Politikë

Berisha nga Elbasani: Denoncova Ramën në PPE, regjimi i tij armik i egër i votës së lirë! ‘Patronazhistët’ terroristë kriminalë

1 Maj, 11:12| Përditesimi: 1 Maj, 13:56

  • Share

Sali Berisha përforcoi edhe nga turi i fushatës në Qarkun e Elbasanit, mesazhin e tij se rezoluta e miratuar në Samitin e PPE-së, që u hartua nga PD, për situatën para-zgjedhore në Shqipëri është një thirrje që Edi Rama të mos prekë votat e shqiptarëve.

"Denoncuam Edi Ramën në PPE si armik i votës së lirë dhe i Shqipërisë, ndër më të egrit, duke bërë një rezolutë. Ne shkojmë më 11 maj me një fitore të thellë. Regjimi i Edi Ramës është bërë i famshëm në Botë dhe Europë për regjimin e tij", tha Berisha mes të tjerash.

"Në Valencia 2 mijë delegatë që përfaqësonin 86 parti të qendrës së djathtë nga të cilat janë 14 kryeministra në Europë, votuan njëzëri rezolutën në mbrojtje të votës tuaj. Votuan rezolutën në të cilën dënohej me ashpërsinë më të madhe Edi Rama. Votuan rezolutën në të cilën i jepet mbështetja më e fuqishme opozitës shqiptare dhe PD-së. Ju jepet ju mbështetja më e madhe që keni pasur ndonjëherë që nga themelimi i kësaj partie", tha Berisha. 

Ai foli sërish për ndërhyrje të krimit në zgjedhje duke quajtur patronazhistët terroristë kriminelë, për të cilët tha se llogaritë do të bëhen pas 11 majit.

"Një thirrje kam për punonjësit e administratës. Qëndroni të palëkundur, shërbëtorë të qytetarëve, besnikë të ligjit. Mos u bëni terroristë patronazhistë sepse u garantoj se patronazhistët do ndiqen si terroristë elektoralë gjithë jetën e tyre", tha Berisha. 

Ai premtoi minimumin jetik 200 euro, pensione jo më të vogla se 200 euro, rroga 500 euro, ulje çmimesh të ujit, energjisë, ulje taksash për bizneset dhe rritje të tavaneve për bizneset e vogla.

“Edhe një kokë e vetme, edhe një lopë e vetme do subvencionohet. Kompensim për të gjitha. Ndihmë fermerëve dhe bujqërve, atë që qeveria e Edi Ramës nuk e bëri dot. Buxhetin e fundit ai la 60 mln euro nga buxheti për ju, ndërkohë që ju jeni 760 mijë dhe jo 200 mijë. Pensionistët me pensionin e vitit 2013 blinin 250% më shumë sesa blejnë tani. Sot ju duhet të paguheshit me 390 mijë lekë aktualisht, qeveria ju shumëzoi me zero. Vota për 11 majin është votë për dinjitetin tuaj”, tha Berisha.

Kreu i selisë blu preku edhe çështjen e pensioneve dhe të të rinjve, duke deklaruar rimbursime dhe rritje të tyre.

“Ju do merrni ato ilaçe që merr pensionisti italian në itali, me të njëjtën listë rimbursimi. Të rinjtë i siguroj se shkollimi i tyre dhe modernizimi i arsimit, heqja e mesatares për universitetet, punësimi i tyre, pagesa për sigurimet shoqërore për një vit, grante për start-up dhe çati për çdo çift me 30 mijë euro grant për të paguar interesat, do jetë zotimi ynë për shqiptarët. 11 maji është dita për të votuar dinjitetin tonë, për paqen dhe sigurinë tonë, t’i japim ndëshkimin më të madh krimit”, vijoi ai.

Berisha mes të tjerash deklaroi dhe denoncoi organizatën e Suel Çelës se po dhunon dhe kërcënon deri tek njerëzit e pushtetit për të bërë Sara Milen deputete të qarkut të Elbasanit. Ai u shpreh se "Banda e Suel Çelës dhe Suelëve të tjerë pas 11 majit do shpallen organizata terroriste", ndërsa nga Elbasani sulmoi edhe Taulant Ballën. 

 

 

Takimi i plote elektoral në Librazhd

Ora 12:07
Berisha nga Librazhdi: Policët të mos i binden urdhrave të shefave të lidhur me krimin dhe kërcënimit të bandave! Administrata të rrijë larg ‘patronazhistëve terroristë’

 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, këshilloi Policinë e Shtetit në qarkun e Elbasanit dhe në të gjithë Shqipërinë që të mos i bindej urdhrave të shefave të lidhur me krimin dhe bandat, sikurse të njëjtin sugjerim politik ia bëri edhe administratës, që të mos bëheshish “patronazhistë terroristë”.

