Foto ilustruese

Opinion

Alban Daci: Deputetët turistë dhe vota e emigrantëve!

5 Shkurt, 07:08| Përditesimi: 5 Shkurt, 08:10

  • Share

Emigrantët shqiptarë prej vitesh janë ndjerë të braktisur nga deputetët apo politikanët e tyre!

Emigrantët janë ndjerë të braktisur kur morën anijet në fillim të viteve '90 ku të pa shpresë, të kequshqyer, të uritur, të privuar nga liria ju drejtuan të panjohurës, emigracionit dhe shpresës të vetme për një jetë më të mirë!

Emigrantët janë ndjerë të braktisur në radhët e gjata të pritjeve në aeroporte e porte e ndërkohë diplomatët, politikanët dhe deputetët kalonin në zonën e pasaportave diplomatike, me makina diplomatike pa ngritur zërin njëherë të vetme për bashkëkohësit e tyre.

Emigrantët shqiptarë janë ndjerë të braktisur kur kanë qëndruar në radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit për t'u pajisur me leje qëndrimi e ndërkohë nuk mungonin rastet kur politikanët e deputetët i takonin nëpër qendrave tregtare duke bërë shopping në dyqanet e markave.

Emigrantët janë ndjerë vetëm e të braktisur kur udhëtonin me gomone në ditët e janarit nën shoqërimin e vetëm të hënës.

Emigrantët shqiptarë janë ndjerë të braktisur dhe vetëm, kur kishin nevojë të ndërtonin çdo gjë nga e para për të gjetur punë, për të gjetur një strehë diku me qira e diku si të ftuar në banesat e miqve të tyre.

Emigrantët janë ndjerë vetëm e të braktisur, sepse zëri i tyre nuk u përfaqësua asnjëherë në Kuvend nga deputetët dhe asnjëherë nuk u folë për problemet, sfidat dhe të drejtat e tyre.

Emigrantët janë ndjerë të harruar dhe të tradhtuar nga klasa politike shqiptare sa herë janë kthyer në Shqipëri dhe janë përballur me burokraci dhe me sfida të tjera.

Megjithatë, tashmë që emigrantët do të votojnë, krejt papritur e me siguri vetëm për dy muaj u kthyen në qendrën e vëmendjes e pikërisht këtyre deputetëve që sot kanë nevojë për votën e tyre për të rikonfirmuar karriget e tyre të deputetit.

Ajo që bie në sy në këtë fushatë të deputetëve ose politikanëve  jashtë është fakti se këta vijnë nga një realitet që kanë harruar zonat nga ku janë zgjedhur e tashmë duan t'u mbushin mendjen edhe emigrantëve se do të jenë përfaqësues të tyre serioz.

Pra, serioziteti i tyre duket krejt i qartë edhe në raport me emigrantët kur shikon e kupton se ata kanë shkuar ose nuk kanë shkuar as dy herë në zonat ku janë zgjedhur që kur kanë marrë mandatin.

Tashmë vota e emigrantëve u ka dhënë mundësi deputetëve e politikanëve që të bëjnë për dy muaj fushatë turistin me kohë të plotë me justifikimin duke takuar emigrantët edhe pse eksperiencat dhe modelet e tyre jetësore nuk kanë asnjë lidhje me këta të fundit.

Politikanët dhe deputetët mendojnë ose aludojnë se do të sigurojnë votën e atyre emigrantëve me nga një takim që bëjnë që nuk zgjatë më shumë se një orë e pastaj do të kthehen përsëri në jetën e tyre komode në Tiranë për të mos menduar më për ta edhe për katër vitet e tjera.

Bëhet një garë e madhe kush takon më shumë emigrantë ose kush bën më shumë takime për të treguar përballë liderit se po punojnë për pasojë meritojnë të jenë në listat e garantuara për mandatin e radhës.

Mes këtyre politikanëve e deputetëve që vijnë e takojnë emigrantë nuk mungojnë as ata që kur kishin në pushtet i mbushën selitë diplomatike me të afërmit e familjarët tyre e ndërkohë të rinjtë shqiptarë që shkolloheshin në Perëndim që nuk ishin as të nënës e as te njerkës mbeteshin në mëshirën e fatit dhe me forcat e tyre të mbushura me dije cilësore të bazuar vetëm në meritokraci.

Fëmijët e këtyre emigrantëve me ndjenjën për t'i shërbyer vendin kanë tentuar të kthehen për të kontribuar për Vendin, por kur e kanë bërë një gjë të tillë e kanë gjetur Shqipërinë të mbushur me punësime militanteske, me të punuar, sepse disa ishin familjarë ose të afërt të deputetëve ose të njerëzve të pushtetit dhe nuk kishte vend për meritokraci.

