Foto ilustruese

Deputeti dhe “eksperti”, debat për pagat në ‘kohë kiameti’

29 Maj 2023, 10:59| Përditesimi: 29 Maj 2023, 11:02

  • Share

Deputeti i goditur rëndë nga kriza e çmimeve, me ndihmën e “analistit” të çoroditur e të shqetësuar se mos i zbrazeshin edhe atij xhepat, i ftuar në një studio televizive, gati sa nuk qante nga njëra anë ngaqë sot Shqipëria nuk gjen dot punëtorë për të shpëtuar ekonominë e saj dhe nga ana tjetër po justifikohej para publikut që e kishte votuar pa u menduar dyfishimin e pagave të tyre bashkë me kolegë të tjerë, për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.

Në “dëshpërim” deputeti tha i bindur se kishte votuar nga halli i madh që e kishte zënë atë dhe pas tij; “popullin” bashkë me të, pas një viti të vështirë që përjetuan “së bashku”.

Asnjë rritje prej 15 vitesh në pagat e deputetëve dhe sipas ligjvënësit, duke dëgjuar dhe shqyrtuar hallet e shumta të qytetarëve mbi vështirësitë dhe humbjen e fuqisë blerëse prej tyre gjatë muajve të fundit të krizës, ‘u pa mundësia dhe u gjet ‘koha ideale’ për një ndërhyrje në pagat tona’.

Pak rëndësi ka nëse ishte i majtë apo i djathtë. Deputeti pa ngjyrë në “fytyrë” i tha publikut për të cilin beson se nuk bën haber nga xhepat e tij, duke ditur fare mirë se pjesa më e madhe e popullit nuk kishte pasur asnjë përvojë me “xhepin” e tjetrit, se çmimet ishin rritur ndjeshëm dhe kostoja e jetesës ia kishte vështirësuar jetën më shumë se cilido tjetër, atij që “vajton” për hallet e të tjerëve.

“Si mund të rritet paga e atij që është në hall, para hallit tim më të madh,” bërtiste dhe i binte me grusht tavolinës deputeti në studio.

“Ka hierarki shteti, - thoshte ai, - rritja e pagës realizohet bazuar mbi një piramidë dhe ne jemi në krye të saj”. Ç’të thoshte më shumë?

“Jo të gjithë janë të korruptuar. Njerëzve u janë shtuar hallet dhe puna jonë është bërë më e mundimshme duke qarë hallet e tyre” qahej ai në studio.

“Padyshim” - i thotë analisti i veshur me kostum “specialisti”, i ftuar në të njëjtën studio me sa duket për të shpëtuar xhepin e tij, por dukej ndjeshëm akoma më i shqetësuar për rritjen e  çmimit të midhjes dhe të peshkut. “Janë thirrje populiste, sepse nuk e njohin piramidën” - argumentonte “analisti” i midhjes, i cili besonte se “peshku qelbet nga bishti”.

Siç edhe kuptohet “analisti” dhe deputeti, në pamundësi për të identifikuar njerëzit e pakurruptuar, punëtorë dhe të zgjuar, dolën dhe identifikuan veten e tyre. Qanë dhe vajtuan për hallet e popullit dhe në fund e “justifikuan” dyfishimin e pagave të tyre.

“Ku të gjejmë paratë për të rritur pensionet, ndihmën sociale, pagat për të gjithë shqiptarët ose që t’ju vijmë në ndihmë njerëzve më në nevojë. Ata janë shumë dhe fatura është e rëndë, e papërballueshme, kurse ne jemi pak dhe prandaj ishte shumë më e lehtë të dyfishonim pagat tona,” thoshte deputeti dhe me një tundje koke e miratonte “analisti”, “specialisti”, “eksperti”.

Askush nuk e zuri me gojë, as deputeti dhe as “eksperti” faktin që fatura e rritjes së pagave për rreth 130 mijë buxhetorë do të jetë rreth 350 milionë euro dhe këtë faturë ndryshe nga pabarazia dhe pabëzia për përfituesit do ta paguajnë të gjithë shqiptarët.

As deputeti dhe as “eksperti” nuk u kujtuan se dëmi që i shkaktohet shtetit nga Keq-administrimi Publik sipas KLSH-së shkon në rreth 800 milionë euro çdo vit. Ata nuk pëmendën as detyrën e ligjvënësve nëse është kryer me sukses kjo detyrë, duke nisur nga hartimi i ligjeve, krijimi i mekanizmave dhe ngritja e institucioneve me kredibilitet për publikun që t’iu besojnë më pas punët publike njerëzve me integritet të lartë moral dhe profesional për të minimizuar dëmet në ekonomi dhe shoqëri.

“Pse nuk punojnë rreth 43 për qind e shqiptarëve të cilët OKB i ka vlerësuar në kufirin jetik të varfërisë, që edhe ata të paguhen më mirë ashtu siç bëjnë deputetët dhe të dyfishojnë edhe ata pagat e tyre? “Pse nuk e rrisin produktivitetin, sepse përmes tij rriten ekonomia, rriten pagat” - bërtiste deputeti, duartrokiste tjetri.

Ndërkohë ekspertët ndërkombëtarë dhe institucione si OKB, FMN dhe Banka Botërore u kanë sugjeruar qeverive në mbarë botën, vendet e të cilave u goditën nga kriza e çmimeve që të gjejnë mekanizmat e nevojshme përmes politikave fiskale (jo të taksimit), për indeksimin e ndershëm të pagave dhe të të ardhurave, aq sa të jetë e mundur por me një kusht; duke mbajtur inflacionin nën kontroll. Do të thotë se të gjitha pagat ose të ardhurat që merreshin para krizës duhet të indeksohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë me arsyen që paratë e humbura nga rritja e çmimeve t’i rikthehet qytetarit, duke filluar me shtresat më në nevojë, që ai t’i shpenzojë ato për të mos pësuar goditje fuqia blerëse, ngaqë rënia e mundshme e saj sjell pasoja të rënda për ekonominë dhe të gjithë shoqërinë.

Nëse ekonomia e Gjermanisë është zhytur aktualisht në recesion nga kriza e çmimeve, aq sa e ka të pamundur jo vetëm rritjen e pagave por edhe indeksimin e plotë të tyre (pa dallim në shoqëri), ajo shqiptare sipas “ekspertit” dhe deputetit ka fuqi “ndër-planetare” dhe ‘magji’ për të realizuar të tilla mrekulli.

Deputeti dhe “eksperti” u ulën pas diskutimit për një drekë me peshk dhe midhje, duke e vijuar diskutimin dhe “debatin” mbi efektet pozitive që u solli dyfishimi i pagave. “Me sa di, në sektorin privat nuk janë rritur pagat. Po sikur peshkatari i mërzitur nga ky fakt të largohet një ditë në emigracion ose të gjejë punë në Administratë? Kështu që nuk do të ketë kush ta kapë midhjen, peshkun ose ngjalën, si do t’ia bëjmë” - pyeti i shqetësuar “eksperti”.

“Atëherë bëhet kiameti. Do të na mbetet neve kallami”, iu përgjigj deputeti

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?