Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duke njoftuar padinë (Uashington, 21 mars 2024)

Departamenti i Drejtësisë ngre padi për monopol ndaj kompanisë Apple

21 Mars, 22:01| Përditesimi: 22 Mars, 01:16

  • Share

UASHINGTON – Departamenti i Drejtësisë njoftoi se ka depozituar një padi të gjerë gjyqësore ndaj kompanisë Apple, duke e akuzuar kompaninë gjigande të teknologjisë se ka ngritur një monopol të paligjshëm të telefonave inteligjente, duke përjashtuar kështu konkurentët, duke dekurajuar inovacionin, si dhe duke i mbajtur çmimet të larta në mënyrë artificiale.

Padia e paraqitur në gjykatën federale në Nju Xhersi akuzon se kompania Apple ka monopol në tregun e telefonave inteligjentë dhe se ushtron kontrollin ndaj iPhone-it për “t’u angazhuar në një sjellje të paligjshme të gjerë dhe të vazhdueshme”.

“Apple i ka lidhur konsumatorët pas iPhone-it dhe ndërkohë i ka përjashtuar konkurentët nga tregu”, tha zëvendës prokurorja e përgjithshme, Lisa Monaco. Duke ndalur përparimin e të njëjtit treg që kjo kompani revolucionarizoi, tha zonja Monaco, kompania Apple “i ka marrë frymën një industrie të tërë”.

Kompania Apple u shpreh se padia “është e gabuar, si për nga faktet ashtu edhe nga kuadri ligjor” dhe tha se “do të mbrohet me forcë ndaj saj”.

Padia e gjerë ka në objektiv mënyrat se si kompania Apple i jep formë teknologjisë së saj dhe marrëdhënieve të biznesit për të “përfituar më shumë para nga konsumatorët, prodhuesit e programeve dhe përmbajtjes, artistët, botuesit, bizneset e vogla dhe tregtarët, ndër të tjerë”.

Këtu përfishet rënia e funksionimit të orave inteligjente që nuk janë të kompanisë Apple, kufizimi i qasjes për pagesat virtuale nga portofolët digjitalë të palëve të treta, si dhe refuzimi që të lejojë që aplikacioni i saj i mesazheve, iMessage, të shkëmbejë mesazhe të kriptuara me platformat e tjera konkurente.

Padia synon të ndalë sabotimin nga kompania Apple të teknologjive që konkurojnë me vetë aplikacionet e saj – në fusha si shikimi i videove nëpërmjet internetit, mesazhet dhe pagesat digjtale – si dhe t’i ndalojë marrëdhëniet kontraktuale me prodhuesit e programeve dhe të aksesorëve, si dhe me klientët që do t’i mundësonin “të fitonte, të mbante, të zgjeronte apo të thellonte monopolin”.

Padia e paraqitur së bashku me prokurorët e përgjithshëm të 16 shteteve është shembulli më i fundit i zbatimit të ashpër të ligjeve anti-monopol nga Departamenti i Drejtësisë, i cili u është kundërvënë edhe kompanive Amazon, Google dhe gjigandëve të tjerë të teknologjisë, me objektivin për ta bërë universin digjital më të drejtë, më novator dhe më konkurues.

Kompania Apple tha se padia do të “dëmtojë kapacitetet tona për të krijuar teknologjinë që njerëzit presin nga Apple – ku ndërthuren paisjet, programet dhe shërbimet”, si dhe do të krijojë “një precedent të rrezikshëm, duke e fuqizuar qeverinë që të vepronjë me një dorë të rëndë në projektimin e teknologjisë për njerëzit”.

“Tek Apple, ne shpikim gjëra të reja çdo ditë, për të krijuar teknologjinë që njerëzit dashurojnë – duke krijuar produkte që ndërveprojnë vetiu me njëra-tjetrën, duke mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e njerëzve, si dhe duke krijuar një përvojë magjike për përdoruesit”, thuhet në deklaratën e kompanisë. “Kjo padi rrezikon atë çfarë ne jemi dhe parimet që i diferencojnë produktet e Apple-it në tregje jashtëzakonisht konkurente”./ VOA

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?