Departamenti Amerikan i Shtetit ka rinisur intervistat për vizat studentore dhe ka vendosur udhëzime më të rrepta për verifikimin e rrjeteve sociale. Sipas një kabllogrami të dërguar ambasadave dhe konsullatave ditën e mërkurë dhe që është siguruar nga The Washington Post të gjithë aplikantët duhet të kenë llogaritë e tyre në rrjetet sociale të hapura për publikun, në mënyrë që të kontrollohen për qëndrime armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.
Kjo lëvizje vjen pasi takimet për viza për studentët e huaj u pezulluan muajin e kaluar, në kuadër të asaj që zyrtarët amerikanë e përshkruan si një fushatë ndaj universiteteve që dyshohet se nxisin antisemitizmin dhe rreziqe të tjera për sigurinë kombëtare. Administrata Trump gjithashtu e veçoi Universitetin e Harvardit muajin e kaluar për kontrolle shtesë për vizat, duke e quajtur një program pilot për masa më të gjera.
Procedurat e reja të verifikimit do të zbatohen për të gjithë shtetasit e huaj që aplikojnë për vizat F (kryesisht për studentë akademikë), M (për programe profesionale) dhe J (për shkëmbime edukative e kulturore). Rregullat vlejnë për të gjitha llojet e vizave studentore, pa dallim të institucionit ku aplikojnë.
Avokatët e arsimit kanë shprehur shqetësim se këto masa të reja mund të japin një mesazh të ftohtë për studentët e huaj që duan të studiojnë në SHBA. Disa kanë frikë se nuk do të bëhet vetëm verifikim mbi bazën e mediave sociale, por edhe një lloj testi politik për aplikantët.
“Shpresoj që kjo të mos i dekurajojë studentët ndërkombëtarë të vijnë në SHBA, dhe gjithashtu që të mos zbatohet në mënyrë të tillë që të sjellë një rritje masive në refuzime,” tha Sarah Spreitzer, shefe e marrëdhënieve qeveritare në Këshillin Amerikan për Arsim.
Kabllogrami, i nënshkruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, thotë se verifikimi do të përfshijë rishikimin e “pranisë online” të aplikantëve dhe se këto procedura do të hyjnë në fuqi për pesë ditë pune.
Gjatë kontrollit të profileve të aplikantëve, thuhet se stafi duhet të “identifikojë persona me qëndrime armiqësore ndaj qytetarëve, kulturës, qeverisë, institucioneve ose parimeve themeluese të SHBA-së; që mbështesin ose ndihmojnë terrorizmin e huaj apo kërcënime të tjera ndaj sigurisë kombëtare; ose që kryejnë ngacmime apo dhunë antisemitike.”
Stuart Anderson, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Kombëtar për Politikat Amerikane, një institut i pavarur kërkimor, tha se ende nuk është e qartë sa ngushtë apo gjerësisht do të interpretohen këto rregulla.
“Nuk besoj se ndonjë amerikan do të donte të gjykohej nga cicërima e tij më e keqe në Twitter,” tha ai.
Një interpretim më i ngushtë i udhëzimeve do të ishte më pak problematik, por një interpretim më i gjerë mund të çojë në refuzime të pajustifikuara për studentë që i plotësojnë kriteret, shtoi ai. Gjithsesi, kjo politikë përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si SHBA i trajton aplikimet për vizë.
“Historikisht, ne nuk kemi gjykuar njerëzit për bindjet e tyre para se të vijnë këtu,” tha ai.
Departamenti i Shtetit në një deklaratë me shkrim theksoi se qytetarët amerikanë presin nga qeveria të sigurojë vendin, veçanërisht në lidhje me sistemin e vizave.
“Sekretari Rubio po ndihmon për ta bërë Amerikën dhe universitetet e saj më të sigurta, ndërsa e sjell Departamentin e Shtetit në epokën moderne,” thuhej në deklaratë.
Si justifikim për zgjerimin e verifikimit, kabllogrami përmendte dy urdhra ekzekutivë nga Presidenti Donald Trump një për të parandaluar hyrjen e individëve armiqësorë të huaj dhe një tjetër për të luftuar antisemitizmin.
Kabllogrami gjithashtu thekson se është thelbësore të mbrohen institucionet e arsimit të lartë amerikan nga ata që synojnë “të vjedhin informacion teknik, të shfrytëzojnë kërkimin dhe zhvillimin amerikan, apo të përhapin informacion të rremë për arsye politike apo të tjera.”
Vendosja e këtij procesi të ri për të gjithë aplikantët në kolegjet dhe universitetet amerikane do të vendosë një barrë të rëndë mbi konsullatat, sipas kabllogramit dhe disa punonjësve të Departamentit të Shtetit që folën në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga ndëshkimi.
Një zyrtar tha se agjencia kishte lëshuar 446,000 viza studentore në vitin 2023.
“Nëse tani të gjithë duhet të kontrollohen për çdo informacion të papërshtatshëm në rrjetet sociale? Zyrtarët nuk kanë aq kohë.”
Kabllogrami e pranon ngarkesën e madhe që u kërkohet punonjësve konsullorë. Aty thuhet se stafi “duhet të marrë parasysh vëllimin total të programimeve dhe burimet që kërkon një verifikim i tillë i plotë.”
Në disa raste, mund të jetë e nevojshme që të planifikohen më pak intervista për viza studentore dhe për shkëmbime sesa më parë.
Kabllogrami gjithashtu sugjeron që zyrtarët e Departamentit të Shtetit t’u kërkojnë aplikantëve që të bëjnë publike të gjitha pjesët e llogarive të tyre sociale, dhe të vendosin penalitete nëse ata refuzojnë.
“Nëse ndonjë pjesë e llogarisë mbetet ‘private’ ose e kufizuar në ndonjë formë, duhet ta trajtoni rastin si çdo rast tjetër ku aplikanti nuk dorëzon informacion të kërkuar,” thuhet në kabllogram.
Në një fjali të theksuar me bold, theksohet:
“Duhet të merrni parasysh nëse ky refuzim për të ndarë informacionin tregon shmangie apo vë në dyshim besueshmërinë e aplikantit.”
Udhëzimet e reja për verifikimin e rrjeteve sociale nuk do të prekin vetëm aplikantët e rinj, por edhe ata që janë aktualisht në proces, përfshirë:
ata që ende nuk janë intervistuar,
ata që u është hequr intervista,
dhe ata që janë intervistuar dhe janë "gati për t’u aprovuar", por ende nuk kanë marrë konfirmimin përfundimtar.
Për të gjithë këto raste, oficerët konsullorë duhet t’u kërkojnë aplikantëve të bëjnë publike llogaritë sociale dhe më pas të kryejnë verifikimin sipas këtij kabllogrami. Nëse gjendet informacion potencialisht negativ, aplikanti duhet të refuzohet ose të thirret sërish për një intervistë tjetër.
Jill Allen Murray, zëvendësdrejtoreshë për politikën publike në NAFSA Shoqata e Edukatorëve Ndërkombëtarë u shpreh e lehtësuar që intervistat për viza po rifillojnë, por tha se ndërprerja disa-javore ka dëmtuar studentët ndërkombëtarë dhe komunitetet universitare që varen prej tyre.
**“Në këtë periudhë kritike të vitit, administrata duhet të lëvizë shpejt për të përshpejtuar dhe verifikuar në mënyrë efektive studentët dhe akademikët ndërkombëtarë, në mënyrë që ata të mund të kontribuojnë në komunitetet dhe ekonomitë lokale të SHBA.
Komente