Ashtu siç paralajmëroi shpalljen terroriste të bandave kriminale, Berisha tha se do vepronte edhe me patronazhistët, që “do ndiqeshin pas 11 majit dhe deri në fund të jetës”.

“I bëj thirrje punonjësve të policisë mos shkelni mbi djersën dhe mundin tuaj. Pas 11 majit do kompensohen orët tuaja të tepërta të punës, mos iu bindni urdhrave të bandave dhe komisarëve të krimit. Një thirrje kam për punonjësit e administratës, qëndroni të palëkundur, shërbëtorë të qytetarëve dhe besnik të ligjit, mos u bëni terroristë patronazhistë sepse patronazhistët elektoralë do ndiqen gjithë jetën e tyre”, tha ai.

Në fund apeloi për votë ndaj opozitës për të mundur regjimin e kryeministrit:

“11 maji është dita e programit madhështor, e Shqipërisë madhështore, e fitores madhështore!”, përfundoi Berisha discursin e tij elektoral.

Ora 11:51
VIDEOLAJM/ Momenti kur Berisha bëhet ‘lëmsh’ në podium: Tomor Alizoti, kreu i qarkut të Beratit... më falni, i qarkut të Elbasanit!

Mitingu me elektoratin e PD-së dhe aleancës ADSHM në Librazhd-Prrenjas ditën e sotme ka pasur edhe momentin e vet pikant me kreun e selisë blu, Sali Berisha, që pësoi një tjetër “demencë politike”.

Lodhja e fushatës dhe mosha duket se kanë dhënë efektin e tyre jo në favor të tij. Ndërsa nisi fjalën para mbështetësve në shesh, në kuadër të mitingur përmbyllës për zgjedhjet e 11 majit, ai ngatërroi pozicionin politik të deputetit Tomor Alizoti, i cili aktualisht është kreu i qarkut të Elbasanit për ADSHM, kurse zgjedhjet e kaluara ishte deputet në Berat.

Berisha në kujtesën e tij e dinte ende Alizotin në qytetin e gurtë si përfaqësues politik, teksa e korrigjoi menjëherë duke kërkuar edhe ndjesë.

“I nderuar Tomor Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Beratit...! Më falni, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit...!”, tha Berisha.

Ora 11:50
‘Do t’ju hamë të gjallë...!’ Alizoti 'kërcënon' PS: Mundëm baballarët tuaj që kishin tanke e ushtri, analfabetë e maskarenj! Doktor jepi, se ty të kanë më shumë frikë (VIDEO)

Drejtuesi politik i PD për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Tomor Alizoti, të cilit Sali Berisha ia ngatërroi pozicionin e detyrës elektorale gjatë fjalës së tij në nisje, kërcënoi mazhorancën nga podiumi në mitingun përmbyllës në Librazhd-Prrenjas, se “do i hanin të gjallë”.

Teksa tha se zakonisht flet gjatë, por “meqë është doktori, do flas shkurt”, ai iu drejtua kundërshtarëve, duke i paralajmëruar që të mos preknin votën, pasi PD kishte mundur baballarët e tyre që kishin tanke dhe ushtri, e jo më socialistët e sotëm.

“Unë kam shumë qejf të flas, por kur është doktori, flas shumë shkurt. Më vjen mirë që Librazhdi dhe Prrenjasi është në shesh dhe ka vrarë frikën. Çdo e vërtetë ka nevojë për guximtarë dhe PD është partia e guximtarëve. Një mesazh për ju që jeni cepave dhe u shkoni njerëzve nëpër shpia për t’ju marrë votat. Mos harroni që ne kemi mundur baballarët tuaj, që kishin tanke, polici dhe ushtri! Juve do t’ju hamë të gjallë! Mos guxoni t’ju shkoni njerëzve natën në shtëpi, mos guxoni t’i prekni dhe kërcënoni, sepse liria e njerëzve është e shenjtë”, tha ai. 

Dhe në fund, teksa i tha Berishës që të merrte fjalën pasi atë e kishin frikë më shumë, Alizoti përsëriti kërcënimin e tij, duke i quajtur kundërshtarët “analfabetë dhe maskarenj”:

“Nëse prekni demokratët, nëse vini mina, do ju ndjekim, s’do t’ju ndahemi kudo që të jeni. Do t’ju hamë të gjallë! Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj! Doktor jepi sepse ty të kanë më shumë frikë!”, tha Alizoti, duke ia lënë radhën e fjalimit kreut të partisë, Sali Berisha.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?