Shaip Kamberi dhe Ana Bërnabiç

Kosova & Rajoni

Deputeti shqiptar në Kuvendin serb padit kryeparlamentaren Bërnabiç për 'nxitje të urrejtjes fetare e racore'

4 Gusht, 19:41| Përditesimi: 4 Gusht, 19:46

  • Share

Shaip Kamberi, i vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të hënën se ai bashkë me dy deputetë të tjerë nga komuniteti boshnjak në Serbi, e kanë paditur kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, për “nxitje të urrejtjes etnike, fetare e racore”.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Kamberi e akuzoi Bërnabiçin se ajo kishte përdorur gjuhë të tillë gjatë një konference për media më 30 korrik, pas protestave të para disa ditëve në Novi Pazar.

“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Republikës së Serbisë, znj. Ana Bërnabiç, në një konferencë për media, në zemër të institucioneve shtetërore, përdori një gjuhë që nuk mund të quhet ndryshe veçse e nxitjes ndaj urrejtjes fetare dhe racore. Ajo deklaroi: ‘atëherë dëgjuam thirrje Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme’”, tha Kamberi.

Ai theksoi se kjo ishte arsyeja që ai, bashkë me kolegët e tij deputetët, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Bërnabiçit për “nxitje të urrejtjes etnike, fetare e racore”.

“[Kjo] fjali nuk është as lapsus e as interpretim i gabuar. Është një fjali që stigmatizon fenë islame, identitetin e shqiptarëve myslimanë dhe komuniteteve të tjera që ndajnë të njëjtën besim, duke i përbaltur dhe asociuar me ‘të neveritshmen’, me ‘rrezikun’, me ‘të huajin’ brenda një shteti që ende nuk ka dalë nga trauma e nacionalizmit agresiv të viteve ‘90”, shkroi ai.

Në Serbi jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe atje, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2022.

Shumica e shqiptarëve në Serbi i përkasin besimit islam, sipas regjistrimit të fundit. Kamberi nguli këmbë se ky veprim “nuk është hakmarrje politike, nuk është as sensacionalizëm, është një thirrje për drejtësi”.

Në raportet ndërkombëtare, Lugina e Preshevës – term që përdoret për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, komuna të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë – konsiderohet tërësisht e izoluar dhe thuhet se merr vëmendje vetëm në kohë zgjedhjesh.

Shqiptarët në Serbi ankohen se autoritetet atje nuk ua njohin diplomat e Kosovës, kërkojnë integrim nëpër institucionet shtetërore të Serbisë, lejim të përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare dhe për zgjidhjen e çështjes së pasivizimit të adresave.

Zyrtarët serbë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Pasivizimi i adresës përcaktohet me ligj në Serbi prej vitit 2011. Ligji parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të kuptuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë mendoni për ndryshimet e propozuara me draftin për Kodin e ri Penal?