Takimi i Bela Bozsik dhe Arbëreshë Kryeziu-Hyseni

​Deputetët dhe ambasadori i Hungarisë flasin për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

16 Shtator, 14:44| Përditesimi: 16 Shtator, 14:49

  • Share

Pas takimit që ka zhvilluar Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, kryetarja në këtë komision, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se kanë diskutuar për disa çështje që Kosova të ndihmohet për të ecur përpara në agjendën e saj evropiane.

Ndërsa ka shtuar se kanë biseduar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

"Kemi diskutuar për raportet që Kosova ka me Hungarinë, por me theks të veçantë për atë që Hungaria tashmë e ka kryesimin e presidencës së BE-së, dhe sigurisht se brenda kësaj periudhe kohore sa ata e mbajnë kryesimin e presidencës synimi është që ne si Kosovë t'i shtymë përpara çështjet që konsiderojmë se janë me interes të shtyhen përgjatë kësaj periudhe kohore.

Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtarë të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t'i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë specifikisht me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në", tha Kryeziu-Hyseni.

Kryeziu ka thënë se kanë dërguar një ftesë te homologu në Budapest dhe presin që deri në fund të këtij viti Komisioni për Politikë të Jashtme i Hungarisë të vizitojë Kosovën.

"Ne synojmë që të rrisim bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Hungarinë edhe në nivelin ndërparlamnetar, prandaj kemi dërguar një ftesë tek homologu në Budapest dhe presim që Komisioni për Politikë të Jashtme i Hungarisë të vizitojë Kosovën deri në fund të këtij viti në mënyrë të intensifikojmë raportet nderparlamentare, por edhe të njëjtën kohë të ndërtojmë një bashkëpunim të mirëfilltë në mënyrë që deputetët të mund të shohin nga afër se sa e rëndësishme është që Kosova të ndihmohet për të ecur përpara në agjendën e saj evropiane", ka shtuar ajo./KosovaPress/

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?