Ku ishin e ku janë këto deputetë në kur ka pasur raste që ndonjë shqiptar ka ndërruar jetë në emigracion e nuk ka pasur mundësi familja për të dërguar trupin e pa jetë në Atdhe, por përsëri emigrantët janë bërë bashkë dhe kanë ndihmuar njëri-tjetrin në të mirë e në të keqe!

Emigrantët ja kanë dalur me forcat e tyre dhe me ndjesinë e komunitetit e Jo falë deputetëve apo politikanëve që tashmë me kollare na vijnë e na kërkojnë votën duke na trazuar edhe këtu atë pak qetësi që më fund kemi gjetur.

Tashmë këta deputetë që më shumë ngjajnë si turisti sesa si përfaqësues të sovranit, po tentojnë me propagandën e tyre dhe hallin e tyre për të zgjedhur llogore me miq e me armiq, me dashamirës e kundërshtarë.

Shpejt do të mbarojë edhe kjo fushatë dhe emigrantët do të rikthehen në realitetin e tyre të përditshëm, të mbushur me halle e sfida e përsëri do të takohen nëpër kafe si miq përtej politikës për të diskutuar e ndoshta edhe më mburrje se kanë takuar nga afër deputetë e kanë pirë kafe me ta në kohë fushate.

Emigrantët kanë nevojë të jenë të respektuar dhe të përfaqësuar për atë se çfarë i kanë dhënë vendit në këto vite e shpesh edhe përtej mundësive të tyre reale.

Emigrantët kanë nevojë e duhet të jenë pjesë reale e jetës politike në Atdhe e të jenë përfaqësues të vetes të tyre në emigracion.

Ndryshe nuk ka asnjë kuptim demokratik e për më tepër Kushtetues që të konsiderohen e të trajtohen vetëm si hambar votash për të zgjedhur ose mbajtur në pushtet ata që jetojnë në Tiranë që nuk menduan kurrë për ta.

Emigrantët janë larguar pikërisht nga politikanët e Tiranës që nuk e qeverisën vendin si duhet, por e kthyen në një formë të pronës private për interesat e tyre dhe të familjarëve të tyre e tashmë nuk kanë asnjë motiv që edhe të larguar edhe emigrantë të votojnë përsëri për ata që ishin shkaku i largimit të tyre.

Për të kuptuar jetën e emigrantëve ose të atyre të Xhenovës mjafton të tregojmë vetëm copëza historie e njëra prej tyre është: Aty ku sot është qendra tregtare "Fiumara", më parë ka qenë një vend vetëm për parkime të kamionëve dhe të kontejnerëve.

Po flasim për fillimin e viteve '90 dhe një grup emigrantësh shqiptarë kishin zënë një nga këto kontenjerët që e kishin kthyer në një formë fjetje apo banese. Jashtë kishin ngritur një version antenë dhe brenda kishin sistemuar në versionin një reparti ushtarak krevate me kate.

Një natë një kamion kishte përplasur  karrocerin mbrapa  duke bërë manovrën e parkimit dhe për t'a drejtuar kishte menduar ta lidhë me këtë kontenjerin që jetonin emigrantët shqiptarë brenda, por që nuk e dinte e për më tepër që ishte natë dhe i jep me gjithë shpejtësi kamionit duke e tërhequr edhe kontenjerin bashkë me emigrantët që ishin brenda që për fat të mirë nuk pësuan asgjë.

Të nesërmen shkon një emigrantë shqiptarë tek kontenjeri se ishte kthyer edhe një vend takimi dhe i gjenë bashkëkombasit duke ngrënë drekë me fasule, të cilët e ftojnë edhe atë për të ngrënë së bashku e ndërkohë i tregojnë se çfarë u kishte ndodhur.

Brenda në kontenjer kishin një televizion dhe për faktin se ishte një hapsirë e vogël dhe jo komedie, secili kishte gjetur një copë pasqyrë për të mundur të shikonte programet tv përmes pasqyrës.

Ja kështu është jeta e emigrantëve shqiptarë në fillimet e tyre e tashmë falë punës së tyre janë plotësisht të integruar dhe janë kthyer në ambasador më të mirë të Shqipërisë.

Xhenova ka njohur disa ngjarje të rënda siç janë përmbytjet e 2011 apo edhe tragjedia e urës Morandi ku për fat të keq në të dyja ngjarjet pati viktima edhe nga komuniteti shqiptar, por në asnjërën prejt tyre nuk pamë të pranishëm asnjë deputet të Kuvendit që të ishin të pranishëm qoftë edhe për të ndarë dhimbjen me ta. Ku ishin këta deputetë në këto ngjarje të rënda?!

Askush nuk i pengon të vijnë për turizëm, por të vish e të kërkosh votën e emigrantëve për karrige personale është kurajë e madhe për këdo e për më tepër për deputet tanë të Tiranës!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?