Duhet të ishin shembull për zbatimin e ligjeve që miratojnë vetë dhe të rregullave të autoriteteve shëndetësore për kufizimin e përhapjes së koronavirusit, por disa deputetë kanë sfiduar masat e jashtëzakonshme, duke thyer karantinën.
Në datën 20 mars, katër ditë para se të merrte përgjigjen se ishte infektuar me Covid-19, policia konstatoi deputetin Adriatik Alimadhi, duke lëvizur jashtë fashës së orarit. Deputeti i tha policisë se poshtonte në shtëpi. Ndërkaq, gjatë mbledhjeve të komisioneve parlamentare, një deputet ka marrë pjesë në mbledhje online si dhe ka dhënë mendim nga një klub në Kamëz.
Rasti i dytë është bërë ngritur si shqetësim edhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve.
Ruçi u kërkoi kryetarëve të Komisioneve Parlamentare që të marrin masa ndaj çdo deputeti që marrin pjesë në mbledhjet online jo nga banesat e tyre.
“Kemi pasur një rast, nuk po e them se cili deputet ishte, që, megjithëse është marrë masa që klubet të mbyllen, lidhet online për një mbledhje të komisionit dhe jep mendimin e tij nga një klub në Kamzë. Në raste të tilla do t’ju kërkoja juve, si kryetarë komisionesh, se i keni të gjitha atributet që, në zbatim të Rregullores në situatë të zakonshme, aq më tepër në një situatë të jashtëzakonshme, ta përjashtoni nga mbledhja e komisionit cilindo nga deputetët që shkel masat dhe mos e lejoni futjen e tij në mbledhjet respektive për sa i përket kësaj çështjeje”, ka pohuar Ruçi.
Ruçi ka kërkuar gjithashtu që deputetët të zbatojnë kodin e veshjes, ndonëse marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve apo të seancës plenare nga shtëpia.
Kërkesa ka ardhur pasi disa deputetë janë shfaqur me veshje jo serioze gjatë mbledhjeve online. Kreu i Kuvendit u ka kërkuar deputetëve që të bëjnë shumë kujdes edhe gjatë seancës plenare të 16 prillit.
“Në qoftë se në këtë seancë ne nuk zbatojmë në mënyrë strikte masat e vendosura deri më sot në sallën e parlamentit, seanca do të përfundojë në disko live dhe do të japim mesazhin më të keq të mundshëm. Në qoftë se mesazhi i të gjithë popullit shqiptar ka qenë i shkëlqyer dhe falë këtij mesazhi, këtij qëndrimi, këtij respektimi te këtij vullneti, këtij durimi, ne kemi këtë rezultat që kemi, atëherë salla e Kuvendit do të japë shembullin më të keq ndaj zgjedhësve të vet, prandaj këtë duhet ta kemi parasysh”, ka thënë Ruçi.