur, i negociuar dhe me pasoja të qarta për të dyja palët. Derisa të ketë një dakordësi politike të nënshkruar, çdo zë që qarkullon në formë hipoteze mbetet thjesht spekulim.

Në këtë kuadër, është e rëndësishme që publiku të informohet saktë: sot nuk ekziston asnjë kusht, asnjë sinjal dhe asnjë vullnet i deklaruar për një bashkëqeverisje PS–PD. Çdo analizë që ndërtohet mbi këtë premisë, nuk qëndron mbi fakte, por mbi perceptime.

Nuk mund të ketë bashkëqeverisje edhe për një element thelbësor, kur vetë Kryeministri ka ndërtuar gjithë retorikën e tij politike mbi denigrimin e opozitës, duke e quajtur kënetë politike dhe liderin e saj “bufin e kënetës”. Në këtë kënetë ai tani përpiqet të peshkojë individë, si të ishte një liqen me vlera politike të mëdha. Kjo nuk do krijonte as një qeverisje më të mirë, as një opozitë më produktive. Kjo thjeshtë e bën Edi Ramën peshkatar të kënetës!

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?