Situata e depozitimit të mbetjeve në Shkodër vijon të jetë problem për qytetarët e saj. Sot është dita e tretë që bëhet e pamundur depozitimi i mbetjeve për shkak të rritjes së çmimit të përpunimit me 43%.
Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi shprehet se bashkia ka bërë të mundur të menaxhojë situatën duke rritur numrin e mjeteve për të mbledhur mbetjet të cilat janë depozituar në këto makineri.
Ajo thotë se Shkodra ka probleme të mëdha me nevojën e depozitimit të menjëhershëm. Ademi thotë se mbrëmjen e djeshme ka pasur komunikim me Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku ku kjo e fundit është shprehur se po trajtojnë çështjen teksa këtë të premte pritet dhe një komunikim për çështjen në fjalë.
Kryebashkiakja e Shkodrës thotë se nëse çështja nuk do të zgjidhet, Bashkia e Shkodrës do të bëjë përpjekje për të gjetur një mënyrë alternative për heqjen e mbeturinave nga qyteti dhe njësitë administrative.
“Nëse mbetjet ndodhen në fushë, në zonën e qytetit, ne do të gjejmë një vendndodhje tjetër, të përkohshme për heqjen e tyre. Kjo si një mënyrë emergjente, e përkohshme, deri në zgjidhjen e çështjes” – thotë Ademi.
Landfilli i Bushatit vendosi të ulë traun dy ditë më parë duke mos lejuar asnjë kompani që të depozitojë mbeturinat. Sipas drejtuesve të firmës, kamionët nuk kanë nënshkruar kontratën e re me çmimin e ri për depozitimin e mbetjeve.
Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës votoi rritjen e tarifës së përpunimit të mbetjeve urbane në landfillin e Bushatit. Shoqëria ndërkomunale Bushat kërkoi një rritje e pagesës me 43% të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landfill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar dhe tarifa e re pritet të aplikohet në fillim të 2021 për bashkinë e Shkodrës dhe të Lezhës.