Kur diplomatët amerikanë flasin për demokracinë, drejtësinë dhe kushtetutën, fjalitë e tyre mund të duken të buta, thuajse burokratike. Por ata që lexojnë mes rreshtash e dinë se në Tiranë, asgjë që thuhet nga "selia e verdhë" e Rrugës së Elbasanit nuk është e rastësishme.
Fjalimi i znj VanHorn, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, përballë përfaqësuesve të trupës së drejtësisë, nuk ishte thjesht një përsëritje e frazave të njohura për shtetin e së drejtës, apo institucionet demokratike. Dy ishin mesazhet kyçe që ajo artikuloi, me qetësi diplomatike, por me peshë të madhe politike. Së pari kërkohet drejtësi, llogaridhënie e transparencë të cilat realisht mungojnë. Dhe së dyti prokurorëve dhe gjyqtarëve, iu kërkoi të forcojnë besimin e qytetarëve te institucionet që iu shërbejnë atyre. Pra të goditet pa përzgjedhje çdo zyrtar i korruptuar pa u shmangur në standarde.
Në një moment apo si me thënë në rrethana të tjera politike, këto fjalë mund të ishin pjesë e një protokolli rutinë. Por me aktualitetin që kalojmë, ato përbëjnë një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejt për të gjitha palët, si për Qeverinë Rama 4, që po hyn në një mandat të ri mes hetimeve për afera korruptive të zyrtarëve të të gjitha niveleve, si për opozitën e Sali Berishës, që përpiqet t’i japë frymë një kursi të ri ndaj Uashingtonit, pa pranuar realitetin se në këtë lojë, SHBA nuk negociojnë me pengje të së kaluarës, ashtu dhe për drejtësinë, që shpesh ndodhet nën pikëpyetjet e objektivitetit të saj pa preferenca.
Znj VanHorn nuk dha as garanci, as miratim, por konfirmim të qartë se SHBA vijon të jetë dhe mbështesë ende institucionet e dala nga reforma në drejtësi, me gjithë mangësitë, zhgënjimet dhe ngadalësitë e veprimit të të tyre në zbatim të ligjit. Pra ky mesazh nuk nënkupton ndonjë optimizëm të tepruar, sepse rezultatet e drejtësisë janë ende të zbehta dhe jo perfekte, por ajo shihet si e vetmja hallkë për rrjedhojë edhe shpresë për një transformim real institucional në Shqipëri.
Dhe në këtë moment, kur as Rama nuk ka më një administratë liberale të përfaqësuar nga demokratët në Uashington dhe as Berisha duket se nuk ka më iluzione për një rivendosje raportesh me SHBA edhe pse në fuqi është administrata e djathtë republikane, mesazhi është i qartë dhe kthjellët, drejtësia duhet të ecë përpara, me ose pa pëlqimin e politikës. E thënë shkurt e shkoqur, të gjithë kuptuan kush i foli kujt!/Marrë nga profili i autorit në Facebook
Komente
