Ish-deputeti i PD-së Myslim Murri i ftuar në ‘Frontline’ të moderuar nga Marsela Karapanço në Report Tv, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, duke filluar nga qeveria e re, problemet në PD dhe kandidatin e PD-së për Bashkinë Tiranë.
Murrizi ka deklaruar se ministrja e gjeneruar nga Artiligjenca Artificiale ‘Diella’, është tallje me 4 prefekturat e veriut, pasi sipas tij Rama nuk ka vendosur asnjë ministër nga veriu i Shqipërisë.
“Është antikushtetuese që të dekretosh një abstrakte që nuk jeton. e dyta ne nuk heqim dorë nga mentaliteti komunist, po të ishte funksionale, Japonia, SHBA apo Singapori kishte bërë 10 Diella, por e bën Rama njësoj sikur rrit fiktivisht numrin e femrave në qeveri dhe Parlament.
Me këtë ka dashur të tallet me 4 prefekturat e veriut, nuk ka asnjë ministër nga veriu. Asnjë nga Lezha, Shkodra, Kukësi dhe Dibra, dhe i ka përfaqsuar me Diellën.
Është një lokal në Lezhë, Diella, siç duket duhet të ketë qenë Rama atje kur ka qenë në opozitë, se tani shkon tek Nusreti, edhe veshjen e ka marrë nga veriu. Tani kam hallin e Altinit? Nëse Diella shkel tenderi, çfarë bën Altini”, tha Murrizi.
Ndërsa sa i përket ndryshimeve të njëanshme në rregulloren e Kuvendit, Murrizi tha se Rama shkeli marrëveshjet 35-vjeçare mes mazhorancës dhe opozitës.
“Unë shoh edhe gabimet drastike të PD. që nga 2017, duke filluar me çadrën. Hymë në zgjedhje rrëmujthi, bëmë 22 ditë fushatë dhe me një marrëveshje që nuk u morë kurrë vesh. Një pjesë e asaj marrëveshje qëndron edhe sot. Avokatja e Popullit një ndër to.
Por sot Rama i prishi të gjitha marrëveshjet 35-vjeçare. Edhe rregullorja e Kuvendit miratohet me dakordësinë e dy palëshe, sot ai nuk i pyeti. Kryetari i KLSH, ka qenë një marrëveshje që e merrte opozita, u shkel edhe kjo. Të gjitha këto nuk janë në ndonjë rregullore, ka dashur politika dhe e ka bërë dhe kur e ka pasur mirë me veten, është mjaftuar me këtë kontratë demek mes palëve”.
Murrizi po ashtu ka shpërthyer ndaj deputetëve që dolën nga lista e mbyllura të PD-së, pasi tha se janë një tufë ‘brumbujsh’ që nuk kanë marrë asnjë votë. Ndërsa më tej, ish-deputeti demokrat bëri thirrje për ndryshimin e reformës zgjedhore.
“Aty janë një tufë brumbujsh, që u futën në listat e mbyllura si qelbësira, dhe tani flasin në emër të qytetarëve! Të kujt qytetarëve? Këta nuk kanë asnjë votë në kurriz. Më thuaj sa vota ka marrë Berisha? 0, se 7250 vota janë të miat. Shumicën e votave, PD i mori nga emra, 18 mijë ka Tabaku, 17 mijë Alihmehmeti, 7330 Asllan Dogjani, 7200 Myslimi. Pra sa vota ka Strazimiri, Ina Zhupa, Gaz Bardhi, Gent Strazimiri apo Boçi? Që unë të shkoj pas tyre, duhet që këta sot të flasin për reformën zgjedhore që t’i japin fund këtij çifti bastard Bylykbashi-Gjiknuri.
Opozita ka vetëm fjalën dhe të marrë nisma që të mbrojë qytetarët dhe kauzat e tyre. Ato nisma që duhet ti dëgjoj nga opozita, i dëgjoj nga goja e Ramës, sepse për sa kohë që unë nuk kam dëgjuar asnjë fjalë nga Berisha për 101 deputetët kam dilemat e mia”, theksoi Murrizi.
Një ndër temat që u diskutua në ‘Frontline’ ishte gara për Bashkinë Tiranë, teksa Murrizi përmendi emrin e Jorida Tabakut si kandidate potenciale.
“Unë mendoj se morëm një mësim në 11 maj dhe deputetja më e votuar ishte Tabaku. Duke qenë se është e artikuluar, tironse apo ka qenë në të njëjtën bankë me Manasterliun, do të ishte një betejë e mirë zonjash. Do të na motivonte. Tiranës i duhet një administratore, dhe Jorida me formimin e saj të ekonomisë është e duhura”, u shpreh Murrizi në Report Tv.
Komente
