Kuvend

Deputet, nga 'Hiçi'

29 Korrik, 08:07| Përditesimi: 29 Korrik, 08:08

  • Share

Ka 34 vjet, që në Shqipëri, zgjidhen deputetë që nuk kanë punuar qoftë edhe 1 ditë të vetme. Ka 34 vjet, që Parlamenti mbushet me emra, njerëz, dhe figura, që ngrenë dorën “amin o hoxhë”, marrin pjesë rrallë në punimet e Komisioneve apo Parlamentit, marrin edhe rrogën e majme në fund të muajit, dhe kaq. Ky ka qenë dhe ndoshta ky do të mbetet edhe për 4 vitet e ardhshme Parlamenti ynë. Ky do të mbetet edhe për 4 vitet e tjera, profili i “deputetit”, që kemi votuar dhe do të votojmë, pa e ditur se cilin, dhe kë, po çojmë në Kuvendin e Shqipërisë. Ka 34 vite që kemi deputetë “aksidentalë”, që kanë hyrë në Parlament si rrjedhojë, e parave të paguara ditën e fundit të hartimit të listave, që kanë bërë të “fortin”, apo “bërrylit” të vënë nga ai që ka ndikim të madh tek kryetari.

Vetëm në Shqipëri ka ndodhur, dhe po ndodh që, deputet bëhesh pa patur kontribute pune, nivel maksimal formimi, arsimimi, punësimi, apo dhe vlerësimi shkollor dhe universitar. Në Parlamentin tonë, ka patur, por ka edhe sot, burra dhe gra, që kanë në xhep mandatin e deputetit, që nuk e kanë idenë fare të hartimit të një diskutimi mbi ligjin që miratojnë, mbi kundërshtitë e një projektligji, apo pse po votojnë “pro” apo “kundër” tij. Dhe kjo duhet parë në kohë. Shkaku duhet kërkuar dhe gjetur në kohë, pasi nuk u bë praktikë pune sot. Në partitë politike në Shqipëri, kanë gjetur “strehë” dhe janë futur në lista deputetësh në 34 vjet, (veç Parlamentit të 1992-1996 ku kishim me shumicë akademikë e profesorë) mashtrues, abuzues, të pashkolluar, të paformuar, dhe të fshehur edhe pse me precedentë penalë.

Mjafton të hapësh arkivat e televizioneve, për të parë skandale, sherre, debate, grushta, dhe plumba në korridoret dhe kafanetë e Parlamentit. Aq shumë është përdhosur mandati i deputetit, aq sa ka vajtur në pavlefshmëri ambicja e ndonjë intelektuali, profesori apo doktori shkencash, për të qenë pjesë e listave. Intelektualët sot e shohin me frikë Parlamentin, e shohin me dyshim formën dhe procesin e futjes në lista partish, për të qenë kandidatë, dhe pastaj ndoshta edhe deputetë në atë sallë. Filozofi turk, Ihsan Sartuk ka thënë se “Parlamenti është pasqyrë e atyre që drejtojnë partitë politike”.

Në Parlamentin e Shqipërisë, ka dhjetra e qindra raste kur , njerëz të ardhur nga “Hiçi”, arritën të bëheshin deputetë falë rrugëve dhe formave të dyshimta, të kapnin vende kyçe në partitë e tyre, arritën të bëheshin ministra dhe kryeministra, ashtu siç arritën që sot, të kenë miliona e miliarda në banka. Çdo të thotë kjo ? Si ka mundësi të poshtërohet mundi dhe kontributi i studentëve të 1990, që u ngritën në protesta për të shembur të keqen, dhe jo për të ngritur në sistem absurditetin, maskarallëkun, pushtllëkun, hajdutërinë, dhe kriminalitetin e moderuar. E ç’rëndësi ka nëse Parlamenti votoi apo nuk votoi “ndryshimet në Kodin Zgjedhor”.

Asgjë nuk do të ndryshojë në klimën dhe mentalitetin e drejtimit të partive dhe hartimit të listave, bazuar mbi kritere strikte. Do të jenë deputetë sërish, ata që nuk e kanë firmosur njëherë të vetme në “bordero”, ata që nuk njohin dhe as kanë takuar kurrë njerëzit e zonës së tyre elektorale, dhe do të vazhdojnë të paguhen me miliona nga taksat tona, derisa të dalin në pension si “ligjëvënës”, pa patur 1 ditë punë në jetën e tyre. Kështu e ndërtuam dhe e pranuam ne demokracinë, “allashqiptarçe”, larg, shumë larg asaj europiane dhe perëndimore.

Dikush duhet të mbajë përgjegjësi , për gjendjen ku ndodhet sot Parlamenti ynë. Dikush duhet të akuzohet publikisht nga shqipëtarët sot si “shkaktari kryesor i shkatërrimit të vlerave të tempullit të demokracisë”. Dhe “gishti” dihet ku shkon, drejtohet atje nga ku kanë ardhur në 34 vite, gjithë vuajtjet dhe shkatërrimet e këtij vendi, tek njeriu që i është “qepur” këmba-këmbës të ardhmes së shqiptarëve, vetëm për të mbajtur të paprekur të ardhmen e tij si “kryetar opozite” edhe për 4 vite të tjera.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • tani tirane: 29/07/2024 10:00

    Turo shume sakte kete absurd e futi PD saliu dhe salite e asaj partie turp kemi deputete qe nuk meritojne si PD si PS RAMA KA DREJTE

    Përgjigju
  • Ngjela: 29/07/2024 08:32

    Hiçin kryeminister e censuroi Rama

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?