Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka kontaktuar deputetin shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi që ka marrë kërcënime për jetë duke i shprehur solidaritetin e plotë. Po ashtu kërkoi që organet serbe të hetojnë çdo përpjekje dhe vepër penale për intimidimin e tij.
“Kam komunikuar pak minuta më parë me deputetin Shaip Kamberi përfaqësues i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë. I shpreha solidaritetin tonë të plotë ndërsa më informoi mbi kërcënimet kriminale që ai ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës së tij dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese serbe të hetojnë çdo përpjekje dhe vepër penale për intimidimin e përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Luginës në legjislativin e Serbisë. Këto kërcënime vijnë për shkak të detyrës së tij si deputet.
Me këtë rast rishpreh qëndrimin tonë në mbështetje të kërkesave të popullisë shqiptare të Luginës së Preshevës për eleminimin e dallimeve ekonomike, sociale e politike të cilat pengojnë pjesmarrjen efektive të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Është shumë i rëndësishëm trajtimi i nevojave të tyre nga Qeveria e Serbisë në përputhje me parimet ndërkombëtare të respektimit të pakicave kombëtare.
Gjatë bisedës telefonike vlerësuam intensifikimin e kontakteve për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra në funksion të përmirësimit të jetës së popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës”, shkruan Balla.
Lajmi kryesor: