Deputeti i mazhorancës Bardhyl Kollçaku ngriti shqetësimin në komisionin parlamentar të sigurisë për numrin e madh të armëve të zjarrit në duart e popullatës të cilat shpesh bëhen shkak për krime.
“Janë mbi 200 mijë armë në duart e popullsisë në Shqipëri”, tha ai.
“A keni menduar për amnisti?”, pyeti Kollçaku.
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, u përgjigj duke thënë se miratimi i amnistisë është i mundshëm, por më parë duhet që institucionet të sigurohen për rezultatin, i cili varet shumë nga ndërgjegjësimi i popullatës për dorëzimin e armëve.
“Amnistia është e pjesë e strategjisë, nuk është çështja tek miratimi i saj, janë bërë 3 amnisti, por nevojë ka ndërgjegjësimi. Duhet të sigurohemi që vërtet është rritur më parë ndërgjegjësimi, duhet të kemi një siguri për përgjigjen pozitive nga qytetarët për këtë nismë”, u shpreh Lamallari.
Deputeti i PD, Isuf Çelaj kërkoi më shumë kontroll për lejet e mbajtjes së armëve.
Diskutimet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në projektligjin për armët e zjarrit në Komisionin e Sigurisë i cili dha miratimin për draftin në parim.