Pjesë nga video e publikuar nga Spaho

Politikë

Denoncimi i Spahos për blerje votash në Korçë, policia: Nuk u konstatua asnjë veprim i paligjshëm! Nën hetim 34-vjeçari që bëri videon

9 Maj, 17:48| Përditesimi: 9 Maj, 18:30

  • Share

Policia e Korçës ka reaguar pas denoncimit të bërë nga kandidati demokrat Edmond Spaho, i cili pretendonte se kandidati socialist Arian Jaupllari po blinte vota në fshatin Podgorie. Sipas policisë, nga verifikimet e kryera nuk është konstatuar asnjë veprim i paligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votës.

Nën hetim ka vënë një 34-vjeçar, personin që bëri videon me akuzën "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", pasi ka refuzuar që të japë pajisjen me të cilën ka kryer filmimin. Ky person rezulton edhe me precedentë kriminalë dhe i dënuar për prodhim dhe shitje narkotikësh si dhe krime kundër personit. 

"Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht  për veprat penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve  dhe të krimeve kundër personit.

Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe  deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave. Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.

Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.", thuhet në njoftimin e policisë.


Mbrëmjen e djeshme Edmond Spaho publikoi 2 video të filmuara nga disa individë të cilët pretendonin se në fshatin Podgorie po bliheshin vota për PS dhe kandidatin Arian Jaupllari.

Për ngjarjen reagoi edhe kandidati scoialist Arian Jaupllari, duke e quajtur ngjarjen të sajuar dhe montuar nga kundërshtarët politikë.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria votoi për Kuvendin e ri, si ju duk procesi i votimit?