Tiranë- Gjykata e Posaçme shpall fajtor dhe dënon me 9 muaj burgim deputetin demokrat Qani Xhafa. Në gjykim të shkurtuar pasi kishte pranuar aktet e dosjes, dënimi u zbrit në 6 muaj burgim dhe në përfundim, gjyqtarja Irena Gjoka e çështjes, e konvertoi atë në 9 mijë euro gjobë.
Prokurori Sotir Kllapi i SPAK, dha sot (19 qershor) pretencën dhe kërkoi dënimin e tij përfundimtar me 6 muaj burg, dënim që të pezullohej dhe kthehej në shërbim prove për një periudhë 1 vjeçare.
Mbrojtja e Qani Xhafës kërkoi dënimin me gjobë, ose me punë në interes të publikut. Gjyqtarja Irena Gjoka pasi dëgjoi palët, u tërhoq për vendim dhe shpalli verdiktin sot pasdite.
Sipas verdiktit të GJKKO-së, deputeti duhet ta paguajë gjobën, që është vendosur e llogaritur për ditë burgu, brenda 10 ditëve pasi vendimi merr formën e prerë (nëse mbetet në fuqi nga shkalla e dytë).
“Në aplikim të nenit 53/a dhe 291, pika 2 e Kodit Penal, zëvendësimin e dënimit me burgim prej 6 (gjashtë) muajsh, me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit, prej 900.000 (nëntëqind mijë) lekësh, duke llogaritur një ditë burgim me pesë mijë lekë, e cila duhet të paguhet brenda 10 ditëve nga momenti që vendimi merr formë të prerë”, thuhet në vendim.
SPAK mori të pandehur depuetin e PD-së Qani Xhafa, për akuzën e drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt. Hetimet dhe procesi ndaj tij u kryen në gjendje të lirë.
Nga hetimet rezulton se në muajin mars të vitit 2023, ligjvënësi Xhafa teksa drejtonte në gjendje të dehur një makinë “Toyota”, ka shkaktuar një aksident në Elbasan, duke goditur një shtyllë elektrike.
Në 20 mars të këtij viti, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe kaloi për gjykim në GJKKO dosjen ndaj deputetit demokrat.
SPAK thotë se Xhafa, i pandehur për “drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt", duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip Toyota në Bulevardin “Qemal Stafa”, Elbasan, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me një shtyllë të ndriçimit rrugor. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
Aksidenti ndodhi më 13 mars të vitit 2023, ndërsa Policia e arrestoi pas ngjarjes ligjvënësin opozitar që zëvendësoi ish-deputetin Luçiano Boçi, i cili në atë kohë kandidoi për kryebashkiak në Elbasan dhe humbi. Xhafa u lirua një ditë pas arrestimit dhe u la për hetim në gjendje të lirë.
Komente

Dhe e forta eshte se ky ka autoshkolle ne Elbasan
Përgjigju