TIRANË- Pas SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme, edhe anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare janë pozicionuar kundër planit për përgjime nga policia pa lejen e prokurorisë. Gjatë diskutimeve në parim për nismën ligjore, të zbardhura nga Raport Tv, deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, i ka dhënë një mesazh ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, teksa tha se ministri i Brendshëm nuk ka punë me përgjimet. Qafalia ka pohuar se ky plan i ul vlerat një shteti normal, pasi përgjimi është kompetencë e prokurorisë. Qafalia ka shprehur shqetësimin se përgjimi nga policia pa lejen e prokurorisë cenon të drejtat e njeriut.
Nga ana e tij, ministri Lleshaj ka mbrojtur projektligjin në Komisionin e Sigurisë, duke pohuar se sot në Shqipëri përgjime bën kushdo, madje deri në dhomën e gjumit. Ministri ka policia përgjon edhe sot, duke shtuar se kjo kompetencë thjeshtë po formalizohet në ligj. Deputeti Qefalia ka pohuar se nëse policia vijon të përgjojë pa pyetur prokurorin, atëherë po shkel ligjin. Ndërkaq, nisma është kundërshtuar edhe nga rehatoja e projektligjit Elena Xhina. Sipas saj, nuk mundet që përgjimi të kalojë tek titullari i policisë, në kushtet kur përgjimi miratohet nga prokurori.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ermonela Felaj ka pohuar se përgjimi ka shkaktuar gjithmonë probleme në opinionin publik, ndërsa ka sugjeruar në këtë pjesë. Kundër përgjimit nga policia pa miratimin e prokurorisë është shprehur edhe deputeti Mylsim Murrizi. “Ju jeni politik atje, siç e thanë edhe kolegë të tjerë, pse duhet të jeni ju kapoja i procedurë së hetimit, e përgjimit parandalues dhe duhet të dini, ju personalisht si ministër, se çfarë bëjnë oficerët e Policisë Gjyqësore në parandalimin e krimit?”, ka pohuar Murrizi.
Debatet në Komisionin e Sigurisë për përgjimet dhe hetimet nga Policia
-Elena Xhina, relatore: Ne si deputetë duhet të jemi të kujdesshëm për aspekte që prekin liritë dhe të drejtat e njeriut. Për këto ndryshime ka ardhur edhe një opinion nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilit unë do t’i referohem. Ministrit tha se projektligji është konsultuar me shumë aktorë dhe grupe të interesuara. Do të doja të kishim një tabelë në dispozicion, për të parë edhe ne se kush ka dhënë mendim për këtë projektligj.... Neni 131 është një nen shumë i potë dhe nuk ka nevojë për ndryshime. Ne këtë nen përsëri prekim fushën e hetimit... Është fakt që policia sot kryen gjurmime nëpërmjet përgjimit. Por, në ligjin ekzistues të gjitha këto veprime kryhen vetëm me miratimin e prokurorit. Pra, i bëhet një kërkesë prokurorit, i cili merr miratimin në gjykatë dhe lejon më pas përgjimin. Ndryshimi sjell që këto përgjime mund të kryhen vetëm me miratimin e titullarit të policisë vendore apo qendrore. Për mua kjo përbën shumë problem dhe duhet parë me shumë kujdes nga komisioni, pasi prek një asket që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Nuk mundet që përgjimi të kalojë tek titullari i policisë, kur përgjimi miratohet nga prokurori. Edhe po ti referohemi ligjit për komunikimet elektrike, në nenin 7 të tij, thuhet që kërkesa për përgjim të miratohet nga Prokurori i Përgjithshëm ose nga një prokuror i autorizuar prej tij. Do të sillja në vëmendje një vendim të Gjykatës Kushtetuese në kohën kur u ngrit një padi lidhur me Byronë e Hetimit, ku thotë se se ‘bashkimi në një dorë i veprimtarisë gjurmuese me atë hetimore është një zgjedhje e papërshtatshme dhe e papranueshme në një sistem politiko-penal të bazuar në modelin akuzator, ku kërkohet një ndarje e saktë midis funksioneve të gjurmimi, hetimit, ndjekjes penale dhe gjykimit të çështjes. Një bashkim i tillë krijon premisa potenciale për arbitraritet...”.
