TIRANË- Ndonëse u lejua prania e gjithë deputetëve në seancën e parë plenare pas përhapjes së koronavirusit, jo të gjithë u paraqitën në sallë. Madje, disa prej deputetëve refuzuan publikisht të merrnin pjesë, duke preferuar që fjalimin e tyre të mos e mbanin në foltore por në faqet e tyre në facebook.
Deputeti Andi Përmeti në fjalën që publikoi në faqen e tij zyrtare thotë se sot u shfrytëzua gjendja e jashtëzakonshme për të shpikur dhe miratuar disa ndryshime antidemokratike, totalitariste.
Sipas Përmetit, këto ndryshime po votohen në shkelje të Kushtetutës.
“Lajmi i keq është që Rama i ka votat për të kryer çdo cmenduri që i vjen ndërmend. 88 deputetë votuan pro. 14 vota opozitë i shkuan Ramës për një cmenduri në shkelje kushtetuese duke i treguar shqiptarëve që nesër ata janë të gatshem tëvotojnë jo 5 dhe 8 vite burg, jo vetëm 10 e 15 vite burg por edhe internim për agjitacion e propagandë nëqoftese vota e tyre do shpërblehej nga një shikim falenderues i Ramës dhe jo vetëm”, shprehet Përmeti.
Edhe deputetja Fatjona Dhimitri iu drejtua njerëzve me një fjalim në facebook, pasi bojkotoi seancën plenare.
“Neveri për axhendën e ngjeshur të seancës plenare të 16 prillit 2020. Demokracia e Shqipërisë në rrezik. As në ditë normale nuk ka ndodhur të kalojnë kaq shumë nisma me një limit kohor diskutimi”, shkruan Dhimitri.
Dhimitri akuzon qeverinë se po përfiton nga gjendja e jashtëzakonshme.
“Sot, duke përfituar prej gjendjes së jashtëzakonshme , grupi i Rilindjes me padurim po pret të votojë maskaradën më të madhe në historinë e parlamentarizmit , atë të shkeljes së të drejtave dhe lirive themelore te njeriut , përmes shtesave të panevojshme në Kodin Penal. Kasta e Juristeve të Rilindjes duhet ta kuptojë që nuk mund të ndërhyjë në Kodin Penal me procedurë të përshpejtuar, referuar ( Nenit 83 pika 3 e Kushtetutes, Neni 81 gërma d)”, shkruan ndër të tjera deputetja.