Mihail Gorbaçovi

Denis Dyrnjaja: Si e njoha Gorbaçovin

31 Gusht 2022, 15:28| Përditesimi: 31 Gusht 2022, 15:30

  • Share

Emri i tij shkruhet Mikhail Gorbachev, por nëse do e shkruaja e thoja kështu ndoshta pak kush do ta kuptonte se bëhej fjalë për udhëheqësin e fundit të ish Bashkimit Sovjetik (BRSS), pra për një prej politikanëve më me peshë në fundvitet 80 e fillimvitet 90 në arenën botërore. Ndaj për rrjedhojë gjatë këtij komenti do të vazhdoj ta shkruaj emrin e tij sikurse shqiptohet në të folur. Isha fëmijë kur dëgjoja shpesh emrin e Gorbaçov, kryesisht në lajmet nga bota.

Në kanalin e vetëm televiziv që kishte Shqipëria asokohe, televizionin shtetëror shfaqej për zhvillimet ndërkombëtare gazetari Bashkim Zeneli. Ai komentonte përmes një analize të kornizuar të kohës dhe regjimit që dominonte, si në të gjithë lindjen edhe në Shqipëri por që gjithsesi kishte substancë dhe kuptohej shumëçka nga ajo që ndodhte. Edhe pse kishte një censurë të theksuar takimet Regan-Gorbaçov do të merrnin vëmendje edhe në lajmet e TVSH edhe pse konsideroheshin si lajme të nivelit të dytë, sepse edicionin e prinin kryesisht lajme për tufëza dhe arëza, arritjet në kooperativa apo ndërmarrje industriale të vendit. Ndërsa bota ziente nga zhvillimet dhe ndryshimi i madh që po ndodhte e takimet e këtij niveli çelnin edicionet e lajmeve kudo.

Për fat ne shqiptarët kishim pranë Italinë dhe lajmet e RAI-it ishin një dritare e rëndësishme për të mësuar një këndvështrim ndryshe për atë që ndodhte në botë. Përgatitjet për takime të nivelit të lartë Regan-Gorbaçov ishin pjesë e lajmeve dhe analizave pa fund. Regan e Gorbaçov kishin tërhequr tanimë në vorbullën e tyre magnetike vëmendjen njerëzimit kudo. Kjo falë një qasjeje ndryshe të liderit komunist të të Bashkimit Sovjetik. Shkëlqimit, grintës dhe protagonizmit të theksuar të Reganit si President i SHBA, Gorbaçov i përgjigjej fare mirë me një prezencë të maturuar politike, sa hijerëndë por edhe elastike në shfaqjet publike të udhëheqësve të dy superfuqive të kohës gjatë takimeve apo komenteve në distancë të tyre apo administratave reciproke, për raportet ndërshtetërore apo qëndrimet për ngjarjet në vendet e tjera nën influencat respektive.

Me një diplomat karriere si Eduard Shevanandze në krah, Gorbaçov arriti të mbajë një pozitë të fortë dhe veçanërisht te ekuilibruar në një periudhë të vështirë për Bashkimin Sovjetik që përballej me vështirësi të mëdha ekonomike, degradim të sistemit për shkak të korrupsionit dhe burokracisë së theksuar, por edhe me sfidën për të ruajtur dinjitetin dhe autoritetin e BRSS në rrafshin botëror. Ishte koha kur perëndimi me boshtin Vatikan, Washington-Bon me treshen e famshme Papa Vojtila, Ronald Regan dhe Helmut Kohl kishin bërë paktin e pashkruar për të shpërbërë sistemin komunist në vendet e lindjes. Wind of change po vinte dhe këtë e paralajmëroi rënia e murit të Berlinit në vitin 1989 se cilës iu dedikua një këngë e kënduar nga të famshmit e muzikës Heavy Metal, Scorpions, e që u bë hymn në mbarë botën.

Wind of Change ishte një proces i cili po përshkonte Europën dhe bashkë me të edhe Rusinë e Bashkimin Sovjetik nën drejtimin e Gorbaçov. Ai ishte një politikan diametralisht i kundërt me ata që ideuan dhe vunë në zbatim teorinë marksiste rreth një shekull më parë, përmes diktaturës së proletariatit me sloganin dogmatik pushteti i popullit dhe klasës punëtorë si dhe barazi sociale për të gjithë. Gorbaçov diti të drejtojë siç duhet timonin e një anijeje të madhe politike transoqeanike siç ishte Bashimi Sovjetik për ta ankoruar atë përgjithmonë në portin e historisë së shkuar dhe hapur rrugën përmes një mendësie liberale reformave që do të çelnin një udhë të re për republikat sovjetike dhe lindjen e Evropës në tërësi. Edhe pse ishte nën regjimin e fuqisë së KGB-së, policisë sekrete famëkeqe e cila komplotonte ndaj çdo kujt që dilte nga rruga fanatike e skalitur nga Stalini, Gorbaçov theu akujt dhe tregoi se është koha për t’i dhënë fund luftës së ftohtë. Një konkurrencë ushtarake që e mbajti botën në ekuilibër, por ishte një shpenzim i panevojshëm financiar dedikuar forcës e fuqisë ushtarake dhe për më tepër i rrezikshëm për njerëzimin në tërësi.

Ai takoi Reganin dhe së bashku vendosën që lindja dhe perëndimi të ndalnin këtë garë të pakuptimtë të armëve bërthamore, ose armëve të shkatërrimit në masë që e kishin dhe kanë shndërruar botën tanimë në një magazinë atomike. Gorbaçov frymonte drejt politikave paqësore dhe me të tillë mendësi shkoi në botën tjetër në moshën 92 vjeçare. Vetëm pak kohë më parë ai i sugjeroi presidentit aktual të Rusisë Vladimir Putin të ndryshojë kurs dhe të ngrohë klimën e komunikimit me Presidentin e SHBA Joe Biden. Ndoshta Wind of Change duhet të këndohet sot si një requiem edhe për largimin nga jeta të atij që pranoi dhe jetësoi ndryshimin e që futi botën në një epokë të re në prag të shekullit të ri. Për Gorbaçov, për politikanin, për filozofinë dhe për njeriun që reflektoi dhe dëshiroi paqe si në fytyrë, në sjellje dhe në aktet e tij politike. Bota ka gjithnjë nevojë për njerëz si Gorbaçov. Pa ta, paqja është në rrezik dhe është më e pamundur atje ku ka konflikt!

 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?