-Sandër Lleshaj: ....në cilin pushtet e konsideroni ju prokurorinë, gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv? Besoj se jeni të qartë se në shumë vende të botës prokuroria është pjesë e pushtetit ekzekutiv. Në shumë vende, ministri i Drejtësisë e ka në varësi të plotë prokurorin e përgjithshëm. Në Shqipëri është zgjedhur një model tjetër. Por, kjo nuk do të thotë që ne të lëmë policinë pa instrumente për kryerjen e misionit të saj. Nëse policia aftësohet për të kryer detyrën e saj kushtetuese çfarë lidhje ka kjo me balancimin e pushtetit.
-Xhemal Qefalia: A është biseduar me organizatat që monitorojnë respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut?
-Sandër Lleshaj: Çfarë shqetësimi perceptoni ju z. Qefalia në këtë aspekt. Policisë i janë dhënë disa kompetenca që i ka, thjeshtë janë modifikuar. Përgjimin ambiental e bën edhe sot policia. Ne kemi reduktuar kohën e përgjimit dhe ia kemi dhënë drejtorit të policisë. Flasim për përgjimin ambiental. A ju ka bërë përshtypje që në mediat e Shqipërisë të kemi çdo ditë përgjime ambientale të kryera nga përfaqësues të medias, përgjime që hyjin deri në dhomën e gjumit? Janë jashtë çdo lloji penalizmi. Sot përgjime ambientale në Shqipëri bëjnë të gjithë. Ne thjeshtë po bëjë një rregullim.
-Xhemal Qefalia: Janë të paligjshme...
-Sandër Lleshaj: Ta mbaroj o Xhemal. Sot përgjime bëjnë të gjithë. Ne i marrim të mirëqena, shkarkojmë njerëz nga puna etj. Këtu po flasim për diçka krejt tjetër, për një nivel shumë më të zbehtë që t’i policisë një kompetencë që e ka çdo polici që duhet të parandalojë krimin. Kontrolli se si zbatohet kjo i është lënë kryeprokurorit, drejtuesit të SPAK dhe ministrit të Brendshëm. Nuk shikoj asnjë mundësi abuzimi me këtë kompetencë.
-Elena Xhina, relatore: Unë si relatore mund të bëj komente dhe pyetje, pavarësisht se çfarë përfaqësoi unë. Ato shqetësime që unë kam ngritur, janë ngritur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Do ju ftoja herë të tjetër t’i merrni më me qetësi pyetjet që ne ju bëjmë.
-Xhemal Qefalia: Unë do të sillja në vëmendje, se pavarësisht shembullit që ju sillni se përgjon media etj., kushdo që përgjon në kundërshtim me ligjin, pa marrë miratimin paraprak të prokurorit, të gjithë janë në shkeljet të ligjit. Nëse ju si polici vazhdoni ta bëni këtë, edhe ju po të njëjtën gjë bëni shkelni ligji. Tani që kërkoni ta vendosni në ligj, unë mendoj z. ministër se kjo i ul vlerat një shteti normal. Nuk ka punë ministri të ketë dijeni se kush po përgjohet. Ministri është person politik dhe i shërben politikave që ndjek ministria. Organet kompetente që konsiderohen të pavarura, siç është prokuroria dhe SPAK, ato janë në ndjekje të krimit. Nuk ka lidhje që ministri të informohet për një individ që po përgjohet tek Stacioni i Trenit apo në bulevard. Unë mendoj që ky element zonja kryetare duhet të shikohet me qetësi, duke pasur në konsideratë, pasi krijimi i situatave të tilla do të ketë indikacion shumë të madh tek shoqëria civile dhe tek organizatat që monitorojnë liritë dhe të drejtat e njeriut.
-Ermonela Felja, kryetare e Komisionit të Sigurisë: Është e vërtetë ajo që thotë z. Qafaliaj, ju jeni përfaqësues politik, nuk e keni shkruar ju ligjin, janë angazhuar njerëz teknikë, kështu që do ishte mirë që ne atë në fakt t’i kishim sot prezent, në mënyrë që të merrnim përgjigje për çdo pyetje. Nuk besojnë se na vlejnë komentet me shumë se sa përgjigjet e sakta teknike. Nga ana tjetër, kolegët kanë shqetësimin e cenimit ose jo të lirive dhe të të drejtave të njeriut, dhe përgjimi është një akt i tillë. Jo më kot disa herë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është investuar në diskutimin e çështjeve të tilla. Përgjimi ka shkaktuar gjithmonë problem në opinionin publik sa herë që është keqpërdorur, nuk është përdorur në funksion të mbledhjes dhe grumbullimit të të dhënave, se përgjimi në vetvete nuk është një provë, por një mjet për kërkimin e provës (këtë parashikon Kodi i Procedurës Penale). Në momentin që është keqpërdorur apo është përdorur për shantazh, sigurisht që ka krijuar një tollovi të madhe në publik ose në jetën privatë të dikujt. Kështu që, patjetër që kërkohet kujdes në këtë pjesë, por mendoj se këtë diskutim t’ia lëmë në detaje Komisionit të Ligjeve, meqenëse background-i i kolegëve atje lidhet specifikisht me këtë fushë, kurse ne të përqendrohemi në pjesën e atyre atributeve, që duhet t’i njihen më tej Policisë së Shtetit, që ajo të kryerje si duhet misionin e saj, mision që përcaktohet në ligjin organik të Policisë së Shtetit.
