Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka publikuar së fundmi në Facebook një video nga një takim i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, me disa serbë nga Kosova.
Rrustemi shkroi se pjesëmarrës ishte edhe Vladimir Radojeviç, i njohur me nofkën “Mami”, që ishte pjesë e grupit terrorist që e sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator.
“Vuçiç njihet personalisht me kokat e grupit terrorist që kreu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Me 13 tetor 2021, disa serbë kishin shkruar t’i rrefehesin Vuçiqit për kinse terrorin që Qeveria e Kosovës po i bënte atyre. Ndër ta që u rrëfyen ishte edhe Vladimir Radojeviç i njohur me nofkën “Mami’’”, shkroi Rrustemi.
Në videon e publikuar, Rrustemi përshkruan se si “pasi flet ‘’Mami’’ (personi me flokë të gjata) flet një tjetër person, atij Vuçiç i kërkon të prezentohet”.
“Atë (Mamin) e njoh, ndërkaq këtë jo, tha Vuçiç. Kjo tregon se ai ka lidhje direkte e personale me këta individë”, shkroi Rrustemi.