Kosova & Rajoni

Dështon për herë të njëmbëdhetë konstituimi i Kuvendit të Kosovës! Nuk u ngrit komisioni i votimit për zgjedhjen e kryetarit! Kurti fton LDK-në për koalicion me LVV-në

5 Maj, 09:43| Përditesimi: 5 Maj, 18:19

  • Share

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.

Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se deputetët mund t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.

Para përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit, më 1 maj, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ftoi në takim udhëheqësit e PDK-së dhe të LDK-së.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, pranoi ftesën, por pas takimit ai nuk njoftoi për një ujdi se si të shkohet përpara.

Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.

Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Pse po refuzohet Haxhiu?

Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar, madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra - Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi - nga partia e kryeministrit në detyrë, Kurti, të cilat ka thënë se do t’i votonte.

LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Por, LVV-ja ka argumentuar se Haxhiu është kandidate meritore dhe ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.

Partitë, që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po synon që të imponojë votimin e Haxhiut dhe me “qëllim po bllokon procesin”, pasi kanë argumentuar se kjo parti nuk i ka as votat për Qeverinë e re të Kosovë – proces që pason konstituimin e Kuvendit – për formimin e së cilës po ashtu kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Por, LVV-ja ka thënë se nuk po i detyron partitë që ta mbështesin kandidaten e tyre për kryeparlamentare. Kjo parti, ka thënë se nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për një cikël të ri zgjedhor, si opsionin e fundit për dalje nga situata e krijuar.

LVV-ja më herët ka propozuar që së bashku me PDK-në dhe LDK-në të pajtohen që të votohen në paketë Haxhiu dhe tre nënkryetarët e Kuvendit – teksa dy nënkryetarë të tjerë i takojnë komuniteteve pakicë.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV-ja i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë, tri prej të cilave i takojnë kësaj të fundit dhe kjo ndarje e ulëseve në Parlament ia pamundëson secilës parti që të qeverisë e vetme.

Formimin e institucioneve të reja po e kërkon bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian që ka thënë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.

Ndërkaq, më 30 prill ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij për vonesat në krijimin e institucioneve. Ai u ka bërë thirrje partive politike që të veprojnë shpejt në këtë drejtim dhe t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.

Seanca konstituive, që ka nisur më 15 prill, mund të ndërpritet dhe të vazhdohet sërish brenda 48 orësh. Nuk ka kufizime se sa vazhdime mund të ketë deri në konstituimin e organit ligjvënës.

Votimi i kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës. LVV-së, si fituese të zgjedhjeve, i takon që e para të propozojë mandatarin për ekzekzutivin. Nëse brenda 15 ditësh nuk e formon ekzekutivin, atëherë presidentja Vjosa Osmani, ka të drejtë të mandatojë cilëndo parti që ia garanton se i ka 61 votat për Qeverinë e re të Kosovës.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon të formojë ekzekutivin, atëherë Osmani shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja./REL

Ora 14:45
Kurti i dërgoi letër kryetarit të LDK për koalicion, reagon Abdixhiku: Do e lexoj dhe më pas do i kthej përgjigje

Foto: Lumir Abdixhiku

Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku, pas ftesës së Kurtit për një koalicion mes dy partie është shprehur se do t’i kthejë përgjigje me kohë liderit të LVV-së, Albin Kurti për koalicion qeverisës.

Në një prononcim për mediat se fillimisht do të shihte letrën në zyrë dhe pastaj do t’i kthejë një përgjigje Kurtit.

“Më lejoni të shkojë në zyrë të shoh letrën dhe do të kthejë letrën në kohë. I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme të trajtojnë pa arrogancë. Do të kthejmë përgjigje zyrtare siç i takon një partie”, tha ai.

Ora 11:10
Ngërçi politik në Kosovë, Kurti letër Abdixhikut: Koalicionet bëhen mes atyre që kanë dallime

1746436479_albinkurti.jpg

Foto: Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës. Ajo vjen në kulmin e krizës politike që pason zgjedhjet e e 9 Shkurtit.

Pas seancës së kësaj të hëne kur parlamenti sërish dështoi të konstituohej, Ministri në detyrë i Financave të Kosovës nga radhët e LVV Hekuran Murati konfirmoi dërgimin e kësaj letre dhe kërkesën e Kurtit për koalicion qeverisës me Lumir Abdixhikun.

“I nderuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku,

Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike.

Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në.

Ne sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet behen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur te drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet.

LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK, në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq në 2020 me LVV.

Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus, në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa të tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe.

Jam i bindur që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV. Edhe votuesit e LVV e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë? LVV nuk është e interesuar për koalicion me PDK.

Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?

Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t'i flasim dhe diskutojmë këto si politikanë të pjekur që kanë ardhmërinë e shtetit dhe përparimin shoqëror prioritet mbi çdo tjetër" thuhet në letrën e Kurtit.

Deri më tani ende nuk ka një përgjigje nga ana e kreut të LDK për ftesën e dërguar nga kryetari i Vetëvendosjes.

 

Xh.K/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?