-Myslim Murrizi: Së pari, relacioni i koleges Elena Xhina, ishte shumë i qartë dhe në mbështetje të të gjitha shqetësimeve që ngriti kolegu Qefalia. Absolutisht nuk e shoh me vend marrjen e kompetencave të prokurorisë nga policia. Ministri na tha se ndryshimet e ligjit të policisë sjellin dy burime: krijimin e Komitetit Kombëtar për Parandalonim e Krimit të Organizuar, i cili kishte nën të Prokurorin e Përgjithshëm, është një debat që është bërë edhe të OFL-ja e famshme, dhe e dyta, përgjimet ambientale. E dëgjova ministrin të thotë: “Përgjojnë mediet”. Po, z. Ministër, përgjojnë mediet, edhe qytetarët përgjojnë njëri-tjetrin, madje ka edhe sadistë që përgjojnë veten, siç është një video e fundit e një gazetareje të televizionit shqiptar (e kanë si hobi ata), por kjo nuk do të thotë se është ligjore, është Kushtetuese dhe përbën provë. Ju jeni politik atje, siç e thanë edhe kolegë të tjerë, pse duhet të jeni ju kapoja i procedurë së
hetimit, e përgjimit parandalues dhe duhet të dini, ju personalisht si ministër, se çfarë bëjnë oficerët e Policisë Gjyqësore në parandalimin e krimit? Pra, kjo jo vetëm bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, por e shoh edhe kthim mbrapsht në kohë.
-Xhemal Qefalia: Sot e ka policia këtë atribut, çdo kryekomisar mund t’i drejtohet prokurorit për të marrë një autorizim për të përgjuar një person të caktuar dhe prokurori ia jep. Sot ligji nuk parashikon një afat kohor për të. Oficeri i policisë e ndjek aq kohë sa është e nevojshme, thotë ligji.
-Xhemal Qefalia: Z. Ministër, edhe mund të mos ia japë.
-Sandër Lleshaj: Sigurisht, ia jep ose jo, por, kur ia jep, e ka pa afat. Bëhet fjalë për përgjim
të fshehtë ambiental dhe procedural. Bëhet fjalë për një përgjim, i cili synon gjetjen e provave për të shkuar në një proces penal më tej.
-Myslim Murrizi: Çfarë pengese keni pasur deri tani me prokurorinë në praktikën tuaj?
-Sandër Lleshaj: Na mungon gjithçka, për arsye se policia nuk ka asnjë kompetencë për të ushtruar misionin e saj të parandalimit. Për sa i përket asaj pse të jetë te ministri, nuk e ka ministri kompetencën operacionale të dijë se kush përgjohet, e tha edhe z. Qefalia. Nuk e ka ministri. Ministri ka përgjegjësinë për të kontrolluar nëse policia e bën mirë këtë punë apo jo. Këtë punë do ta bëjë, sepse ministri është përfaqësues i interesit publik, prandaj është vendosur.
Ec e lere jeten tone ne dore te policve kokepalare qe jane pale me kriminelat. Sander Leshi ze ne goje vendet e tjera sikur ndonje vend ne bote i lejon pergjimet kshu si do ai.Ne itali nuk e jep lejen prokurori por gjykatesi dhe drejtesia eshte e pavarur. Ne france spanje e gjermani po ashtu, kush eshte ky vendi qe e ka drejtesine ne dore te ekzekutivit? Hungaria e Orbanit? Ashtu shteti duam te behemi?
PërgjigjuMis e ngaterro italine me shqiperine. Ne itali eshte tjeter sistem. Atje ka koncept gjykates hetimi paraprak. Prokuroria dhe gjyqsori jane ne te njejtin sistem. Nuk ka ndarje so tek ne.