Ngërçi në PD, deputetët demokratë në Gjykatën e Apelit: Të merret sa më shpejt një vendim, PS e interesuar të shtyjë gjykimin e çështjes

4 Tetor 2022, 12:49| Përditesimi: 4 Tetor 2022, 14:00

  • Share

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ishin sot të pranishëm në Gjykatën e Apelit, teksa ende nuk ka një vendim për çështjen e kontrollit të partisë. Ashtu siç pati paralajmëruar një ditë më parë, deputeti Dash Sula kërkoi informacion në gjykatë se kur mund të shqyrtohet çështja, ndërsa ishte i shoqëruar nga deputetët Andia Ulliri, Arbi Agalliu dhe Saimir Korreshi.

Sula njoftoi se sipas informacionit nga Gjykata, kjo çështja e PD-së nuk është planifikuar të shqyrtohet tani afër. Sula tha sërish se persona të caktuar nga maxhoranca janë të interesuar që të mbajnë peng shqyrtimin e vendimit. Ai theksoi se Apeli duhet të japë një vendim përfundimtar, ndërsa shtoi se do të bëjnë sërish një tjetër kërkesë për përshpejtim të gjykimit të çështjes, ndonëse një kërkesë e tillë është bërë edhe në muajin maj. Sipas Sulës, nuk iu intereson se për cilën palë do jepet vendimi, por është e rëndësishme që të marrë fund kjo agoni.

“Hymë brenda  e verifikuam, na u dha, dosja me gjyqtare Elona Toro nuk është planifikuar për tu gjykuar. Ne gjykojmë dhe mendojmë, pa dashur të bëjmë presion, persona të interesuar nga maxhoranca apo aktorë të tjerë politikë janë të interesuar që kjo çështje të mos gjykohet sëshpejti në gjykatën e Apelit. Jemi këtu para që ky vendim të gjykohet një sahat e më parë. Kërkojmë të marrë fund kjo agoni. Përsa kohë një vendim gjykate mbahet peng, kjo është në dëm te demokracisë sepse ndikon në mbarëvajtjen e punës së PD. Është  e padiskutueshme që interesi është i Ramës dhe PS. Persona të caktuar, nuk po përmend emra, kanë interesa që arritur puna e PD-së në këtë pikë. Nuk është faji ynë, jemi demokratë, kemi lindur demokratë dhe do vdesim demokratë. Nuk është planifikuar fare për gjykim. Do i paraqesim dhe një shkresë, si një palë e interesuar për të përshpejtuar vendimin s’jemi të interesuar për kë shkon vendimi na intereson vendimi përfundimtar, marrja e një vendimi final”, tha Sula.

I pyetur se çfarë strategjie do të ndjekë grupi parlamentar i PD-së për zgjedhjet vendore, Sula tha për gazetaren Danjela Maloku se duhet të dalin me një kandidat të përbashkët, ndërsa do kërkohet vullnet nga të dyja palët për këtë çështje.

“Do kërkohet një vullnet i përbashkët i dy palëve. Duhet të jemi me kandidat të përbashkët. Jemi në një realitet që kërkojmë gjykim të ankimit. Nëse kjo trupë ka pengesa nga trupa të caktuar është tjetër gjë. S’ka asnjë lloj arsyeje që ky gjykim të vonohet. Nuk i përket vetëm demokratëve, por gjithë shqiptarëve”, tha Sula.  

Deputeti Korreshi tha se nuk duan që të përsëritet një 6 mars i dytë, por të jepet një vendim përfundimtar.

“Nuk duam një 6 mars të dytë. Me një 6 mars asnjëra nga partitë nuk arrin fitoren, e kemi prioritet para se të nisim negociatat”, u shpreh ai.

Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimin e Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike, sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës. Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeaj duke legjitimuar atë si ankues, duke pranuar të drejtën e ankimin, dhe duke konstatuar që ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv dhe i paligjshëm. 

Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD perfaqësuar nga Alibeaj  ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel të vendimit të Zhukrit. Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë ankimimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës, por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë padinë e Rithemelimit për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022. Nëse vendimi i Zhukrit rrëzohet në apel, Sali Berisha e humbet sërish kontrollin e PD që në fakt e mori pa pritur shkallët e tjera të vendimit.

Ora 13:32
Zgjedhjet vendore, Salianji: E gjithë opozita do të dalë me një kandidat! Përçarja në parti nuk zgjidhet me vendim gjykate

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka komentuar zgjedhjet vendore 2023. Pavarësisht se PD është e ndarë në dy kampe, Salianji u shpreh i bindur se e gjithë opozita në tërësi do të dalë me një kandidat të përbashkët. Salinaji tha për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku se nëse do të ketë devijime dhe PD do të dalë me dy kandidatë, do të mbajnë përgjegjësi përballë demokratëve ata që kanë përsipër rolin drejtues.

Një koment ai e pati edhe për çështjen e kontrollit të PD-së, ku u shpreh se gjykata duhej të kishte përshpejtuar vendimin.

“Gjykata duhej të përshpejtonte vendimin, duke qenë se bëhet fjalë për gjithë funksionin e institucioneve dhe opozitën, por përtej kësaj çështja e PD është një çështje që zgjidhet me vullnetet e përfaqësuesve të saj, barra më e madhe do jetë për ata që e drejton, ata kanë detyrimin të japin zgjidhje dhe të dalin me një kandidat, çdo devijim për interesa personal, këtu do jemi dhe do ta komentojmë. Do jenë përgjegjës para demokratëve duke i ulur vlerën përballjes me kundërshtarin politik që është Edi Rama. Unë jam i bindur që PD dhe opozita në tërësi do dalë me një kandidat. Do bëj çdo përpjekje për të pasur një kandidat. Nuk bëj më asnjë beteje për të bërë garë se kush prej karrierave do akumulojë ndonjë kapital të vogël politik për të tenderuar pastaj brenda opozitës”, tha Salianji.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 05/10/2022 01:50

    Jo o Salianji percarja e partise nuk zgjidhet me vendim gjykate ,por me /coup d'etat/ brenda partise,sic tentoi Berisha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?