Denoncimi PD: Skemë ‘5D’ edhe te ministria e Belinda Ballukut! Kompania e të afërmve të Blendian Dalipit, tenderë publikë

1 Nëntor, 14:48| Përditesimi: 1 Nëntor, 15:51

  • Share

TIRANË- PD ka denoncuar sot se skema ‘5D’, ku drejtorë i japin vetes tenderë publikë po ndodh edhe në ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku, atë të Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Sipas PD, kompania I.D.K KONSTRUKSION, në pronësi të të afërmve të drejtorit të OSSH, Blendian Dalipi ka marrë tender publikë afro 30 milionë euro dhe nënkontrakton kompaninë në pronësi të vetë Dalipit, duke e bërë atë përfituese të parave publike.

PD paralajmëron kallëzim në SPAK, ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja në një deklaratë për mediat tha se ka dyshime që kjo kompani shërbente si një kompani guackë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Denoncimi i Partisë Demokratike 

Skema 5D e Bashkisë Tiranë, ku drejtorë dhe nëpunës të administratës shtetërore i jepnin vetes tenderë publikë nëpërmjet bizneseve që po vetë zotëronin, është kthyer në model menaxhimi ne qeverinë e keqmanexhimit. Një model që ndiqet edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Partia Demokratike ka vendosur t’i përcjellë organeve të drejtësisë dhe SPAK një rast të ri të këtij modeli, atë të I.D.K KONSTRUKSION. Një kompani që ka përfituar në vitet e fundit mbi 30 milion euro tenderë publikë, ndërkohë që ka dyshime të arsyeshme se ajo shërbente si një kompani guackë për transferta të dyshimta drejt familjarëve të pronarëve të saj, drejtues të nivelit më të lartë pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Rikujtojmë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës është prekur nga fenomeni i drejtorëve me biznese fiktive edhe në rastin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejtuesi i të cilit, Evis Berberi, shpallte fitues kompaninë “Net Group” dhe “DAAM”, kompani që zotëroheshin praktikisht nga ai vetë.

Kompania që Partia Demokratike denoncon sot, I.D.K KONSTRUKSION është në pronësi të familjarëve të Administratorit të OSSH, Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi. Ai rezulton gjithashtu pronar i kompanisë ABNID, e cila gjatë viteve të fundit, ka përfituar mbi 10 milion euro nën-kontraktime të drejtpërdrejta nga kompania I.D.K KONSTRUKSION.

Përveç lidhjes familjare, dhe këtyre transfertave miliona euroshe nga tendera publikë, IDK dhe ABNID ndanin edhe punonjësit mes tyre. Në një rast, administratori i kompanisë ABNID, në pronësi të Drejtorit të OSSH, duket se ka punuar si një punëtor i thjeshtë krahu për kompaninë I.D.K KONSTRUKSION.

Kjo është qartazi një rast tjetër i virusit 5D të Bashkisë Tiranë apo Net Group i ARRSH. Ky model i pahasur më parë në këto 33 vite tranzicion, duhet të marrë fund. Një model sipas të cilit, Drejtorët e administratës publike janë kthyer në pronarë biznesesh fiktive të cilët kanë si fokus jo mbrojtjen e taksapagueseve shqiptarë, nëpërmjet zhvillimit të procedurave të tenderimit kompetitive e të drejta, por kanë si qëllim kryesor transferimin e parave publike në llogaritë e tyre personale.

Ky model është anti-biznes, është anti-konkurrencë dhe nuk është thjeshtë korrupsion, është shumë më shumë. Por është edhe një sfidë e radhës për organet e drejtësisë së re për të treguar paanshmëri dhe efikasitetin e kërkuar në parandalimin e abuzimeve të kësaj shkalle me taksat e qytetarëve shqiptarë.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • populli: 02/11/2024 05:05

    ju te pds beni mir te denonconi njeher ata hajdutet tuaj qe te pastroet vendi nuke jeni me te mir me plera keni qen kur qeverisnit me ne krye bershen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?