Gazment Bardhi

Politikë

Deputetët e PD takime me shqiptarët në SHBA! Bardhi: Po kërkojmë që të votoni edhe me dokumente të huaja

11 Shkurt, 13:07| Përditesimi: 11 Shkurt, 13:09

  • Share

Nga shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zhvilloi një takim me diasporën në Michigan, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi tha se emigrantët do të kenë mundësi të votojnë më 11 maj për meritë të presionit që bënë vetë emigrantët. Bardhi tha se PD po i kërkon qeverisë me insistim të plotësojë kushtin e saj për të votuar çdo emigrant, edhe ata me dokumente të huaja.

“Ju jeni forca kryesore. Sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se ata që jetojnë në Shqipëri, dhe si e tillë, fatmirësisht tani jeni të përfshirë dhe vendosni për jetën politike të vendit tonë. Prandaj, ju kërkoj të mos e neglizhoni, ju kërkoj të regjistroheni dhe të votoni në masë në zgjedhjet e 11 majit. Shqipëria ka nevojë për ju dhe ju duhet të jeni aktivë.”

Deputetja Jorida Tabaku tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të vështirë.

“Ne ndodhemi në një udhëkryq të vështirë, si për ju këtu në raport me Shqipërinë, ashtu edhe për familjet tuaja që jetojnë atje. Por besoj se, së bashku, me votën e diasporës mund të bëjmë ndryshimin. Ndaj, nuk duhet të hezitojmë! Nuk kërkojmë votën kot, por sepse kemi një program të qartë, të cilin po e prezantojmë. Ky program është në shërbim të meritokracisë, një vlerë që ju e prekni çdo ditë në SHBA, por që në Shqipëri mungon.”

Deputeti Bledion Nallbati tha se vetëm falë diasporës, Partia Demokratike ka shansin që më 11 maj të bëjë realitet ndryshimin.

“Të dashur miq! Sot ju keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm falë angazhimit tuaj, falë përfshirjes tuaj, Partia Demokratike do të ketë shansin të bëjë realitet ndryshimin, të angazhohet për të kthyer Shqipërinë në shinat e zhvillimit dhe integrimit, duke larguar një qeveri që e ka varfëruar dhe inkriminuar.”

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A është veprim i duhur nga SPAK arrestimi i Veliajt 3 muaj para zgjedhjeve?