TIRANË- Deputeti demokrat, Isuf Çela, është paraqitur ditën e sotme (8 Tetor) në Prokurorinë e Posaçme, ku është marrë në pyetje apo ka dhënë shpjegime për gati 90 minuta.
Report Tv sjell edhe pamjet ndërsa Çela futet në ambientet e SPAK.
Ende nuk dihen arsyet se përse deputeti demokrat i qarkut të Kukësit është thirrur në SPAK. Por pas daljes nga godina rreth orës 11:30, ligjvënësi i PD-së nuk bëri asnjë koment për mediat, duke u larguar.
"Nuk kam asnjë koment", i tha ai gazetarëve të pranishëm dhe më tej s'pranoi të flasë rreth pyetjeve të drejtuara.
Mësohet se emri i tij është përmendur tek bisedat e përgjuara të "Sky ECC" në lidhje me një çështje si i afërmi i një eksperti IT që kishte refuzuar të ndërhynte në një short elektronik gjyqësor.
Bëhet fjalë për dosjen "Toyota Yaris", por SPAK nuk ka dhënë konfirmim zyrtar nëse Çela u mor në pyetje për këtë dhe nëse ka sqaruar pozicionin e tij në çështje.
Kujtojmë që pak ditë më parë Isuf Çela, së bashku me 22 deputetë të tjerë, u kallëzuan në Prokurorinë e Posaçme nga Policia më 1 Tetor, për djegien e karrigeve në shkallët e Kuvendit një javë më parë.
Ai është përjashtuar me 40 ditë nga Komisioni i Etikës në Kuvend, bashkë me deputetët e tjerë, ku u dhanë më 2 Tetor masa të ndryshme disiplinore.