Protesta e banorëve kundër fabrikës

Fabrikë bitiumi në Tropojë? Denoncimi i ish-kryebashkiakut: Po i jepet leje korruptive familjarëve të kryetarit! Reagon kreu i Bashkisë, Byberi për Report Tv: Rrugë e gjatë deri në vendim

7 Shkurt 2022, 14:03| Përditesimi: 7 Shkurt 2022, 15:27

  • Share

TROPOJË- Ish-kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj ka hedhur akuza në drejtim të kryetariaktual Rexhë Byberi se ka dhënë një leje korruptive familjarëve të tij, për vendosjen e një fabrike prodhimi asfalti në këtë zonë.

Në reagimin e tij, Dushaj thotë se kjo fabrikë, sjellë dëme të parikuperueshme në shëndetin e njerëzve, por edhe një dëm të madh bizneseve, për pasojë u ka bërë thirrje institucioneve të shtetit, Prefektit të Qarkut, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Kryeministrit të vendit, që të mos miratojnë këtë vendim.

"Të dashur miq, kam marrë dhjetëra mesazhe nga bashkëqytetarë të mi, banorë të zonës Fierzë-Tropojë, të cilët shprehin shqetësimin për miratimin e paligjshëm të një vendimi për vendosjen e një fabrike prodhimi asfalti në këtë zonë, nga këshilli ilegjitim i bashkisë Tropojë dhe kryetari i emëruar i saj.

Unë dua të shpreh përkrahjen time të pakushtëzuar për kërkesat e drejta të banorëve të Fierzës dhe duke i inkurajuar për vazhdimin e protestave të tyre, i garantoj që do bëj çdo përpjekje në rrugë institucionale dhe në çdo formë tjetër, që ky vendim antiligjor të stopohet. Me këtë rast i bëj thirrje institucioneve të shtetit, Prefektit të Qarkut, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Kryeministrit të vendit, që të mos miratojnë këtë vendim antiligjor të bashkisë Tropojë.

Vendosja e kësaj fabrike vetëm për përfitime financiare korruptive të kryetarit të emëruar në bashkëpunim me familjarë të tij, do ishte një dëm i jashtëzakonshëm për mjedisin e kësaj zone, për florën e faunën dhe do sillte dëme të parikuperueshme në shëndetin e njerëzve si dhe do i jepte një goditje të tmerrshme bizneseve të kësaj zone të mrekullueshme turistike, që është portë hyrëse në rrethin e Tropojës. Shpresojmë që për herë të parë kjo qeveri të vendosë në favor të qindra banorëve kundrejt interesit të një grupi individësh që kanë pushtuar institucionet e rrethit dhe po dhunojnë çdo ditë të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve të Tropojës", shkruan Dushaj.

Rexhë Byberi, kryetar i bashkisë së Tropojës, në një reagim për Report Tv deklaron se është ende herët për të folur pasi ka shumë procedura përpara.

"Këshilli Bashkiak funksion i pavarur nga kryetari i bashkisë. Në këshill është marrë një vendim për të ngritur fabrikën e bitumit, vendim që i ka shkuar Prefekturës. Janë disa hallka, rrugë e gjatë deri në vendimin përfundimtar. Kam marrë dhe shqetësimin e banorëve por dhe të bizneset është ende herët për të folur", thotë Byberi.

Për cilën fabrikë bëhet fjalë?
Report Tv ka mësuar se fabrika e bitumit është në pronësi Avni Byberi, emri tregtar "BYBERI SHPK" ka qenë në hyrje te Valbonës dhe është çmontuar prej andej pas protestave për ndotje. Kanë bërë kërkesë për ta vendosur në Fierzë, është marrë vendim nga Këshilli Bashkiak i Tropojës, por nuk është vendosur ende në punë fabrika pasi duhet të marrë leje mjedisi në Ministrinë e Mjedisit dhe leje shfrytëzimi në Ministrinë e Infrastrukturës.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?