Në komisionin parlamentar të sigurisë ku u diskutua projektligji për amnistinë, deputetët e Partisë Socialiste, përmes pyetjeve drejtuar zëvendës ministrit të Drejtësisë Klajd Karameta, propozuan mundësinë e zgjerimit të veprave penale të përfshira në amnisti.
‘Disa vepra penale siç është peshkimi i ndaluar. Nëse është i dënuar ju i amnistoni, nëse është në ndjekje penale për peshkim të ndaluar, nuk e amnistoni. Apo prerje të paligjshme të pyjeve. Nëse është i dënuar amnistohet, nëse është në ndjekje penale ku parashikohet deri një vit nuk amnistohet.’- tha Nasip Naço.
Ndërsa deputeti Bujar Çela tha se duhet të amnistohen edhe ata që dënohen me gjoba për ndërtime pa leje.
‘Ka shumë vepra penale që trajtohen në këtë amnisti. Duhet të zgjerohet spektri i përfituesve. Kemi të dënuar që janë rrahur me njeri-tjetrin dhe vazhdojnë të jenë të dënuar sipas Kodit të Procedurës Penale, edhe pasi ata mund të jenë pajtuar pasi ka qenë një zënkë ordinere. Unë dua të di në këtë spektër nuk mund të përfshihen edhe...se dënim është edhe gjoba për disa ndërtime pa leje kasolle, shtesa banjosh, avlli për të sistemuar familjen.
Kur themi të përfitojmë duhet të përfitojnë edhe ata që janë me detyrim me paraqitje. Shpresoj që spektri i kësaj amnistie duhet të shtohet akoma më shumë sepse është shumë i cunguar. Shpresojmë që kur ta diskutojmë nen për nen të jetë më i qartë dhe propozimet tona.’- tha Çela.
Deputeti Denis Deliu kërkoi zgjatje të afatit të amnistisë deri më 31 Dhjetor 2023 nga 30 Nëntor 2023 dhe u kërkoi deputetëve të opozitës që të gjejnë gjuhën dhe të bashkohen e të votojnë së bashku këto nisma të mëdha.
Lajmi kryesor:
4 muaj kaos, ‘amnistia’ bën bashkë socialistë e demokratë! Xhaferaj e Kryemadhi në mbledhje online, me draft për amnistinë
M.Q./ReportTv.al