Në një kohë kur Tirana po ngjan më shumë me një betejë për mbijetesë sesa për fitore, Partia Demokratike ndodhet para një zgjedhjeje delikate. Duhet të gjejë një emër që nuk ngjall domosdoshmërisht shpresa për triumf, por që të paktën mos prodhojë panik brenda vetes. Në këtë mënyrë kandidatura për Tiranën është kthyer në një proces më shumë formal sesa real. Dhe kur zgjedhja nuk bëhet mes më të mirëve, por mes atyre që përfaqësojnë më pak risk, emrat filtrohen ndryshe.
Në këtë situatë të padëshiruar, ku figurat politike me peshë shmangin garën për të mos rrezikuar një humbje të bujshme dhe me kosto për pretendimet e tyre, emri i Ilda Zhulalit ka nisur të qarkullojë me qetësi dhe pa shumë zhurmë. Ajo nuk është një figurë publike e spikatur, por nuk përfaqëson asnjë ekstrem që do të përçante apo ngjallte reagime të forta. Është një profil i qetë, pa histori konflikti dhe pa bagazh të rëndë politik.
Ilda Zhulali është vajza e ish Ministrit të Mbrojtjes gjatë qeverisjes së parë në vitet 92-96, Safet Zhulali dhe bashkëshortja e Aldo Bumçit, ish-ministër dhe ish-drejtues i Partisë Demokratike në Tiranë. Kjo lidhje, edhe pse jo përcaktuese, ka një efekt simbolik për një parti që shpesh e kërkon sigurinë politike te emrat me histori nga e shkuara politike e PD. Në mungesë të angazhimit të emrave të elitës, një emër që të paktën nuk shqetëson, shihet si zgjidhje e pranueshme në këto kushte.
Nëse do të zyrtarizohet, kandidatura e Ilda Zhulalit do të ishte më shumë një vendim taktik sesa një sfidë politike. Një mënyrë për të qenë në garë, pa bërë shumë zhurmë. Dhe në një situatë ku beteja për Tiranën duket e vendosur që më parë, ndonjëherë edhe prania simbolike ka vlerë. Kështu, të gjitha rrugët duket se e çojnë PD drejt një zgjedhjeje të qetë, dhe kjo zgjedhje mund të jetë Ilda Zhulali. Për një opozitë te kapur gafil nga mazhoranca me zgjedhje të parakohshme në Tiranë edhe humbja e butë është fitore./Javanews
Komente

Kur u hapen depot e armeve me shume pasoja qe i vuan populli shqiptar deri sot kush ishte minister??? Familjaret e atij ministri jane kaq te besuar per popullin sot??? Per familjet dhe fisin e farefisin e anetareve te partive te tjera mediatiket demokrat nuk lene shpifje dhe sharje pa thene dhe sot duhet tu kujtojm demokrateve te shkuaren e tyre te turpshme te mbushur me gjak dhe krime!!
Përgjigju