Edlir Gjoka

Dënohet me burg 21-vjeçari shqiptar në Britani, u kap me drogë me vlerë 200 mijë £

16 Mars, 16:27| Përditesimi: 16 Mars, 16:35

  • Share

Një 21-vjeçar shqiptar është dënuar me 5 vite burg nga drejtësia britanike, pasi ishte i përfshirë në transportin dhe magazinimin një sasie kokaine dhe heroine, me vlerë të përllogaritur deri në 200,000 £.

Bëhet fjalë për shqiptarin e identifikuar si Edlir Gjoka, i cili sipas mediave të huaja ka hyrë në territorin anglez ilegalisht, në janar të vitit 2023 dhe vetëm tre muaj më vonë u bë pjesë e veprimtarisë kriminale të tregtisë së drogës.

Gjoka u ndalua nga policia britanike teksa po ngiste një makinë të marrë me qira, në Tong Street.

Gjatë kontrollit fizik dhe të automjetit policia i gjeti dhe sekuestroi 635£, dy iPhone dhe dy blloqe me kokainë, që peshonin pak më shumë se një kilogram në total.

Sipas policisë droga që posedonte i riu shqiptar ishte e klasit A ​​dhe kishte një vlerë deri në 100,000 £.

Më pas, autoritetet kontrolluan dhe një pronë në Ëingfield Street, Bradford, e cila dyshohet se përdorej nga Gjoka, dhe aty gjetën dy blloqe të tjera heroine dhe 14 bimë kanabisi që ishin kultivuar në papafingo.

Heroina gjithashtu peshonte pak më shumë se një kilogram dhe vlerësohej rreth 100,000 £.

Gjoka, u deklarua fajtor për akuzat e posedimit të kokainës dhe heroinës me qëllim të furnizimit.

Mediat britanike thonë se para togave të zeza, 21-vjeçari është shprehur se kishte vepruar si "korrier".

Avokati Justin Rivett, për Gjokën, tha se klienti i tij u kishte borxh disa personave që e ndihmuan të hynte ilegalisht në vend, por ai nuk kishte ardhur këtu me qëllim që të përfshihej në shkelje të drogës.

Rivett shtoi se Gjoka ishte nën presion për të shlyer borxhin e tij dhe priste të merrte një shumë prej qindra paund për rolin e tij në transportimin e drogës.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?