Deputeti serb: Nëse Radoiçiç mori pjesë në sulmin terrorist në Veri, është e qartë se Vuçiç qëndron prapa! Duhet të japë dorëheqjen

26 Shtator 2023, 13:42| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 13:49

  • Share

Deputeti i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviç, ka thënë këtë të martë se Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, do të duhet të japë dorëheqjen sepse, siç tha ai, “ka sakrifikuar rininë serbe në Kosovë në luftën njëditore mes tij dhe Albin Kurtit”.

Duke komentuar raportimet se në sulmin terrorist të së dielës, 24 shtator. ndaj Policisë së Kosovës, organizator ka qenë krimineli dhe terroristi, njëherit nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Milan Radoiçiç, ka theksuar se pjesëmarrja e tij në sulmin terrorist nuk do të ishte befasi.

“Nëse Radoiçiç ka marrë pjesë në atë akt të çmendur, atëherë është plotësisht e qartë se pas gjithçkaje qëndron regjimi në Beograd i drejtuar nga Aleksandër Vuçiç. Po ta kishte organizuar Radoijçiç apo dikush tjetër pa pëlqimin dhe urdhrat e Beogradit, ai tashmë do të ishte arrestuar ose do të ishte fundi për Vuçiç-in”, ka pohuar, transmeton media opozitare sebe “Nova”.

Milivojeviç tha se tashmë është e konfirmuar se Vuçiç është gjeneratori i konfliktit dhe shkaktari i problemeve, raporton media serbe nova.rs

“Vuçiç është gjeneratori i konfliktit dhe shkaktari i problemeve. Pas luftës njëditore mes Vuçiç-it dhe Kurtit, Serbia humbi. A beson dikush më se Vuçiç është faktor paqeje në Serbi dhe në rajon? Është vërtetuar se Vuçiç është gjeneratori i konfliktit dhe shkaktari i problemit dhe nëse ka ndonjë moral do të duhej të jepte dorëheqjen sepse sakrifikoi serbët në Kosovë”, tha ai.

Ai theksoi se institucionet shtetërore do të duhet të njoftojnë se sa persona kanë vdekur në Banjskë dhe sa janë plagosur dhe arrestuar.

“Në konferencën për shtyp të dielën në mbrëmje, Vuçiç ka bërë të ditur të gjitha informacionet e pasakta. Qeveria është e detyruar t'i informojë familjet se si dhe pse vdiqën të dashurit e tyre”, tha Milivojeviç.

Ai tha se “Vuçiçit nuk i intereson nëse serbët në Kosovë do të dëbohen, vriten apo do të përfundojnë nën represionin e autoriteteve të Prishtinës”.

Të hënën mediumi boshnjak “Istraga.ba”, raportoi se nënkryetari i Listës Serbe, krimineli dhe terroristi, Milan Radoiçiç është plagosur të dielën në Veri, konkretisht në fshatin Banjskë të Zveçanit ku rreth 30 terroristë gjuajtën në drejtim të Policisë së Kosovës.

Në një audio-incizim që e ka publikuar ky medium, thuhet se kanë provuar disa herë ta kontaktojnë Radoiçiç-in, po kontakti me të ka qenë i pamundur.

“Fillimisht një person i panjohur i cili i është përgjigjur numrit të tij të telefonit ka thënë se nuk është Radojiçiç, ndërsa më pas i njëjti person ka pohuar se Radojiçiç është mirë”, raporton mediumi boshnjak.

Sipas këtij mediumi, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç, ndodhet në Serbi i cili po trajtohet.

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?